BE kërkon vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd

Bashkimi Europian pret formimin e shpejtë të qeverisë së re dhe fillimin e dialogut.

1588339
BE kërkon vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd
Borrell.1.jpg
Kosova Bağımsızlık 2.jpg
Kosova Bağımsızlık.jpg
Kosova seçimler.jpg
Kosova bayrağı_Guinness_Arbnora Fejza-Idrizi.jpg

BE kërkon vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd

Në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, përmendet dialogu si një nga çështjet për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re.

“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatë.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar 48 për qind të votave. Pas përfundimit të procesit të votimit, Kurti, i cili është i nominuari i LVV-së për kryeministër, la të kuptohet se dialogu nuk është prioritet i qeverisë që ai mëton të udhëheqë. 

Në BE, po ashtu thonë se e kuptojnë se Kosova duhet të përballet me prioritete të tjera po ashtu, sidomos me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, uljen e ndotjes së ambientit si dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor.

Në komunikatën e Borrellit dhe Varhelyit, është përmendur edhe nevoja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës dhe jo vetëm ajo e konstituimit të kuvendit dhe krijimit të qeverisë.

Diplomatët në Bruksel pohojnë se janë në pritje të dëgjojnë edhe nga bashkëbiseduesit nga administrata e Shteteve të Bashkuara, për të kuptuar se çfarë qasje do të kenë ata karshi rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, e në veçanti ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

*

Numërohen të gjitha votat e rregullta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbyllur procesin e publikimit të rezultateve të votave të rregullta për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të mbajtura më 14 shkurt. Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare elektronike të KQZ-së bëjnë të ditur se në 100 për qind të këtyre votave, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të votuesve, apo 47,85 për qind.

Pas saj, në vend të dytë është radhitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,41 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka marrë 13,08 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sipas këtij rezultati, është në vendin e katërt me 7,43 për qind, kurse partitë e tjera shqiptare nuk kanë arritur ta kalojnë pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

Sa i përket partive të komuniteteve jo shumicë, kryeson Lista Serbe me 5,54.

Qendra e Numërimit të Rezultateve (QNR) do të bëjë në vazhdim numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë.

*

Isa Mustafa njofton dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka njoftuar se po largohet nga udhëheqja e këtij subjekti politik.

Nëpërmjet një konference për media, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, dorëheqjen e tij e lidhi me rezultatin e keq, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Mustafa bëri të ditur se tashmë është bërë thirrje që të mblidhet Kuvendi i partisë për të votuar për kreun e ri, ndërsa paralajmëroi se një gjë e tillë do të ndodhë më herët se 60 ditë, sa është afati i përcaktuar në statutin e kësaj partie.

"Ne tani nuk kemi zgjedhur ndonjë ushtrues të detyrës, sepse nuk e kemi bërë atë formale. Por ajo që është reale është se unë do të tërhiqem dhe së shpejti Kuvendi i LDK-së do ta zgjedhë kryetarin e ri", tha ai.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 7 nëntor 2010 në Kuvendin e shtatë zgjedhor të partisë me 235 vota, duke e mundur kundër kandidatin, Fatmir Sejdiu, i cili mori 124 vota.

*

Balje mund të mos jetë më deputete, akuzon Vakat’in

Ish-deputetja nga radhët komunitetit boshnjak dhe liderja e SDU-së Duda Balje ka ironizuar me ish-partinë e saj.

“Tani ne vetëm po presim që Koalicioni Vakat t’ju falënderoj ….Faleminderit Leposavic, Novo Brdo, Ranilug”, ka shkruar Balje në Facebook.

Balje, e cila pritet ta humbë mandatin e saj si deputete, në bazë të votave të numëruara deri më tani, i është referuar 218 votave në Leposaviq, 256 votave në Novobërdë e 209 votave të fituara në Komunën e Ranillugut nga Vakati. Në bazë të statistikave të profilit të Komunave OSBE-së për vitin 2018 në Leposaviq evidentohen 350 boshnjakë, në Novo Bërdë pesë, Ranillug banon vetëm një banor boshnjak. Koalicioni Vakat, ashtu si iniciativa qytetare boshnjake UZ-AH që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhiq dhe ajo rome “Romani Iniciyativa” e Gazmen Salijeviqit kanë marrë vota edhe nëpër vende ku banojnë pak apo aspak pjesëtarë të komunitetit të tyre.

Ata janë akuzuar për bashkëpunim me Listën Serbe, gjë që të trija këto parti e kanë mohuar.

*

48 OJQ të komuniteteve jo-serbe, thonë se nuk i njohin deputetët e zgjedhur

48 Organizata Joqeveritare të komuniteteve jo-serbe, nuk i njohin si përfaqësues të tyre deputetët që nuk kanë dal nga votat e tyre. Në një reagim të përbashkët, ata thonë se po bëhen përpjekje për të uzurpuar vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet me shumicë në Kuvendin e Kosovës.

“Anëtarët e komuniteteve jo-shumicë gëzojnë të drejta të veçanta të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në përputhje me rrethanat vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës përcaktohen qartë përfaqësuesit që e marrin legjitimitetin e tyre nga votat në komunitetin e tyre”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, përpjekja për të uzurpuar vendet boshnjake në Kuvendin e Kosovës me vota nga komunitetet e tjera është një veprim flagrant i shkeljes së dispozitave kushtetuese dhe të drejtës së një populli jo-shumicë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre që do të mbrojnë interesat e tyre.

“Forma primitive e politikës që po përpiqet të instalohet është e papranueshme dhe synon të vërë nën kontroll komunitetin jo-shumicë në mënyrë që të fitojë pushtet politik brenda Kuvendit”, thuhet tutje.

Sipas rezultateve paraprake, partitë politike boshnjake morën 7,000 vota më shumë në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare.

“Një listë që luftoi për një vend të garantuar për boshnjakët mori numrin më të madh të votave në zonat ku nuk ka fare boshnjakë sipas regjistrimit, ose ka shumë pak prej tyre në krahasim me votat e marra”, thuhet më tej.

Këto OJQ kanë bërë thirrje ambasadave të huaja dhe përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë, të reagojnë, pasi po shtrembërohet vullneti i qytetarëve. Po ashtu i kërkojnë kryeministrit të ardhshëm të gjejë një model dhe mekanizma të ri për të mbrojtur komunitetet jo-shumicë nga sulmet e tilla.

*

Kosova kremtoi 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Më 17 shkurt, në Kosovë u festua 13-vjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit. Megjithë situatën e Pandemisë, qytetarë të shumtë kishin dalë nëpër sheshe të qyteteve për ta festuar këtë ditë në mënyrën e tyre. E prijësit e shtetit, përveç që uruan qytetarët për këtë ditë, bën homazhe dhe pranuar urime nga liderët botërorë.

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Presidenca e Kosovës, pas presidentit amerikan, Joe Biden, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani është uruar edhe nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, presidenti gjerman, Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti italian, Sergio Mattarella.

Osmani ka pranuar telegrame urimi edhe nga mbreti i Suedisë, Carl Gustaf R, mbreti i Belgjikës, Philipe Roi des Belges, presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, presidenti kroat, Zoran Milanoviq etj.

*

Presidenti Erdogan ka uruar Kosovën për 13-vjetorin e pavarësisë

Këtë e ka bërë të ditur u.d e presidentit, Vjosa Osmani me anë të një postimi në Twitter.

Osmani e ka falënderuar presidentin Erdogan, duke thënë se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë nga Turqia deri tash. Postimin zonja Osmani e ka bërë në gjuhën angleze, përderisa ka zgjedhur që me fjalën turke “Teşekkürler”, ta falënderojë dhe të shpreh mirënjohje për presidentin Erdogan dhe popullin turk.

“Faleminderit (Teşekkürler) president Erdogan për urimet e tua të përzemërta në këtë përvjetor të pavarësisë sonë. Republika jonë e re është mirënjohëse për mbështetjen e Turqisë. Populli i Kosovës është falënderues për raportin special me popullin e Turqisë”, ka shkruar Vjosa Osmani.

*

Publikohet raporti për "mangësitë e aktakuzave në veprat penale korruptive"

Në aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës si dhe disa aktakuza të prokurorive themelore në Kosovë janë hasur mangësi të mëdha në kuadër të elementeve përmbajtjesore dhe mënyrës së përpilimit të tyre.

Kështu është bërë e ditur në një raport analizues të organizatës joqeveritare "Drejtësia Sot".

Duke prezantuar gjetjet e kësaj analize, Rreze Hoxha-Zhuja, vuri në dukje se në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë analizuar gjithsej 5 aktakuza në të cilat janë vërejtur disa mangësi në elementet e domosdoshme të tyre.

“Këto mangësi kryesisht kanë të bëjnë me mos-përcaktimin e saktë të vlerës së dëmit, pra mungesës së ekspertizës financiare. Pastaj, mungesa e precizimit të palës së dëmtuar si dhe paqartësi në paraqitjen e saktë të veprimeve inkriminuese të të akuzuarve”, theksoi Hoxha-Zhuja.

Sipas raportit, në aktakuzat e analizuara është vënë re edhe mungesa e kualifikimit të saktë të veprës penale, gjë e cila “mund të shkaktojë paqartësi dhe huti juridike në aspektin e saktësisë së veprës penale korruptive”.

*

Kosovarja zyrtarisht në Guinness me flamurin më të madh shtetëror në origami

Kosovarja Arbnora Fejza-Idrizi ka marrë konfirmim nga “Guinness World Records” se mozaiku i punuar nga ajo me letra prej origami me flamurin shtetëror të Kosovës prej 1.216 metra katrorë, është bërë mozaiku më i madh i këtij lloji në botë.

“Me shumë emocione dhe krenari, dua t'ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami - Flamurin e Republikës së Kosovës. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund çdo herë”, shkroi ajo në Facebook.

Deri më tani, rekordin në këtë kategori e ka mbajtur një shkollë në Mongoli, me një punim prej 1.167 metrash katrorë.

Ndryshe, Arbnora, edhe  para dy vitesh kishte arritur një rekord tjetër të Guinnes, duke krijuar vazon më të madhe origami me lule.



Lajme të ngjashme