Mali i Zi – Qeveria e re formohet këtë javë

Së shpejti do të dihet përbërja e Qeverisë së Re të Malit të Zi, ka deklaruar mandatari Zdravko Krivokapiq.

1534020
Mali i Zi – Qeveria e re formohet këtë javë
Karadağ Meclis binası.jpg
Karadağ_boş plajlar_korona.jpg
Karadağ koronavirüs.jpg
Karadağ_koronavirüsten koruma_grafik çalışması.jpg
karadağ.jpg
Karadağ korona durumu.jpeg

Së shpejti do të dihet përbërja e Qeverisë së Re të Malit të Zi

Përbërja e plotë e Qeverisë së re të Malit të Zi do të dihet deri të premten, ka deklaruar mandatari Zdravko Krivokapiq, duke shtuar se ai do të respektojë afatin që tri ditë para fillimit të seancës parlamentare t’i dorëzojë këtij institucioni propozimin e përbërjes së Qeverisë dhe ekspozeun. “Do të respektoj konkluzionin e kolegiumit të kryetarit të Parlamentit dhe tri ditë para fillimit të seancës parlamentare do të paraqes ekspozeun me emrat e të gjithë kandidatëve”, ka theksuar Krivokapiq. Ai u ka deklaruar gazetarëve se për funksionin e ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme aktualisht janë nga tre kandidatë. Ai konsideron se ministri i Punëve të Brendshme është funksioni më i rëndësishëm në Qeverinë e ardhshme të Malit të Zi. Krivokapiq ka theksuar se nënkryetari i Qeverisë do të jetë lideri i Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq.

Vizita e parë e Qeverisë së re të jetë në Bruksel 

Vizita e parë zyrtare e kryeministrit të ri dhe të zëvendësit të tij do të jetë në Bruksel, respektivisht me partnerët e Malit të Zi nga Bashkimi Evropian, ka deklaruar lideri i Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq. Abazoviq në rrjetin Facebook tha se ai dhe mandatari për përbërjen e Qeverisë së re kanë mbajtur një takim pune me Shefen e delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Oana Kristina Popa. Qeveria e re, sipas Krivokapiq, nuk pret obstrukcione lidhur me koncipimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, por bashkëpunim që do të duhej të sjellë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai tha se Mali i Zi për herë të parë përjeton ndryshime demokratike, të cilat krijojnë standard të ri, e ky është bashkëpunimi, tha Krivokapiq. Seanca parlamentare kur mandatari Krivokapiq do të paraqes programin dhe përbërjen e Qeverisë së re është paralajmëruar të mbahet më 2 dhjetor.

Të ardhurat nga turistët e huaj 880 milion euro më pak

Të ardhurat e Malit të Zi nga turistët e huaj nga fillimi i këtij viti e deri në fund të shtatorit kanë qenë 100 milionë euro derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 978 milionë, tregojnë të dhënat më të reja të Bankës Qendrore të Malit të Zi për bilancin e pagesave të jashtme. Të ardhurat nga turistët e huaj janë një nga pikat më të rëndësishme në llogarinë e eksportit të mallrave dhe shërbimeve, që sipas metodologjisë së drejtorisë për statistikë “Monstat”, përbën një të tretën e vlerës së Bruto të prodhimit të brendshëm. Për shkak të zvogëlimit drastik të të ardhurave në degën më të rëndësishme ekonomike, zvogëlimi i përgjithshëm i ekonomisë do të mund të jetë afër shifrës 20%. Kjo do të ndikonte në borxhin publik të shtetit në rreth 100% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Ndërsa të ardhurat e përgjithshme nga investimet e drejtpërdrejta të huaja në nëntë muajt e kaluar në vend kanë qenë 506,8 milionë euro, kurse njëkohësisht nga vendi kanë dalë 161,4 milionë euro, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të Malit të Zi. Siç kumtohet, dallimi mes derdhjes dhe daljes së mjeteve në muajin shtator ka qenë 345,4 milionë euro, që paraqet 52,2 % më shumë se ne periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Viktima dhe raste të reja të infektimit me Covid-19 në Mal të Zi 

Në Mal të Zi në 24 orët e fundit nga pasojat e koronavirusit kanë vdekur 6 persona dhe janë vërtetuar edhe 570 raste të reja të infektimit me këtë virus, u kumtua nga Instituti për Shëndetin Publik. Siç theksohet, nga ky Institut, në 24 orët e fundit janë bërë analizat e 1.953 mostrave, nga të cilat pozitiv janë konstatuar 570 raste. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve që janë të lidhura me Covid-19 nga fillimi i muajit qershor janë 436, ndërsa nga fillimi i vitit 445. Nga Instituti për Shëndetin Publik poashtu është kumtuar së në 24 orët e fundit janë shëruar 540 pacientë. Kështu që numri i përgjithshëm i të sëmurëve me koronavirus në Mal të Zi është 11 mijë e 111, kurse nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara është 32 mijë e 188.

Prej sot ndalimi qarkullimit nga ora 19 deri në ora 5 e mëngjesit

Në Mal të Zi prej sot do të ndalohet dalja nga objektet e banimit nga ora 19 deri në ora 5 e mëngjesit, kurse objektet hotelierike dhe të shërbimeve të tjera do të punojnë me orar të shkurtuar, prej orës 7 të mëngjesit deri në ora 18, ka vendosur Trupi Koordinues Nacional. “Trupi Koordinues Nacional në mbledhjen, të cilën e kryesoi kryetari i këtij trupi, ministri Kenan Hrapoviq, ka vendosur që të shkurtojë për dy orë orarin e punës të objekteve, subjekteve hotelierike dhe të shërbimeve tjera, dhe për aq kohë të zgjatë periudhën e ndalimqarkullimit dhe daljen nga objektet banesore”, u kumtua nga Qeveria. Siç theksohet, këto masa do të zbatohen prej të mërkurës në mesnatë, deri kur edhe shtyhet zbatimi i masave të sjellura më 13 nëntor. “Trupi Koordinues Nacional duke parë situatën epidemiologjike nga njëra anë dhe nga ana tjetër atë ekonomike, edhe kësaj here ka sjellë masa të matura mirë me qëllim që ato në masën më të vogël të mundshme të godasin qytetarët, ekonominë e afaristët, por që ato të japin rezultate të pritura, thuhet në kumtesë. Ky trup i ftoi qytetarët që plotësisht të respektojnë të gjitha masat, sepse siç theksojnë, kjo është e vetmja mënyrë që të pengojmë përhapjen e virusit korona.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme