Tërhiqen dhe përkthehen dokumente osmane për Komunën e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se nga Arkivi i Stambollit i ka tërhequr dhe përkthyer dokumentet osmane për Komunën e Prishtinës.

Tërhiqen dhe përkthehen dokumente osmane për Komunën e Prishtinës
dikey resim_katalogu i dokumenteve osmane ne arkivin komunal te Prishtines.jpg
Albin Kurti_uluslararası öğrencilerle.jpg
Albin Kurti_Isa Mustafa_görüşme_yeni hükümet.jpg
Enver Hasani.jpg
Kosova_Belediyelerin yargılama giderleri.jpg
b_Albin Kurti_Hashim Thaçi_yeni hükümet_görüşme.jpg
dikey resim_katalogu i dokumenteve osmane ne arkivin komunal te Prishtines3.jpg

Tërhiqen dhe përkthehen dokumente osmane për Komunën e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se nga Arkivi i Stambollit i ka tërhequr dhe përkthyer dokumentet osmane për Komunën e Prishtinës.

“Në vitin 2017, një delegacion i Komunës së Prishtinës ka zhvilluar një vizitë në Arkivin e Stambollit ku ka arritur të tërheqë mijëra dokumente, në formë digjitale, të dokumenteve osmane për dhe nga Komuna e Prishtinës. Pas dy viteve, titujt e të gjitha dokumenteve janë përkthyer nga Besir Neziri dhe Mead Osmani dhe tanimë janë bërë libër i Arkivit Komunal të Prishtinës. Shfletimi i këtij katalogu tregon se kjo është tanimë një potencial i jashtëzakonshëm i burimeve historike të një periudhe të gjatë historike. Çdo dokument e ka titullin, datën dhe referencën se ku mundeni me e gjet dokumentin e plotë”, ka njoftuar në Facebook, kryetari Ahmeti.

Promovimi i Librit do të bëhet me 21 janar në ditën e arkivit.

E TIKA në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka shkruar se Katalogu i dokumenteve të Prishtinës në Arkivin Osman do të hedhë dritë në shumë tema kurioze për hulumtuesit. Në urimin e TIKA-s për kryetarin Ahmeti thuhet se TIKA është e vetëdijshme se është krijuar një vepër e rëndësishme jo vetëm për historinë e Prishtinës por edhe për historinë e Kosovës.

*

FrutoMania hyn në tregun e Turqisë 

Frutomania, një kompani e cila është duke eksportuar pemët e përpunuara kosovare në formë të lëngjeve natyrale dhe reçeli edhe jashtë Kosovës, gjatë këtij vitit do të përhapet në tregun e Turqisë me brendin "Frutomania Turqi". Shoqata Qeveritare turke TIKA ka vizituar kompaninë kosovare dhe së bashku me aksionarin kryesor dhe drejtorin e kompanisë, Armend Malazogu, kanë shqyrtuar për projektet të cilat mund të realizohen për të mbështetur prodhuesit.

*

Presidenti Thaçi kërkon nga Kurti ta pranojë ose ta refuzojë nominimin për mandatar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimin për mandatarin për kryeministër e ka nënshkruar dhe se pret që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ta pranojë atë. Nëse nuk e bën këtë, është e drejtë e tij ta refuzojë, ka thënë presidenti.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova nuk do të mbetet e bllokuar edhe shumë gjatë sepse vullneti i njerëzve të Kosovës është më i madh se çdo lider. Thaçi ka thënë se dëshiron të ndodhë respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur me 6 tetor.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar, por do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike që kanë adresa të partive politike, me përgjegjësi të tyre të respektimit të vullnetit qytetar, por edhe të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht se jo vetëm të një adrese politike”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për letrat që ia ka dërguar kryetarit të partisë së parë në Kosovë, Albin Kurtit, që ta merr përgjegjësinë politike, qytetare dhe të drejtën e mandatarit për themelimin e Qeverisë.

“Nëse jo, atëherë natyrisht është e drejtë e tij e refuzimit publik, zyrtar që nuk është i gatshëm, por kjo i mbetet në përgjegjësinë e respektimit të vullnetit të elektoratit, por para së gjithash e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe natyrisht të mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha ai.

Presidenti Thaçi theksoi që pret që spektri politik ti shteron të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve, pastaj ai do ti shikon hapat që do ti ndërmerr.

*

Thaçi dhe Uoker kërkojnë formimin sa më të shpejtë të qeverisë 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pritur të dielën në takim ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Uilliam Uoker, të cilin e ka falënderuar për të vërtetën që i ka treguar botës  rreth masakrave që Serbia i ka kryer mbi popullin e Kosovës. Presidenti u shpreh se ardhjet e shpeshta të Uokerit në Kosovë dëshmojnë dashurinë e tij ndaj vendit tonë. Thaci pas takimit ka kërkuar edhe njëherë nga kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti të pranojë ose ta refuzojë nominimin për kryeministër, pas nënshkrimit që presidenti ka bërë në takimin më të fundit mes tyre.

