Mali i Zi i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit

Sipas Komisionit Zgjedhor të Shtetit të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 540 mijë e 26 zgjedhës.

1479628
Mali i Zi i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit
Karadağ sınır kapısı_korona kontrol.jpg
Jaroslav Nagj-Predrag Bopshkoviq.png
Karadağ_Malesi Kitap Fuarı.jpeg

Të dielën më 30 gusht në Mal të Zi zhvillohen zgjedhjet parlamentare

Në Mal të Zi me 30 gusht do të mbahen zgjedhjet parlamentare respektivisht edhe ato lokale në disa qytete. Ndërkohë në përfundim e sipër janë aktivitetet teknike dhe siç njoftojnë nga Komisioni Zgjedhor i Shtetit janë  përgatitur listat zgjedhore në gjuhën zyrtare dhe në gjuhën e pakicave. Sipas Komisionit të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 540 mijë e 26 zgjedhës. Ajo çfarë vërehet gjatë këtyre ditëve janë fërkimet mes forcave politike promalazeze dhe atyre proserbe. Sipas njohësve të situatave politike në këto zgjedhje partitë e pakicave do të kenë rolin vendimtar për formimin e shumicës parlamentare. Sa i përket shqiptarëve në Mal të Zi ata do të dalin në zgjedhjet e 30 gushtit me dy koalicione. Liderët e tyre gjatë tërë këtyre ditëve janë duke vizituar trojet e banuara me shqiptarë dhe janë në komunikim të drejtpërdrejtë me elektoratin. Ka paralajmërime dhe tashmë kanë filluar të mbërrijnë mërgimtarët shqiptarë, të cilët me votën e tyre do t’u japin përkrahje subjekteve politike shqiptare.  

Nuhoxhiq: Nuk do të lejojmë prishjen e rendit publik

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiq ka shprehur besimin se shoqëria malazeze është një shoqëri demokratike e përgjegjshme dhe e pjekur dhe dita e zgjedhjeve do të kalojë pa incidente, përmes respektimit të masave për pengimin e përhapjes së virusit Covid-19. Sipas tij, nëse do të ketë situata të veçuara të incidenteve, gjithsesi ato nuk do ta rrezikojnë procesin zgjedhor. Mali i Zi ka institucione të forta, të cilat janë të afta dhe të vendosura të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe në pajtim me autorizimet ligjore nuk do të lejojnë asnjë prishje të rendit dhe qetësisë publike gjatë ditës së zgjedhjeve por as pas kësaj dite”, ka deklaruar ministri Nuhoxhiq. Ai ka theksuar se në nivelin e Ministrisë së Brendshme është formuar një ekip, i cili e ka për detyrë të përcjellë, orientojë dhe organizojë realizimin e detyrimeve të parapara me ligjin zgjedhor. “Të gjitha obligimet nga kompetencat tona i kemi realizuar brenda afateve të parapara dhe në këtë mënyrë kemi dhënë kontribut që dita zgjedhore të kalojë ashtu siç duhet. Po ashtu të gjithë nëpunësit e Ministrisë janë të njoftuar me rekomandimet teknike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për mbajtjen e zgjedhjeve me qëllim të mbrojtjes epidemiologjike të votuesve”, ka theksuar Nuhoxhiq. Ai edhe njëherë ka përsëritur se regjistri zgjedhor është hartuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare me një shkallë të lartë të përditësimit, rregullsisë dhe saktësisë të dhënave.

Procesi zgjedhor të jetë korrekt, pa përzierje të palëve të treta

Në Mal të Zi qëndroi për një vizitë pune ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë Jaroslav Nagj. Ai u takua me personalitet më të larta të vendit. Në takim me homologun malazez Predrag Bopshkoviq, ky i fundit citohet të ketë thënë se procesi zgjedhor në Mal të Zi duhet të kalojë i ndershëm dhe korrekt, pa përzierjen e palëve të treta. Boshkoviq ka theksuar se në vitin 2016 ka pasur përzierje të palëve të treta në çështjet e brendshme të Malit të Zi dhe se këto tendenca vazhdojnë të ekzistojnë, mirëpo, Mali i Zi ka institucione të cilat në mënyrë cilësore mund tu përgjigjen sfidave të tilla. “Është me rëndësi të madhe që procesi zgjedhor të kalojë korrekt dhe i drejtë pa përzierjen e palëve të treta,  me qëllim që të tregohet vullneti i qytetarëve në Mal të Zi”, ka deklaruar Boshkoviq pas takimit me kolegun sllovak, Jarosllav Nagj. Boshkoviq ka shtuar se vizitën e Nagj e përjeton si vërtetim të miqësisë së sinqertë ndërmjet Sllovakisë dhe Malit të Zi dhe vërtetimi i veprimit të këtij shteti për Malin e Zi gjatë 14 viteve të kaluara por edhe më parë. Vizita e Nagj, siç ka shtuar, është sinjal i mirë për hapat që pasojnë dhe kjo është anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Edhe 66 të infektuar me koronavirus 

Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik deri dje në ora 17 kanë përfunduar analizën PCR testeve të 540 mostrave me koronavirusin e ri dhe në mesin e tyre janë konfirmuar 66 raste të infektimit. Deri dje në ora 17 janë shënuar tre raste vdekjeje. Përndryshe, numri i përgjithshëm i rasteve fatale nga Covid-19, nga fillimi i muajit qershor është 75, kurse prej fillimit të vitit 84 persona. Ndërkohë, siç është kumtuar është konfirmuar edhe shërimi i 60 pacientëve. Në Mal të Zi numri i përgjithshëm i rasteve aktive të prekur nga Covid-19 aktualisht është 877 individë. Prej fillimit të vitit numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me virusin korona është 4.378 persona .

Udhëtarët në masën më të madhe janë kthyer mbrapa për shkak të testeve joadekuate

Mali i Zi zhvillon kontrolle të rrepta kufitare për të penguar kalimin e kufirit me teste te dyshimta. Ndihmësdrejtorja e Drejtorisë për Punët e Inspeksionit të Malit të Zi, Vishnja Orban ka deklaruar se më së tepërmi udhëtarë janë kthyer mbrapsht në vendkalimet kufitare për shkak të testeve joadekuate. Kjo, siç ka theksuar ajo, ka ndodhur gjatë ditëve të para pas hapjes së kufijve, kurse më pas udhëtarët kanë arritur me teste të rregullta dhe të cilat kanë qenë të domosdoshme për hyrje në Mal të Zi. “Kur është fjala për udhëtarët pozitiv në Covid-19, për çdo dyshim është ftuar edhe epidemiologu, ka shtuar ajo.

Kemi shans që t’i përmirësojmë rezultatet në turizëm

Kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Vllastimir Golluboviq ka deklaruar se është e vështirë të vlerësohet se si do të jenë rezultatet turistike, por edhe në degët tjera të ekonomisë vendore në rrethanat aktuale të krijuara nga pandemia e koronavirusit. Ai ka theksuar se në rast të stabilizimit të situatës epidemiologjike në vend dhe në rajon në përgjithësi, ekzistojnë gjasa të mira për përmirësimin e rezultateve në sektorin e turizmit. Ai konsideron se të gjitha masat, në veçanti masat e fundit që kanë të bëjnë me hapjen e kufijve kanë dhënë rezultate. Edhe pse pritej një sezon i suksesshëm turistik në muajin qershor dhe korrik kjo megjithatë nuk është realizuar për shkak të pandemisë. “Megjithatë tani kemi një situatë tjetër. Hotelet janë të plotësuara mjaftë mirë edhe pse numri i turistëve nuk është as për afërsisht sa në vitin e kaluar, por për momentin është mjaft i mirë. Nëse situata epidemiologjike do të përmirësohet presim se do të kemi një pas sezon të mirë turistike”, ka theksuar Golluboviq. Hapja e kufijve me Rusinë, Bjellorusinë, Ukrainën dhe Serbinë si dhe me vendet tjera të rajonit do të japin rezultate relativisht të mira, ka theksuar Golluvoviq.

Për herë të parë në Malësi, organizohet Panairi i Librit.

Për të gjithë adhuruesit e librit Sekretariati i vetëqeverisjes lokale i Komunës së Tuzit organizon Panairin e parë të Librit, i cili mbahet në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi”. Panairi do të mbahet në qendër të Tuzit dhe do të zgjasë tri ditë, ku datat e parapara janë 26, 27 dhe 28 gusht. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9 deri në orën 12 dhe nga ora 18 deri në orën 22, kurse sot më 26 gusht do të bëhet hapja solemne e panairit nga kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme