Peter Handke “persona non grata” edhe në Kosovë

Behgjet Pacolli, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe njëherësh zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Kosovës, ka shpallur laureatin e Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2019, Peter Handke, person jo të mirëpritur në Kosovë.

1322003
Peter Handke “persona non grata” edhe në Kosovë

Këtë vendim Pacolli e bëri publik nëpërmjet rrjeteve sociale, me arsyetimin e “mohimit të krimeve”.

“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviqit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë dhe mohimit të gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Çmimi Nobel treguan mungesë respekti ndaj viktimave të gjenocidit”, ka shkruar kreu i diplomacisë kosovare në “Twitter”.

Ministri Pacolli ka dorëzuar të martën mbi 10 mijë dokumente, të cilat - siç tha ai - “dëshmojnë krimet serbe në Kosovë”.

Ai gjithashtu bëri të ditur pak ditë më parë se ambasadorja kosovare në Suedi do të bojkotonte pjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi, i cili u dha të mërkurën.

Përveç Kosovës, ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Nobel e bojkotuan po ashtu Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe shtete të tjera.

Kujtojmë se pas një votimi unanim të Asamblesë së Kantonit të Sarajevës, Peter Handke u shpall të mërkurën “persona non grata” edhe brenda kufijve administrativë të kryeqytetit boshnjak.



Lajme të ngjashme