Mali i Zi lehtëson masat kundër koronavirusit

Për shkak të situatës më të mirë epidemiologjike Mali i Zi ka nisur lehtësimin e masave, lejohet dalja nga banesat nga ora 5 e mëngjesit deri në mesnatë.

1625589
Mali i Zi lehtëson masat kundër koronavirusit

Mali i Zi lehtëson masat kundër koronavirusit

Për shkak të situatës më të mirë epidemiologjike Mali i Zi ka nisur lehtësimin e masave. Tani e tutje lejohet dalja nga objektet banesore nga ora 05.00 e mëngjesit deri në mesnatë. Në disa qytete duke pasur parasysh përmirësimin e situatës epidemiologjike lejohet ndjekja e mësimit në institucione, puna e kopshteve të fëmijëve, kurse palestrat do të punojnë nga ora 05.00 deri në orën 22.00. Bastoret sportive do të jenë të hapura nga ora 07.00 deri në 22.00, kurse objektet gastronomike nga ora 07.00 deri në orën 23.00, me kufizim që pas një tryeze brenda objektit dhe në tarrace mund të rijnë vetëm 4 persona. Sipërmarrësit që merren me tregti me pakicë do të punojnë nga ora 07.00 deri në orën 22.00, kurse është e lejuar edhe komunikacioni ndërurban ditëve të punës, ndërkaq në fundjavë do të jetë akoma i ndaluar.

Çdo ditë numër më i vogël i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi

Në Mal të Zi, në 24 orëve të fundit  nga pasojat e koronavirusit kanë humbur jetën edhe 3 persona, kurse janë konfirmuar edhe 199 raste të reja të infektimit. Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi, si dhe laboratorët e tjerë privatë dhe publikë, të cilët merren me diagnostikimin e infektimit me koronavirus gjatë ditës së djeshme kanë kryer analizën dhe Institutit ia kanë dorëzuar rezultatet e 1.266 mostrave. Nga ISHP është konfirmuar edhe shërimi i 284 pacientëve, kurse aktualisht të infektuar me koronavirus janë 3 mijë e 142 persona. Ndërkaq, në Qendrën Klinike të Malit të Zi 69 pacientë të infektuar me koronavirus jetën e kanë në rrezik. Siç bëhet me dije në këtë institucion shëndetësor janë të hospitalizuar 131 pacientë me Covid-19.

Bashkimi Evropian do t’i dhurojë Malit të Zi 42.000 doza të vaksinave

Në Mal të Zi prej majit deri në fund të gushtit do të arrijnë 42 mijë doza vaksina, që i financon Bashkimi Evropian (BE), ka bërë me dije kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon Der Layen. Komisioni Evropian dhe Austria shpallen përfundimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e vaksinave për Ballkanin Perëndimor. 651 mijë dozat Biontech/Phizer financohen nga Komisioni Evropian dhe do të ndahen me ndihmën e Austrisë. Dorëzimi i parë për të gjithë partnerët në rajon pritet të kryhet në maj, me transhe të rregullta që do të vazhdojnë deri në gusht. ”Ky akt shënon një hap të parë dhe ndihma të mëtejshme do të pasojnë”. Dozat e Phizer/Biontech janë rezervuar që nga fillimi për të ofruar këtë lloj ndihme për fqinjët e Bashkimit Evropian dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në shpejtësinë e vaksinimit në bllok. Ndërkaq vaksinat kundër koronavirusit që Mali i Zi i ka siguruar nga Kina, do të dorëzohen më së voni deri në fund të prillit, është bërë e ditur nga Ambasada e Kinës. Ambasada është informuar nga Pekini se vaksinat kundër Covid-19, që janë siguruar për Malin e Zi, do të dërgohen më së voni deri në fund të prillit. Përkrahim luftën e Malit të Zi kundër pandemisë dhe së bashku presim fillimin e sezonit turistik, është njoftuar në llogarinë e Twitter-it të Ambasadës kineze.

Protesta të qytetarëve para fillimit të debatit publik mbi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit mbi prokurorinë

Para fillimit të debatit publik mbi ndryshimet dhe plotësimet në ligjin mbi prokurorinë, një grup qytetarësh me pankarta në duar u mblodhën para ndërtesës së vjetër të Qeverisë. Ata thanë se arsyeja për tubimin është shkatërrimi i demokracisë në Malin e Zi, që po ndodh pas zgjedhjeve parlamentare. Qëllimi i protestës është për ti thënë "Jo" manipulimit të ligjeve mbi prokurorinë, u shprehën të tubuarit duke shtuar se këto ligje duhet të jenë të mira për shtetin dhe për sistemin ligjor dhe jo të përdoren për qëllime pastrimi kundër individëve të caktuar. Social-demokratët thanë se debati publik mbi ndryshimet në ligjin për prokurorinë është i paligjshëm, sepse nuk u zhvillua në përputhje me rregulloren për zhvillimin e debateve publike. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Nermin Beqiroviq tha se nuk pati asnjë ftesë publike në ueb-faqen e Ministrisë dhe portalin elektronik të Qeverisë dhe se diskutimi u zhvillua pa një projektdokument të shpallur publikisht.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme