Policia greke dërgon me forcë azilkërkuesit në Turqi

Raportohet se policia greke i detyron azilkërkuesit të shkojnë në Turqi dhe i dëbon ata me procedura të paligjshme duke përfituar nga pandemia e llojit të ri të koronavirusit (Covid-19).

1421345
Policia greke dërgon me forcë azilkërkuesit në Turqi

Gazeta “Wall Street Journal” ka bërë një lajm special duke u mbështetur në pohimet e emigrantëve, avokatëve dhe aktivistëve që mbrojnë të drejtat e njeriut. Në këtë lajm të saj gazeta amerikane thotë se policia greke i ka ashpërsuar masat kundër migracionitdhe emigrantët që kërkojnë azil në Greqi i grumbullon dhe i dërgon me forcë drejt Turqisë.

Rastet e dokumentuara nga Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare zbulojnë se të paktën 250 azilkërkues janë dëbuar me forcë nga Greqia që nga fundi i marsit.

Simon Campbell, Koordinatori në Terren i Rrjetit të Monitorit të Dhunës Kufitare, një OJQ që dokumenton rastet e deportimit të emigrantëve nga vendet evropiane, beson se numri i vërtetë është shumë më i lartë, pasi shumë emigrantë që janë rikthyer në Turqi nuk flasin.

Kurse Dimitris Koros, avokat i Këshillit Grek për Refugjatët bën këtë vlerësim:

"Ky nuk është një akt deportimi, kemi të bëjmë me një prapësim të paligjshëm. Sipas Konventës së Gjenevës dhe legjislacionit grek akti është jashtëligjshëm”.

Koros nënvizon se për të bërë ankim ligjor në gjykatat greke dhe evropiane kanë mbledhur deklaratat e 10 emigrantëve që janë dërguar me forcë në të kaluarën e afërt. Shumica e atyre që janë dëbuar me forcë janë emigrantë të ardhur nga Afganistani, Pakistani dhe Afrika e Veriut, dhe disa nga Siria dhe Iraku, sqaron më tej avokati.

Duke theksuar se policia greke ka vënë në shënjestër refugjatë dhe emigrantë që nuk kanë aplikuar zyrtarisht për azil, Koros shprehet se personat që kanë dokumente të rregullta, ata që janë lejuar të qëndrojnë në Greqi për një muaj dhe që e kanë shprehur qëllimin e tyre të azilit konsiderohen azilkërkues sipas legjislacionit grek dhe këta persona nuk mund të deportohen legalisht pa një procedurë ligjore.

Sipas informacioneve që Këshilli i Refugjatëve në Greqi ka siguruar nga emigrantët, policia greke jo vetëm emigrantët që qëndrojnë nëpër kampe, por edhe ata që janë në qendra paraburgimi i dërgon në kufirin e Turqisë duke u premtuar atyre lirinë.

 


Lajme të ngjashme