Liderët e Ballkanit Perëndimor mbajtën një takim rajonal për çështjet e rëndësishme në Ohër

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor bien dakord për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërsa u arrit në konsensus që takimi i radhës të mbahet në Durrës në dhjetor.

1303871
Liderët e Ballkanit Perëndimor mbajtën një takim rajonal për çështjet e rëndësishme në Ohër

Liderët e Ballkanit Perëndimor zhvilluan një takim rajonal në Ohër, ku diskutuan për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Në takim morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se “Plani i veprimit parasheh funksionim të plotë të kufijve tanë, 24 orë dhe 7 ditë në javë. Kjo do të mundësojë lëvizje të plotë me karta identiteti të të gjithë qytetarëve të këtij rajoni. Do të sigurohen kushtet për kalim të shpejtë të kamionëve në dogana. Me këtë plan të veprimit do të mundësohet edhe njohja e ndërsjellë e të gjitha dokumenteve nga agjencitë e ushqimit dhe veterinarisë".

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme për vendin e tij, ndërsa bëri të ditur se brenda një kohe të shumë të shkurtër kanë arritur marrëveshje për çështje të rëndësishme.

Ndërkaq Kryeministri i Shqipërisë, Edi Ramapër iniciativën në fjalë theksoi se kjo është një iniciativë e vendeve të rajonit.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç tha se vendi i tij nuk ka marrë pjesë në përgatitjen dhe prezantimin e kësaj iniciative dhe se nuk ka konsensus dhe qëndrim përfundimtar.

Zvizdiç bëri të ditur se një qëndrim i Bosnje e Hercegovinës mund të pritet gjatë takimit të ardhshëm.

Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliq, tha se çdo iniciativë për bashkëpunim ekonomik rajonal në Mal të Zi vlerësohet sipas asaj se a e përshpejton procesin integrues të vendit dhe se cilat janë përfitimet për qytetarët dhe ekonominë.

Liderët e Ballkanit Perëndimor paralajmëruan se takimi i radhës do të mbahet në dhjetor në Durrës.

 


Lajme të ngjashme