Ambasadat e Turqisë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë mesazhe me rastin e 30 Gushtit

Ambasadat e Turqisë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kanë publikuar mesazhe urimi me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores, që shënon triumfin e Turqisë ndaj forcave greke në Betejën e Dumlupınar-it në vitin 1922, si pjesë e Luftës për Pavarësi.

1481561
Ambasadat e Turqisë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë mesazhe me rastin e 30 Gushtit

Ambasadat e Turqisë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kanë publikuar mesazhe urimi me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores, që shënon triumfin e Turqisë ndaj forcave greke në Betejën e Dumlupınar-it në vitin 1922, si pjesë e Luftës për Pavarësi në fillim të shekullit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me krenari shënojmë 30 Gushtin, Ditën e Fitores, në 98-vjetorin e Betejës së Komandës së Përgjithshme (Dumlupınar), e cila është një epope e madhe në të cilën vullneti i kombit turk për të mbrojtur atdheun dhe pavarësinë e tij është gdhendur në faqet e historisë me shkronja të arta”, thuhet në një mesazh të firmosur nga ambasadori turk në Shkup Hasan Mehmet Sekizkök, të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës në Facebook.

“Kujtoj me mëshirë dhe mirënjohje Mustafa Kemal Ataturk, i cili i dha Fitoren e Madhe kombit turk, bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë heronjtë e kësaj Fitoreje. Gëzuar Ditën e Fitores”, ka thënë Sekizkök.

Ndërkaq, në mesazhin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë thuhet: “Me rastin e 98-vjetorit të ditës sonë të Fitores më 30 Gusht, përkujtojmë me respekt, mirënjohje dhe mëshirë dëshmorët tanë heroikë që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun, veçanërisht themeluesin e Republikës sonë Gazi Mustafa Kemal Ataturkun dhe bashkëluftëtarët e tij heroikë. U bekofshin shpirtrat e tyre. Gëzuar Ditën e Fitores 30 Gusht!”.

Po ashtu, Ambasada e Turqisë në Prishtinë ka shkruar në Facebook se “Me shumë entuziazëm dhe krenari jemi duke festuar 98-vjetorin e Fitores sonë të Madhe, të cilën e korri Kombi i Madh dhe ushtria heroike turke nën udhëheqjen e Komandantit të Përgjithshëm Gazi Mustafa Kemal Ataturk”.

Në mesazhin e urimit gjithashtu theksohet se Ataturku dhe shokët e tij të luftës, me gjithë kushtet e vështira dhe varfërinë, kurorëzuan me sukses luftën që bënë me sakrifica dhe vendosmëri të madhe në ofensivën e madhe më 30 gusht 1922 dhe ia dhuruan vendit pavarësinë.

“Ashtu si ushtria heroike turke veproi me vendosmëri për të mbrojtur atdheun dhe kombin e saj në kohët më të vështira me traditat e saj të rrënjosura thellë, vlerat kombëtare, shpirtërore dhe profesionale që burojnë nga historia jonë e lavdishme e mijëra viteve, sot, me të njëjtën vendosmëri mundësitë dhe aftësitë e saj bazuar në industrinë tonë të mbrojtjes vendore dhe kombëtare, dhe cilësitë e saj superiore vazhdon të kontribuojë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë si një forcë efektive, parandaluese dhe e respektuar me personelin e saj të talentuar”, shtoi ambasada turke në Prishtinë.

Ambasada po ashtu theksoi se është kënaqësi i e veçantë që këtë ditë e festojnë në një vend mik dhe vëllazëror si Kosova, me të cilën Turqia ka lidhje historike dhe kulturore.

“Ashtu sikurse në shumë vende, ushtarët tanë heroikë vazhdojnë edhe në Kosovë punën për paqe dhe stabilitet së bashku me aleatët e NATO-s dhe në kuadër të KFOR-it, ndërsa vazhdon mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës në baza dypalëshe”, theksoi Ambasada e Turqisë. (AA)

 


Lajme të ngjashme