Ministri Cakaj u takua me përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Malit të Zi

Ministri Cakaj në Tiranë kërkon nga liderët shqiptarë në Mal të Zi unifikimin e spektrit politik shqiptarë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

1326190
Ministri Cakaj u takua me përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Malit të Zi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj priti në takim të gjithë përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj priti në takim të gjithë përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, si dhe kryetarin e KKSH-së. Siç bëhet e ditur, Cakaj, zhvilloi takime me kryetarët e partive politike shqiptare nga Mali i Zi Nazif Cungun, Mehmet Zenkën, Nik Gjeloshaj, Nikollë Camaj, Fatmir Gjeken, Saubih Mehmetin, si edhe me Kryetarin e Lëvizjes Perspektiva Amir Hollaj, nënkryetarin e Kuvendit të MZ Genci Nimanbegu dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptareve Faik Nika. Në takimin me ta ministri Cakaj nënvizoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi në proceset integruese euro-atlantike. Ndër të tjera, ministri në detyrë Cakaj, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që do të mbarte unifikimi i mëtejshëm i mbarë spektrit politik shqiptar në Malin e Zi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat duhen të mbahen gjatë vitit 2020.Cakaj nënvizoi se modeli i Tuzit do të duhej t’u shërbejë shqiptarëve në Malin e Zi edhe në të ardhmen. Cakaj, po ashtu theksoi se brenda këtij viti kanë marrë vendim për heqjen e lejeve të punës për shqiptarët e Malit të Zi në Shqipëri, financimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Ulqin.

Hapet ekspozita “Vulat nga fondi i arkivit mbretëror”

Në galerinë malazeze të arteve në Cetinjë u hap ekspozita “Vulat nga fondi i arkivit mbretëror”. Ky projekt paraqet një numër të madh vulash që gjinden në fondin e begatë të arkivit mbretëror - sot shërbimi arkivor- bibliotekist i muzeut nacional të Malit të Zi. Në ekspozitë janë prezantuar rreth 200 kopje nga koha e Ivan Crnojeviqit e deri tek vulat nga periudha e dytë e shekullit 19-të. Ekspozitën e shpalli të hapur ambasadorja e Republikës së Turqisë, Songul Ozan, e cila në fjalën e rastit thekoi se dëshmitarët më të mëdhenj të marrëdhënieve intensive ndërmjet dy vendeve janë mijëra dokumente që ruhen nga arkivat dhe muzetë e Turqisë dhe të Malit të Zi. Ajo në vazhdim shtoi se vulat mund të shihen si dëshmi shumë e rëndësishme të fermanëve dhe marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Sipas ambasadores Ozan, ekspozita në fjalë dhe të ngjashme si kjo do të na ndihmojnë ne dhe gjeneratat e ardhshme që të mësojnë më të mirën nga e kaluara me qëllim të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Turqisë. 

Përkrahja ndaj BE në këto rrethana është shumë e lartë

Besimi i qytetarëve të Malit të Zi ndaj BE-së në rrethanat aktuale është tejet i lartë dhe një përkrahje kaq e madhe nuk ekziston në asnjë shtet anëtar të unionit, ka theksuar kryeministri Dushko Markoviq. Duke komentuar sondazhin e Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut CEDEM, ai ka theksuar se tendenca e rënies të besimit në BE shënohet për shkak të ngjarjeve brenda Bashkimit Evropian, për shkak të Brexit-it, krizës së emigrantëve dhe për shkak të sfidave që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me ShBA dhe Kinën. Sipas hulumtimit të CEDEM-it, të publikuar të premten e kaluar, 55% të qytetarëve e përkrahin anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe kjo është përqindja më e vogël e përkrahjes në hulumtimet e opinionit publik. Markoviq gjatë takimit me sektorin jo-qeveritar në Podgoricë ka theksuar se Mali i Zi ka miratuar shumicën e vlerave dhe standardeve evropiane dhe se perspektiva evropiane nuk mund të sillet në pyetje as nga aspekti i disponimit të qytetarëve të Malit të Zi.

Ministri i Brendshëm i Mali të Zi, Nuhoxhiq shpërblen ekipin, i cili ka ndihmuar të rrezikuarit në Shqipëri

Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Mevlludin Nuhoxhiq ka shpërblyer me të holla pjesëtarët e ekipit nacional për kërkim dhe shpëtim nga rrënojat, ndihmë të cilën ua kanë ofruar banorëve të Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues në këtë vend, duke treguar se Mali i Zi edhe pse shtet i vogël në territor është vend i njerëzve të mëdhenj dhe se humanizmi dhe solidariteti janë vlera të njohura themelore. Siç thuhet në kumtesën e Ministrisë për Punë të Brendshme Nuhoxhiq ka theksuar se shpëtimtarët trima, profesionistë dhe të vendosur i janë përgjigjur detyrës mjaftë sfiduese të rëndë dhe kërkuese dhe se ishin krenaria e Malit të Zi në këto ditë të vështira për shtetin tonë fqinjë dhe mik. Në këtë kontekst, siç shtohet, është theksuar angazhimi i ekipit është edhe vërtetim i raportit përgjegjës ndaj detyrimeve të pranuara dhe nga marrëveshja për bashkëpunim dhe ndihmën reciproke në situata të jashtëzakonshme ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë.

Identifikohen vrasësit e nëpunësit të Policisë

Shtetasi shqiptar me inicialet L.H., 43 vjeç, ka vrarë të hënën nëpunësin e policisë të Malit të Zi, Millutin Lekoviq, bën me dije Drejtoria e Policisë. Në kumtesë theksohet se Drejtoria e Policisë, me shërbimet e tjera partnere i ka identifikuar personat, të cilët e kanë vrarë policin Lekoviq. “Autor i drejtpërdrejtë i veprës penale është 43-vjeçari L.H., shtetas i Shqipërisë, kurse me të ishin edhe dy persona të tjerë, po ashtu shtetas shqiptarë”, thuhet në kumtesë. Në kumtesë theksohet se këta persona dyshohet të kenë kryer veprën e rëndë penale “të vrasjes kundër personit në detyrë”, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve dhe të materieve eksplozive” dhe për vepër penale të “kalimit pa leje të kufirit shtetëror dhe kontrabandës me njerëz”. Të tre personat e dyshuar iu dorëzuan Prokurorisë së lartë të Shtetit në Podgoricë.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme