Maqedonia e Veriut – Osmani prezantoi misionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

"Kemi strategji, e dimë se çfarë po bëjmë. Ne kemi vijat e kuqe të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore. Unë qëndroj i vendosur në mbrojtjen e atyre interesave", tha ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

1493894
Maqedonia e Veriut – Osmani prezantoi misionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, për memorandumin e Bullgarisë deri tek vendet anëtare të BE-së, tha se kanë strategji, e dinë se çfarë po bëjnë dhe kanë vija të kuqe për të mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore.

Ministri Osmani mbajti të shtunën një konferencë tematike për media në të cilën prezantoi misionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) në katër vitet e ardhshme.

Duke theksuar se memorandumi bullgar devijon nga parimet mbi të cilat mbështetet Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, Osmani tha se shpreh keqardhje, sepse qëllimi i Marrëveshjes është krijimi i një kornize dhe instrumentesh për të kapërcyer dallimet midis dy vendeve.

"Kemi strategji, e dimë se çfarë po bëjmë. Ne kemi linjat e kuqe të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore. Unë qëndroj i vendosur në mbrojtjen e atyre interesave", tha Bujar Osmani, duke shtuar se karakteristikat e identitetit nuk janë çështje të mosmarrëveshjes dypalëshe, por çështje që lindin nga e drejta e njerëzve për vetëvendosje dhe vetë-deklarim.

Osmani, duke iu referuar misionit të MPJ-së në 4 vitet e ardhshme, theksoi se përparësia e parë janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat po hyjnë në një fazë të re në zhvillimin tonë të përgjithshëm politik dhe shoqëror.

Ai vuri në dukje se qeveria planifikon të hapë 6 kalime të reja kufitare me fqinjët e saj. Osmani shtoi gjithashtu se do të formohen zyra për bashkëpunim rinor midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të cilat do të mundësojnë shkëmbimin e përvojave dhe lidhjen e të rinjve nga të dyja vendet.

Shefi i diplomacisë rikujtoi se brenda organizatave shumëpalëshe, të tilla si Kombet e Bashkuara (OKB), OSBE, Këshilli i Evropës, UNESCO, në trajtimin e sfidave globale, Maqedonia e Veriut do të paraqesë përvojat e veta pozitive, veçanërisht modelin e marrëdhënieve ndëretnike dhe fqinjësinë e mirë.

"Nëse deri më tani kemi qenë vetëm importues të stabilitetit, tani e tutje duhet të tregojmë se mund të jemi edhe eksportues të stabilitetit politik", shtoi Osmani.

Në memorandum thuhet se vendet kandidate nuk duhet të sjellin mosmarrëveshje të hapura në BE dhe konsiderohet se mosmarrëveshjet me Shkupin paraqesin një konflikt të pazgjidhur që "mund të ndikojë negativisht gjatë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në marrjen e vendimeve të BE-së".

Autoritetet bullgare i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje të qëndrueshme me vullnet dhe guxim të sinqertë politik dhe siç thuhet në memorandum, të shkëputet nga trashëgimia ideologjike e Jugosllavisë komuniste.

Sa i përket gjuhës maqedonase, Bullgaria në memorandumin e ndarë me vendet anëtare të BE-së thekson se "gjuha apo identiteti maqedonas nuk ekzistonin deri më 2 gusht 1944", dhe se ato u krijuan me qëllim që të ndahen marrëdhëniet midis popujve në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgari. Sofja konsideron se gjuha maqedonase është dialekt rajonal i gjuhës bullgare. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme