Tërmeti në Shqipëri - Pezullohet mësimi në disa qytete

"Në Qarkun Durrës mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 dhjetor ndërsa në Qarkun Tiranë mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor”, tha Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, në një konferencë për mediat.

Tërmeti në Shqipëri - Pezullohet mësimi në disa qytete

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini në një konferencë për mediat theksoi se në Qarkun Durrës janë edhe dëmtimet më të rënda në objektet shkollore.

“Në Qarkun Durrës (bashkitë Krujë, Durrës dhe Shijak) mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 dhjetor. Në Qarkun Tiranë (bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë) dhe Qarkun Lezhë (bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë), mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor”, tha Shahini.

Shahini konfirmoi se në të gjitha qarqet e tjera, më 2 dhjetor, mësimi rifillon normalisht.

Ajo u shpreh se është finalizuar plani i zhvendosjes së nxënësve nga shkollat që janë shumë të dëmtuara tek shkollat pritëse.

Nga ana tjetër, më herët në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës është vendosur pezullimi i procesit mësimor deri më 6 dhjetor.

Kujtojmë se pas përfundimit të operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti, ndërroi jetë në spital një e plagosur, ndërsa sipas institucioneve të vendit, numri i viktimave është 51 dhe qindra persona janë plagosur.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor përveçse shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera. (Agjencia Anadolli-AA)

 

 


Lajme të ngjashme