Komandanti legjendar Adem Jashari u kujtua në 23-vjetorin e rënies

Në Kosovë për tre ditë radhazi është mbajtur manifestimi tradicional “Epopeja e UCK-së me të cilën është kujtuar sakrifica e komandantit legjendar “Adem Jashari” për lirinë e Kosovës.

1597338
Komandanti legjendar Adem Jashari u kujtua në 23-vjetorin e rënies
Kosova_UÇK Komutanı Adem Jashari.jpg
Kosova_UÇK kuruluş yıldönümü kutluma_2.jpg
Kosova_UÇK kuruluş yıldönümü kutluma_6.jpg
Kosova_UÇK kuruluş yıldönümü kutluma_7.jpg
Kosova_UÇK kuruluş yıldönümü kutluma_8.jpg
Kosova_UÇK kuruluş yıldönümü kutluma_3.jpg
Kosova_UÇK kuruluş yıldönümü kutluma_5.jpg
Kosova 18 Mart Çanakkale Zaferi Satranç Turnuvası.jpg

Komandanti legjendar Adem Jashari u kujtua në 23-vjetorin e rënies

Në Kosovë më 5, 6 dhe 7 mars është mbajtur manifestimi tradicional “Epopeja e UCK-së”. Ceremonitë përkujtimore të Epopesë përkojnë me luftën dhe sakrificën e familjes Jashari. Më datën 5 mars të vitit 1998, forca serbe me mjete të blinduara, sulmuan shtëpitë e Jasharajve në Prekaz. Komandanti Legjendarë Adem Jashari dhe e gjithë familja e tij, luftuan përgjatë 3 ditëve, për të rënë heroikisht në altarin e lirisë. Nga luftimet të ashpra me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij u vranë 20 anëtarë, në mesin e tyre 10 fëmijë. Ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit shënojnë kthesën e madhe historike për mbylljen e një kapitulli të vjetër për Kosovën dhe fillimin e një epoke të re, ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtare, e bashkimin e shqiptareve për t’i dhënë fund regjimit serb në Kosovë.

*

“Nata e zjarreve” përmbyllë shënimin e “Epopesë së UCK-së”

Për tre ditë me radhë u mbajtën aktivitete të shumta për të përkujtuar luftën e Jasharajve e të UÇK-së. E në këto ditë, mijëra qytetarë, e politikanë të lartë të Kosovës dhe trevave shqiptare iu drejtuan Prekazit. Shënimi treditor I “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është përmbyllur të dielën me Manifestimin “Nata e Zjarreve”. Në “Natën e Zjarreve” kishte edhe një numër të madh të qytetarëve të cilët kishin ardhur për ta nderuar këtë ngjarje. Në fjalën e tij, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se kënga do të vazhdojë përgjithmonë me vargje për trimat dhe heronjtë që dhanë jetën për lirinë e Kosovës:

Në përmbyllje të manifestimit në Skenderaj është mbajtur edhe koncert me këngë heroike. Ndryshe, pranë të rënëve të luftës së zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për tre ditë qytetarë të shumtë vendosen lule dhe nderuan dëshmorët e kombit. 

Për çdo vit Prekazi kthehet në vend pelegrinazhi ku drejtuesit e institucioneve dhe mijëra qytetarë kryejnë homazhe në nderim të sakrificës së komandantit legjendar  Adem Jashari dhe familjes Jashari.

*

Politikanët urojnë ditën e mësuesit

Ditën e mësuesit, 7 marsin të dielën kanë uruar të gjithë prijësit e institucioneve kosovare dhe të subjekteve politike. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, duke uruar mësimdhënësit për 7 Marsin, ka thënë se përkulet përpara punës së mësuesve e të mësuesve tona, përpara të gjithë atyre që ndriçimin e rrugëtimit të dijes e kanë mision të jetës. Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se  mësimdhënësit janë bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë “e ata që i ndriçuat me mësimet tona janë garancia jonë më premtuese për një të ardhme më të mirë”.

E kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë në Facebook se është mirënjohës dhe falënderues për gjithë kontributin e mësuesve ndër vite, në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të tëra, në kohë dhe rrethana jo gjithnjë të favorshme gjatë historisë tonë.

Kurse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke uruar ditën e mësuesit, ka thënë se mësues special ishte Shaban Jashari sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij, por ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. “Mësuesi vjen menjëherë pas prindit”, ka thënë Kurti.

Nga ana e tij, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka shkruar në Facebook, se Republika e Kosovës, liria dhe pavarësia e saj, nuk do të ishin të mundura pa mësuesit dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm përgjatë historisë.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq, përmes disa vargjeve të poetit Naim Frashërit, ka uruar 7 Marsin. Ndër të tjera, Haradinaj ka thënë se dita e hapjes së shkollës shqipe në Korçë, është një prej momenteve që shënuan kthesën vendimtare në përpjekjet tona për dije, dinjitet dhe rilindje kombëtare.

*

Kritika për gjendjen e arsimit në Kosovë

Dita e Mësuesit në Kosovë nuk është shënuar vetëm me lëvdata, por edhe me kritika për gjendjen e arsimit në vend. Para Ministrisë së Arsimit, është mbajtur një aksion protestues nga OJQ “Global Shejpërs Prishtina”, ku aktivistët në mënyrë simbolike kanë vlerësuar me notë 1 të gjithë ministrat e deritashëm të arsimit, ndërsa u kanë dhënë notat 5 sa i përket nepotizmit.

Avdyl Gashi, organizator i këtij aksioni ka thënë se Kosova radhitet ndër vendet e fundit sa i përket cilësisë në arsim. Gashi këto komente i bëri duke u bazuar në rezultatet e Testit Pisa që radhitin Kosovën si ndër vendet e fundit, si dhe bazuar në të dhënat e organizatave tjera.

*

Server thotë që Ambasada e Kosovës të mos vendoset në Jerusalem

Analisti i njohur i çështjeve ballkanase, Daniel Server ka komentuar marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit. Server, ka dalë kundër që ambasada e Kosovës të vendoset në Jerusalem.

“Unë personalisht preferoj që ambasada të mos vendoset në Jerusalem – gjëja kryesore është njohja nga Izraeli, kjo ia vlen diçka”, tha ai.

Tutje Server ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj ish-emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke e quajtur “budalla”.

Sipas tij, Grenell ndikoi në rrëzimin e qeverisë Kurti.

“Grenell nuk e pëlqen Kurtin sepse ai këmbënguli saktësisht në reciprocitet në marrëdhëniet me Serbinë, megjithëse ai gjithashtu tregoi një farë fleksibiliteti mbi tarifat. Grenell është një budalla. Ai punoi shumë për ta hequr Kurtin nga kryeministria herën e fundit. Kjo e ndihmoi Kurtin të arrijë një fitore të madhe”, tha ai për RTV Dukagjini.

Ish emisari amerikan Richard Grenell, ditët e fundit përmes Tviter, kishte drejtuar kritika të ashpra ndaj kandidatit për kryeministër Albin Kurtin, duke e quajtur anti-amerikan! 

*

Premtim i ri i Hotit: Në mars arrijnë 33 mijë doza të vaksinës

Pasi që premtimi për ardhjen e vaksinave të para në muajin shkurt në Kosovë, nuk u realizua, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka dhënë një premtim tjetër. Hoti tani thotë se gjatë muajit mars pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinave nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Hotit.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinave kundër koronavirusit. Më herët, Qeveria në detyrë e Kosovës, kishte njoftuar se ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane, Pfizer, për sigurimin e mbi 500 mijë dozave të vaksinës. Por ato vakcina nuk erdhën ende. Nga programi i COVAX-it – që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vendet e varfra – Kosova pritet të marrë doza të vaksinës së kompanisë farmaceutike britanike, AstraZeneca.

*

Mbi 200 ankesa kundër rezultatit të zgjedhjeve

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë dërguar 208 ankesa për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kishin afat prej 24 orësh për t’iu drejtuar PZAP-së, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 4 mars.

“PZAP-i lidhur me këto apele do të vendosë brenda afatit ligjor prej 72 orëve”, thuhet në njoftimin e këtij paneli.

Ankesë në PZAP kanë dërguar edhe partitë e komuniteteve jo-serbe, duke kërkuar anulimin e votave që partitë boshnjake dhe rome kanë marrë nga votuesit serbë.

Sipas argumentit të tyre, Lista Serbe, ka ndihmuar dy parti që të fitojnë ulëse në kuvend, atë të komunitetit boshnjak “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Inciativa Rome” nga komuniteti rom.

Nëse kandidatët apo partitë nuk pajtohen me vendimin e PZAP-it, mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme.

Pas trajtimit të të gjitha ankesave në këto dy nivele, KQZ-ja më pas certifikon rezultatin dhe i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.

*

Turne shahu për nder të Fitores së Çanakalasë

Me bashkëpunimin e Kryesisë së delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë dhe Federatës së Shahut të Kosovës u organizua "Turneu i Shahut - 18 Marsi, Fitorja e Çanakkalasë". Në turneun e zhvilluar në Institutin "Yunus Emre" në Prishtinë, morën pjesë 36 lojtarë nga 13 qytete të ndryshme të Kosovës.

Oficeri i bashkëpunimit civilo-ushtarak në Kryesinë e Delegacionit të KFOR-it Turk, Serkan İrtekin foli për rëndësinë e Fitores së Çanakkalasë.

"Lufta më 18 mars 1915 ka rëndësi për Turqinë ashtu sikurse lufta në vitin 1999 për Kosovën. Në këto luftëra shumë njerëz hoqën dorë nga jeta e tyre për të mbrojtur familjet dhe atdheun e tyre", tha İrtekin.

Ai ka shprehur falënderimet për kryetarin e federatës, zyrtarët e saj dhe shahistët për pjesëmarrje në aktivitet.

Kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës, Armend Budima shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Pjesëmarrësit shpërblehen me një certifikatë falënderimi, kuti shahu dhe kupë.

"Dy finalistet femra dhe dy meshkuj do të dërgohen në Turqi në kampin veror ose dimëror", theksoi ai.

Budima vuri në dukje se 18 Marsi është datë e rëndësishme për popullin e Turqisë. Ai nënvizoi se edhe kryesia e delegacionit turk vepron si një urë mes turqve dhe shqiptarëve.

*

Javë me mot të ndryshueshëm

Java e dytë e muajit mars që filloi sot, do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm. Parashihen reshje në formë shiu dhe bore, në viset e ulëta dhe mesatare, ndërsa në viset e larta mbi 1000 m, parashihen reshje bore. Reshje shiu dhe bore parashihet ditën e martë, të mërkurën dhe në fundjavë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet minus 4 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 6 e 12 gradë Celsius.



Lajme të ngjashme