Akuzat kundër Presidentit Thaçi dhe dhe ish-Kryeparlamentarit Veseli ndryshojnë dinamikën e agjendës

Presidenti Thaçi anuloi udhëtimin e tij drejtë SHBA-së, e më pas edhe Kryeministri Hoti njoftoi se nuk do të merrte pjesë në bisedimet me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

1444749
Akuzat kundër Presidentit Thaçi dhe dhe ish-Kryeparlamentarit Veseli ndryshojnë dinamikën e agjendës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur konferencë për media ku ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe vizitën e tij në Bruksel ku është takuar me udhëheqës të institucioneve të Bashkimit Evropian (BE).

Duke folur rreth aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë mbi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeministri Hoti tha se një gjë e tillë e ka ndërruar dinamikën e agjendës së qeverisë, megjithëse theksoi se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është arritja më e madhe e organizimit kombëtar për të fituar lirinë dhe pavarësinë.

Sipas tij, “akti i shpalljes së pavarësisë së njohur ndërkombëtarisht e legjitimon luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”. Në një situatë të tillë Hoti tha se institucionet e vendit duhet të tregojnë maturi.

“Duhet të pajtohemi të gjithë ta respektojmë në plotësi parimin e drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa nuk ka vendim përfundimtar nga një gjykatë kompetente. Dhe e treta, që unë jam i bindur që të gjitha institucionet do të tregojnë maturi në këtë situatë të re të krijuar sikurse kemi treguar maturi në të kaluarën për të respektuar plotësisht obligimet tona kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet tona ndërkombëtare që i kemi si shtet”, theksoi Hoti.

Duke folur rreth vizitës së tij në Bruksel më 25 qershor dhe takimeve me udhëheqës të institucioneve të BE-së, Hoti tha se ka diskutuar për liberalizimin e vizave, koronavirusin dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Ai tha se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë dhe është në interes të Kosovës që ky proces të mbyllet sa më shpejtë.

“Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe te zyrtarët e lartë të BE-së dhe e njëjta gjë na është kërkuar edhe nga ata zyrtarë. Është me interes të shtetit të Kosovës që ky proces të mbyllet sa më shpejtë, duke qenë se ka interesim të madh nga vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-ja”, theksoi Hoti.

I pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se ka pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, ndërsa janë dakorduar që ta shtyjnë takimin e parashikuar më 27 qershor në Washington për një datë tjetër “e cila duhet të ndodhë së shpejti”.

Sa i përket agjendës së këtij takimi, ai tha se “do të mbetet e njëjta”.

Takimi në Washington ishte paraparë të mbahej më 27 qershor midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, por u anulua pasi më 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë, ku Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Një gjë e tillë bëri që Presidenti Thaçi fillimisht ta anulonte udhëtimin e tij drejtë SHBA-së, e më pas edhe Kryeministri Hoti njoftoi se nuk do të merrte pjesë. (AA)



Lajme të ngjashme