Turqi-Shqipëri, nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e banesave pas tërmetit

Ministrat Kurum dhe Ahmetaj nënshkruan "Marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e banesave pas katastrofës".

1447620
Turqi-Shqipëri, nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e banesave pas tërmetit

Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit të Republikës së Turqisë, Murat Kurum dhe ministri i Shtetit për Rindërtim i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, kanë nënshkruar "Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Banesave pas Katastrofës", e cila përfshin ndërtimet në qytetin e Laçit të 522 banesave, 37 njësive tregtare dhe parkingut të mbyllur me kapacitet për 375 automjete.

Ministri Kurum dhe ministri Ahmetaj zhvilluan një bisedë nëpërmjet videokonferencës. Kurum bëri të ditur se këtë bisedë e zhvilluan për të nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për banesat pas tërmetit, të cilat do të ndërtohen me udhëzimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në Shqipërinë miqësore e vëllazërore.

"Në të vërtetë kishim planifikuar që të takoheshim shumë më parë. Por për shkak të COVID-19, që ka vendosur nën ndikimin e tij të gjithë botën, takimin po e kryejmë sot nëpërmjet video konferencës. Që nga tani lidhur me projektin që do të zhvillojmë, ju uroj që të jetë një projekt i dobishëm për miqësinë Turqi-Shqipëri dhe për vëllezërit e prekur nga tërmeti", tha Kurum.

“Me detyrën vëllazërore, jo vetëm në pikën e projekteve për banesat, Turqia ndodhet gjithmonë, në çdo fushë pranë popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë”, theksoi ai duke rikujtuar se menjëherë pas tërmetit në nëntor 2019 shteti turk është përpjekur të ndihmojë shtetasit e Shqipërisë me ekipet e kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore.

Pasi ka shpjeguar se në këtë kuadër kanë marrë pjesë në punimet e përcaktimit të dëmeve për ndërtesat publike, banesat në Tiranë dhe Durrës, ministri Kurum ka shprehur ngushëllimet për Republikën e Shqipërisë, me urimin që Allahu të mëshirojë personat që humbën jetën në tërmet.

"Sot, me Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Banesave pas Katastrofës, përfshihen ndërtimet në qytetin e Laçit të 522 banesave, 37 njësive tregtare dhe parkingut të mbyllur me kapacitet për 375 automjete. Me këtë marrëveshje kemi filluar zyrtarisht këtë proces. Projektet e ndërtesave i kemi përgatitur të përshtatshme me arkitekturën lokale të Shqipërisë dhe me zakonet e përdorimit të banesave të vëllezërve tanë në Shqipëri", theksoi ministri turk.

Kurum tha se sot kanë zhvilluar seancën e fundit të tenderimit dhe se me dorëzimin e territorit do të fillojnë në mënyrë të shpejtë ndërtimet.

Përvoja teknike dhe praktike e TOKI-t do të zbatohet me sukses edhe në Shqipëri 

"Procesi i ndërtimit të banesave zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor (TOKI)", tha Kurum, i cili ka vënë në dukje se TOKI është institucioni më i rëndësishëm publik i Turqisë në ndërtimin e banesave.

"Në Turqi ka realizuar me sukses ndërtimin e mbi 1 milion seksioneve të pavarura, prej të cilave 940 mijë janë zona banimi", saktësoi ai. 

Ministri Kurum shtoi se pas fatkeqësive natyrore jashtë Turqisë, TOKI ka kryer ndërtime të banesave, spitaleve, shkollave dhe ndërtesave për shërbimet publike me qëllim ndihmën humanitare në Indonezi, Sri-Lankë, Pakistan dhe Somali. 

“Këtë përvojë teknike dhe praktikë zbatimi të TOKI-t do ta vendosim në zbatim me sukses edhe në Shqipëri”, potencoi Kurum. 

"Shpresojmë që sa më shpejt të kryejmë ceremonitë e dorëzimit të banesave me pjesëmarrjen e presidentëve Recep Tayyip Erdogan dhe Ilir Meta, si dhe Kryeministrit Edi Rama. Shpresoj që ky bashkëpunim me Shqipërinë do të kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve. Që nga tani uroj që këto streha të reja që do ndërtojmë, të jenë të dobishme. Shpreh falënderimet e mia për presidentit tonë, autoritetet shqiptare dhe Ambasadën tonë në Tiranë, të cilët kanë kontribuuar shumë në formimin e kësaj marrëveshjeje. Zemrat e popullit shqiptar dhe popullit turk janë dhe rrahin gjithmonë bashkë. Dhe kështu vazhdojnë të jenë", shtoi Kurum. 

Ndërsa ministri Ahmetaj ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin që do të kryejnë. 

Pas fjalimeve, dy ministrat nënshkruan "Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Banesave pas Katastrofës". 

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara mijëra njerëz. / AA



Lajme të ngjashme