Shqipëri – Kuvendi miratoi projektligjin për stërvitjen “Defender Europe 2021”

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për “zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët «Defender Europe 2021»”.

1597395
Shqipëri – Kuvendi miratoi projektligjin për stërvitjen “Defender Europe 2021”

Projektligji u miratua me 98 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim. Qëllimi i tij është të lejojë hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të 3.100 trupave ushtarake nga disa vende pjesëmarrëse në stërvitje.

Gjatë fjalës në seancën parlamentare, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe - sipas tij - është në vazhdën e “partneritetit strategjik që Shqipëria ka me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.

“Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të forcave të armatosura për t'u rritur, koordinuar dhe për t'u stërvitur e trajnuar së bashku me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete, operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks. Kryefjala jonë për këtë stërvitje do të jetë gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet me forcat aleate siç bëjmë prej dekadash tashmë në operacionet dhe misionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Peleshi.

Sipas tij, forcat ushtarake të Republikës së Shqipërisë do të marrin pjesë me rreth 1.000 mijë trupa në komponentë të ndryshëm të stërvitjes.

“Kjo stërvitje do të shërbejë edhe si promovimi më i mirë për forcat e armatosura duke dëshmuar edhe një herë se ushtarakët tanë janë pjesa më vitale e Shqipërisë”, u shpreh më tej ministri Peleshi në fjalën e tij në seancën parlamentare.

Sipas projektligjit që u miratua në Kuvend, stërvitja “Defender Europe 2021” do të zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje do të angazhohen 3.100 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash “Patriot” dhe 1.000 automjete joluftarake.

Në stërvitje do të marrin pjesë forca nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.

Sipas autoriteteve shqiptare, stërvitja do të shtrihet edhe në disa vende të rajonit.

Në projektligj thuhet se gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Shqipërisë, trupat e vendeve aleate shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Projektligji hyn në fuqi pasi të dekretohet edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, 15 ditë nga dita e botimit në “Fletoren Zyrtare”. / AA



Lajme të ngjashme