Hapen shkollat në Kosovë

Ministria e Arsimit ua ka shpërndarë shkollave gjysmë milioni maska dhe bartja e tyre është obligative, sipas vendimit që e kanë marrë MASHT-i dhe komunat, mësimi do të nisë në dy faza.

1490439
Hapen shkollat në Kosovë
Kosova-da okullar açıldı_14_09_2020.jpg
Kosova Özel Savcılık Ofisi_Lahey_1.jpg
Avdullah Hoti_Beyaz Sarya_Sırbistan-la anlaşma_imza.jpg
Erdoğan_Thaçi-Vuçiç ile telefonla görüştü.jpg
Kosova Başbakanı_Avdullah Hoti_açıklama.jpg
Avdullah Hoti_Beyaz Sarya_Sırbistan-la anlaşma_imza2.jpg

Hapen shkollat në Kosovë

Të hënën më 14 shtator në Kosovë u hapen shumica e shkollave, pas shtyrjes së 1 shtatorit për shkak të pandemisë Covid 19. Përjashtim bëjnë një numër i vogël i shkollave që janë vonuar me përgatitje infrastrukturore. Ministria e Arsimit ua ka shpërndarë shkollave gjysmë milioni maska dhe bartja e tyre është obligative. Sipas vendimit që e kanë marrë MASHT-i dhe komunat, mësimi do të nisë në dy faza.

Më 14 shtator filloi mësimin në klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10’të. Për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca.

Kurse faza e dytë e mësimit do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7,8 e 9 të arsimit të mesëm të ulët dhe klasat 11 e 12 të arsimit të mesëm të lartë.

*

Ministri i Arsimit uron nxënësit

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai tha se vendimi për të shpallur fillimin e vitit shkollor ka qenë më i vështiri në karrierën e tij, duke pasur parasysh situatën me COVID-19”. Pas një takimi me drejtues të institucioneve relevante, Likaj para mediave poashtu theksoi se institucioni që ai e drejton tash e disa muaj ka bërë përgatitjet.

“Kemi vendosur që ora e parë t’i kushtohet pandemisë, dhe një orë në javë t’i kushtohet informatava të reja për pandeminë. Të gjithë pjesëmarrësit në shkollë janë të obliguar të bartin maskë, janë shpërndarë gjysmë milioni maska për të gjitha shkollat. 300 mësimdhënës me probleme do të jenë jashtë procesit mësimor dhe do të mbulohen me paga si dhe 100 punëtorë teknikë”, tha ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani theksoi se rikthimi nën kontroll i situatës epidemiologjike në vend, është një ndër parakushtet për organizimin e jetës në shkollë, ndërsa theksoi rëndësinë e respektimit të tri rregullave themelore: mbajtja e maskës, distancës dhe higjienës.
Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, u shpreh se angazhimi i përbashkët i të gjitha institucioneve relevante, përfshirë ato të arsimit dhe shëndetësisë, po jep rezultate.

*

Qeveria e Kosovës, ajo e SHBA-së dhe Serbisë nominohen për Çmimin Nobel për Paqe 

Qeveria e Kosovës, ajo e Shteteve të Bashkuara dhe e Serbisë janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.

Nominimi është bërë nga ana e deputetit të Parlamentit të Suedisë, nga radhët e Partisë Demokristiane, Magnus Jakobson.

"Unë kam nominuar Qeverinë e SHBA-së dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për Çmimin Nobel për Paqe, për punën e tyre të përbashkët për paqen dhe zhvillimin ekonomik, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Tregtia dhe komunikimet janë aspekte të rëndësishme në ndërtimin e paqes", ka thënë Jakobson përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Këtë postim e ka shpërndarë i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, RichardGrenell.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e falënderoi deputetin suedez për nominimin.

"Jashtëzakonisht falënderues ndaj deputetit të Parlamentit të Suedisë, nga radhët e Partisë Demokristiane, Magnus Jakobson", ka shkruar Hoti në Twitter.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, AleksandarVuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Presidenti Trump e ka cilësuar si historike këtë marrëveshje.

*

Qeveria e Kosovës do të përgatisë plan veprimi për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, paraqet një "hap të madh drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, që duhet të përfundojë me njohje reciproke".

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të mbajtur të mërkurën, Hoti shtjelloi dy aspektet kyçe të marrëveshjes: atë ekonomik dhe politik.

