Krerët e institucioneve në Shqipëri solidarizohen me popullin turk

Krerët e institucioneve në Shqipëri kanë reaguar për tërmetin në Turqi, duke u solidarizuar me popullin turk.

1519141
Krerët e institucioneve në Shqipëri solidarizohen me popullin turk

Krerët e institucioneve në Shqipëri kanë reaguar për tërmetin në Turqi, duke u solidarizuar me popullin turk, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se Shqipëria do t’u qëndrojë pranë vendeve mike. Në rrjetet sociale, Meta shkruan se është "thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit”.

"Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri. Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t'u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore", shkroi presidenti Meta.

“Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq turk dhe grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre", shprehet më tej Meta.

Meta theksoi se "Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj".

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale shkruan: "Trishtim e keqardhje për goditjen nga tërmeti në Turqi e Greqi dhe lutje për viktimat e solidaritet vëllazëror me familjet e tyre".

"Në këtë ditë kaq të zymtë, biseda mes udhëheqësve të dy vendeve një dritë mirësie mes të dy popujve dhe shprese për të nesërmen e vetë Evropës", thekson Rama.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i është drejtuar me telegram kryetarit të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop.

Zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, ka njoftuar se "Pas tërmetit të fortë të ditës së sotme në Egje, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me telegram Kryetarit të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop dhe Kryetarit të Parlamentit të Greqisë, Constantine Tassoulas". 

"Me tronditje mora lajmin për tërmetin shumë të fortë që goditi sot në mesditë Samosin, Izmirin dhe zonat përreth. Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave", ka shkruar Ruçi në telegramin e tij. 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, shkruan më tej se "Jam i bindur se kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë, me të cilët kemi ndarë, ndajmë e do të ndajmë gëzimet dhe pasojat e fatkeqësive".

Në lidhje me tërmetin ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili në rrjetet sociale shkruan: "Thellësisht i trishtuar kur pashë Izmirin të goditur nga tërmeti".

"Mendimet dhe lutjet tona janë me vëllezërit dhe motrat tona në Turqi. Ne po e kalojmë këtë së bashku, zemrat tona janë me Turqinë në këto momente të vështira", shkruan Cakaj.

Fuqia e tërmetit me epiqendër Izmirin ka qenë 6,6 shkallë sipas Rihterit. Deri më tani sipas autoriteteve turke për shkak të tërmetit kanë humbur jetën 6 persona dhe janë lënduar të paktën 200 të tjerë.

Gjithashtu ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili në një reagim në rrjetet sociale shkruan: "Jam i pikëlluar për humbjen e jetëve në tërmetin shkatërrues të sotëm në Turqi dhe Greqi. 

"Lutjet e mia janë me ata që kanë humbur jetën dhe me familjet e tyre. Uroj shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me dy fqinjët dhe aleatët tanë", shkruan Basha.

Siç ka bërë të ditur Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), të paktën 12 persona kanë humbur jetën, si dhe janë lënduar 419 të tjerë si pasojë e tërmetit që ka goditur ujërat e Seferihisar të qytetit Izmir të Turqisë. (AA)

 


Lajme të ngjashme