Bullgari – Prezantohen bursat për studime pasuniversitare në Turqi

Abdullah Eren, drejtori i Departamentit të Turqve Jashtë Shtetit dhe Komuniteteve të Afrishme (YTB) mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Bullgari, për prezantimin e bursave për studime pasuniversitare në Turqi.

Bullgari – Prezantohen bursat për studime pasuniversitare në Turqi

Abdullah Eren, drejtori i Departamentit të Turqve Jashtë Shtetit dhe Komuniteteve të Afrishme (YTB) mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Universitetin “Konstantin Preslavski” në vendin fqinj, Bullgari, për prezantimin e bursave për studime pasuniversitare në Turqi.

Para se të merrte pjesë në aktivitet Eren pati një takim me rektorin prof. dr. Georgi Kolev, të cilit i shpjegoi se çdo vit marrin aplikime nga 170 vende të ndryshme të botës për bursat që ofron Turqia, e cila sot ka 208 universitete, nga të cilat 126 janë shtetërore.

Në fjalën që mbajti në takimin për paraqitjen e bursave të reja, z. Eren tha se Turqia çdo vit jep për studentët e huaj rreth 4 mijë bursa studimi për nivelet “Bachelor”, “Master” dhe “Doktoraturë”, duke shtuar se Bullgaria është një vend i rëndësishëm për ta.

Duke nënvizuar cilësinë e arsimit të lartë në Turqi, kreu i YTB-së tha: “Për ne kriteri më i rëndësishëm është suksesi akademik. Gjatë shpërndarjes së bursave ne marrim në konsideratë si kriter nivelin, suksesin akademik dhe jo origjinën etnike, apo kombësinë”.

Kurse në vlerësimin që bëri pas programit të paraqitjes së bursave drejtuesi i YTB-së tha se institucioni që ai drejton ka një javë që po zhvillon fushatë prezantuese në Bullgari, duke shtuar se presin rritje të numrit të kandidatëve nga Bullgaria.

“Ne i vlerësojmë shumë bursat e studimit dhe këtë e bëjmë edhe për paqen në hapësirën gjeografike të Ballkanit, por edhe për të ngritur në nivele më të larta marrëdhëniet dypalëshe të Turqisë me vendet që ajo është fqinje në det dhe në tokë. Programi i Bursave të Turqisë është një program ndërkombëtar që ofron bursa studimi të fokusuara tek suksesi akademik dhe aplikimet janë të hapura për të gjithë rininë bullgare, jo vetëm për bashkëkombësit turq që jetojnë në Bullgari,”- sqaroi Eren.



Lajme të ngjashme