"E para është pjesa ekonomike, janë projektet infrastrukturore, të dizajnuara kryesisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Ekonomisë dhe Ambientit, që në total shkojnë në një miliard dollarë investime, e që përfshijnë: autostradën Prishtinë-Merdare, hekurudhën Prishtinë-Merdare, studimin e fizibilitetit për hekurudhën që e lidh Prishtinën me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, termocentrale me gaz dhe rrjetin e shpërndarjes së gazit në Kosovë", tha Hoti.

Sipas tij, këto projekte do të mbështeten nga Korporata Ndërkombëtare Financiare Zhvillimore e Shteteve të Bashkuara (DFC) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Gjatë kësaj jave, sipas tij, do të përgatitet një plan veprimi për detyrat e institucioneve të Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri Hoti tha se pika kryesore e pjesës politike të marrëveshjes është njohja nga shteti i Izraelit.

"Kjo marrëveshje e forcon sovranitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare", tha Hoti, duke shtuar se gjatë bisedës telefonike që ka pasur nga Shtëpia e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, atij i është konfirmuar njohja nga ana e Izraelit.

*

Presidenti Erdoğan bisedoi me presidentin Thaçi 

Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin kosovar, Hashim Thaçi.

Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e Presidencës turke në Twitter.

Po ashtu aty u njoftua edhe një bisedë kreu i shtetit turk e ka pasur edhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

“Janë diskutuar zhvillimet rajonale dhe hapat që synojnë forcimin e marrëdhënieve Turqi-Kosovë dhe Turqi-Serbi. Presidenti Erdogan u pajtua me Presidentin Thaçi dhe Presidenti Vuçiq për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konsultave për çështje bilaterale dhe regjionale”.

*

Stoltenberg thotë se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhje në Ballkanin Perëndimor

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur bisedimet mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se dialogu “është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”.

Stoltenberg i bëri këto komente në një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, në selinë e NATO-s në Bruksel.

Dy zyrtarët diskutuan edhe për marrëveshjen e Uashingtonit, , thuhet në një komunikatë të lëshuar nga NATO-ja.

Stoltenberg po ashtu citohet të ketë thënë se NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përmes forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, e cila numëron 3,500 pjesëtarë.

“Mandati i KFOR-it mbetet i pandryshuar: të mbajë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999”, tha Stoltenberg.

Hoti, në anën tjetër, tha se prania e KFOR-it në Kosovë “është e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore”.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e tij për Komunikim Publik, Hoti po ashtu theksoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, ndërsa ftoi Stoltenbergun që të vizitojë Kosovën “sa më parë që t’i jepet rasti”.

*

Hoti kërkon që të raportojë në Kuvend për marrëveshjen e Uashingtonit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar t’i mundësohet që, në njërën nga seancat e ardhshme, të raportojë në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Përmes një letre drejtuar kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Hoti shkruan se “më 4 shtator 2020, në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, është arritur një marrëveshje e rëndësishme për vendin tonë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri thotë se marrëveshja është hap i rëndësishëm “drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve”.

*

Për 100 ditë qeverisje, Kosova doli nga izolimi, thotë Hoti

Kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se në 100 ditët e para të qeverisë që udhëheqë ai, Kosova ka dalë nga izolimi.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se Kosova tashmë është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, në Bruksel dhe në selinë e NATO-s.

“Pas një devijimi disavjeçar, e kemi kthyer Kosovën prapë në rrugën e integrimit euro-atlantik. E gjithë kjo është arritur pa shpenzuar miliona për lobim, por me përkrahjen e miqve, duke i bindur se kjo qeveri është serioze karshi zotimeve të veta, me vendimmarrje bazuar në ligje dhe Kushtetutë, e jo interesa parapolitike”, ka shkruar Hoti.

*

Haga po e heton çështjen e dokumenteve, thotë Prokuroria Speciale e Kosovës

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë "është duke e hetuar çështjen rreth dërgimit të dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së", thotë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Më 7 shtator, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një konference, pretendoi se ka mbi 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale, pasi i ato ishin dorëzuar në mënyrë anonime zyrës së kësaj organizate.

Veteranët thanë se në këto dokumente janë emrat dhe adresat e dëshmitarëve dhe personave të tjerë më të cilët kanë bashkëpunuar hetuesit e Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale.

Ndërkohë të premten Prokuroria Speciale e Kosovës ka rikujtuar se "zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të jetë e dënueshme me dënim me burgim".



Lajme të ngjashme