Shqipëri – Shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut

Në Shqipëri, me rastin e 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, drejtuesit e lartë të vendit kanë bërë homazhe dhe vendosur kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.

1411397
Shqipëri – Shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut
Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Edi Rama Arnavutluk Şehitler Günü.jpg

Një ceremoni zyrtare është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku të pranishëm ishin Presidenti i Shqipërisë - Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit - Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama.

Meta, Ruçi dhe Rama vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” duke nderuar kujtimin e të gjithë dëshmorëve të vendit.

Për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), në ceremoninë në Tiranë nuk ishin të pranishëm familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.

Me rastin e kësaj dite, politikanë dhe zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre në nder të Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.

Presidenti Meta, në një prononcim për mediat pas ceremonisë, tha se “kjo është dita e heronjve, dita e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë”.

Kryeparlamentari Ruçi, sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, në mesazhin e tij thekson se “Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit”.

Ndërkohë, ceremoni përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve të Atdheut janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit.

Institucionet qendrore dhe vendore, organizatat e shoqërisë civile, si dhe organizatat e dëshmorëve në Shqipëri organizojnë çdo vit ceremoni përkujtimore me rastin e 5 Majit.

Sipas Ligjit për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, dita përkujtimore e dëshmorëve është 5 Maji dhe kjo ditë përkujton të gjithë dëshmorët në Shqipëri. / AA



Lajme të ngjashme