“Unë e kam nënshkruar atë ditë nominimin për zotin Kurti si kandidat për kryeministër të ardhshëm të qeverisë së Kosovës. Ai nominim ende është në tavolinën time të punës prandaj shpresoj që nuk do të kalojë kohë e gjatë që edhe zoti Kurti të reflektojë në kuptimin e pranimit e nominimit, që është edhe vullnet i partisë së tij dhe elektoratit të tij. Në rrethana të tjera, duhet ta deklarojë refuzimin”, tha Thaçi pas një takimi që zhvilloi me ish-ambasadorin e OSBE-së Uilliam Uoker.

E ish-ambasadori Uoker, pas takimit me Presidentin Thaçin, ka kërkuar nga partitë politike që sa më shpejt ta formojnë Qeverinë në mënyrë që t’i japin një pushim Presidentit Thaçi.

“Mendoj se Kosova ka nevojë për Qeveri, keni humbur më shumë se 100 ditë dhe shpresoj që nuk do të nevojitet më shumë kohë për ta formuar qeverinë në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e duhur të ndërtimit të asaj çfarë çdokush në Kosovë e dëshiron, një shtet të fortë, më të rëndësishëm dhe më të prosperuar në pjesën qendrore të Europës”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pas muajsh bisedime, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

*

Hasani thotë se presioni i Thaçit është i papranueshëm në aspektin Kushtetues

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit Hashim Thaçi se ai tashmë e ka nënshkruar nominimin e emrit për kryeministër nga partia fituese Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse kjo parti nuk i ka dërguar ende emrin për mandatar, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe aktgjykimi i vitit 2014, ka thënë se sjellja e presidentit është një lloj “huliganizmi i sofistikuar institucional”. Në një përgjigje për “Kohën Ditore”, Hasani ka thënë se Presidenti Thaçi, me këtë qasje, synon ushtrim presioni në partitë politike me qëllim të diktimit të një lloji të caktuar të zgjidhjes politike dhe është tërësisht e papranueshme në aspektin kushtetues.

*

Mustafa thotë se VV duhet ta vlerësojë ofertën e balancuar të LDK-së për bashkëqeverisje 

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk e ka pritur që do të zgjasin kaq shumë bisedimet me VV-në për formimin e Qeverisë. Mustafa për RTV21 ka theksuar se kanë mbet disa gjëra që ai si kryetar ka qenë i bindur se do te zgjidhen dhe do të arrihej pajtimi në takimin e parë ose të dytë, dhe në asnjë rast nuk kishte pritë që do të shkohet kaq gjatë. Megjithatë, Mustafa ka shtuar se marrëveshja mund të arrihet me vullnetin e partisë që ka dalë e para. Kreu i LDK-s ka theksuar se Vetëvendosje duhet ta vlerësojë mirë ofertën e fundit të LDK-së për koalicion, pasi sipas tij, kjo ofertë është e balancuar.

*

Kurti flet për forcimin e shtetit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë kësaj jave ka zhvilluar një takim me 120 studentët ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut. Para studentëve, Kurti ka folur për zgjedhjet e 6 tetorit dhe vonesat në krijimin e institucioneve, por në komunikatën e Vetëvendosjes, nuk jepen detaje se çfarë ka thënë Kurti për këto tema. Gjithashtu, para studentëve, kandidati për kryeministër ka thënë se ka synim krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtet-ndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit. E prioritet i qeverisë së re sipas tij, do të jetë forcimi i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit.

*

Shpenzimet të konsiderueshme të komunave për procese gjyqësore 

Lëvizja “Fol” prezantoi gjetjet nga monitorimi i shumave të paguara nga komunat që dalin nga vendimet gjyqësore. Komuna e Leposaviqit ishte komuna me më së shumti pagesa për vendimet gjyqësore gjatë periudhës janar- tetor 2019, ndërkaq Graçanica më së paku. Kështu ka thënë Elbasan Rracaj nga Lëvizja “Fol”.

“I kemi Komunën e Leposaviqit e para, e cila ka shpenzuar 1,334,000 si rezultat i vendimeve të gjyqësorit, komunën e Ferizajt me 3,726, 000, komunën e Mitrovicës jugore, Deçanit, Gllogocit si komuna e pestë dhe komuna e Kllokotit”, ka thënë ai.

Në këto gjetje nuk janë komunat më të mëdha të vendit, si Prishtina Prizreni, Peja etj, ku sipas Rracajt, edhe këto komuna kanë shpenzuar në këtë drejtim. Në 32 komuna janë shpenzuar mbi 12 milionë euro.

*

Ajri i ndotur, alarm për qytetarët

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me një postim në faqen zyrtare në “Facebook”, ka alarmuar për nivel të lartë të ndotjes në Prishtinës.

“Ajri jo i shëndetshëm! Mos dilni pa ndonjë nevojë të domosdoshme sidomos personat me sëmundje të mushkërive e të zemrës”, ka rekomanduar ky institut.

Ndërkohë normat e regjistruara në mbrëmjen e së premtes  kanë kapur shifrën e 168 PM, duke e kategorizuar ajrin të pashëndetshëm.



Lajme të ngjashme