Shqipëri - Aktivitete për Ditën e Republikës së Turqisë

Me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë në sallën e konferencave të fondacionit “ALSAR” u zhvillua një veprimtari kulturore e organizuar nga grupi i fëmijëve që frekuentojnë qendrën e kurseve të gjuhëve të huaja.

1300550
Shqipëri - Aktivitete për Ditën e Republikës së Turqisë

Në Shqipëri vazhdojnë të organizohen veprimtari kulturore me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Turqisë

Me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë në sallën e konferencave të fondacionit ALSAR u zhvillua një veprimtari kulturore e organizuar nga grupi i fëmijëve që frekuentojnë qendrën e kurseve të gjuhëve të huaja.

 

Këtë veprimtari e nderoi me pjesëmarrjen e tij, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në fjalën e tij përshëndetëse për fëmijët pjesëmarrës që kishin përgatitur programin artistik tha se shqiptarët ndodhen gjithmonë në zemrën e turqve.

Duke iu drejtuar fëmijëve të pranishëm ambasador turk tha se ata i krijojnë lidhjet e vërteta të miqësisë, urën e vërtetë mes Turqisë dhe Shqipërisë. Turqia është duke përparuar me besim drejt një shteti të zhvilluar. “Pas katër viteve nëse lejon Zoti, do të festojmë 100-vjetorin e Republikës së Turqisë”, u shpreh ai.

Çdo herë kur festojnë Ditën e Republikës në Shqipëri, sipas Yörük, ata e festojnë edhe përvjetorin e miqësisë dhe bashkëpunimit të përjetshëm mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Sepse në vitin 1923 pas themelimit të Republikës së Turqisë, ndër shtetet e para me të cilat Turqia ka nënshkruar marrëveshje për miqësinë dhe bashkëpunim të përjetshëm është edhe Shqipëria. Domethënë ne bashkë me ju përkujtojmë themelimin e Republikës së Turqisë më 29 tetor 1923, por edhe marrëveshjen për miqësi dhe bashkëpunim të përjetshëm me Shqipërinë si dhe hedhjen e themelit të këtyre marrëdhënieve”, tha ambasadori turk. 

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori Yörük u shpreh se në mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk ka kufij gjeografikë, por “duhet të dini se zemra e Turqisë rreh në Shqipëri, po ashtu edhe zemra e Shqipërisë rreh në Turqi.”

Ai më tej, rikujtoi se Mustafa Kemal Atatürk bashkë me kolegët e shokët e tij duke e marrë edhe mbështetjen e popullit turk ka filluar Luftën e Pavarësisë, duke shtuar se Turqia edhe pas afër 100 vitesh ashtu sikurse kushtet e rënda të asaj periudhe është duke luftuar me forca të tjera dhe qëllime dashakeqe që cenojnë sigurinë dhe të ardhmen e Turqisë.

Fëmijët gjatë performancës se tyre artistike në këtë veprimtari, prezantuan në gjuhën turke një program me materiale artistike e letrare të përzgjedhura, dedikuar kësaj feste.

Të pranishmit ndër të tjera, u njohën edhe me mbarëvajtjen e kurseve të gjuhës turke, të cilat ofrohen falas dhe zhvillohen nën drejtimin e profesorit të dërguar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Turqisë. 

Kryetari i fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra gjatë fjalës së tij përshëndetëse i shprehu ambasadorit të Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük urimet më të përzemërta ku ndër të tjera tha: “Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Turqisë, iu shpreh Ju shkëlqesi ambasador, dhe nëpërmjet jush popullit vëlla turk përshëndetjet dhe konsideratat më të larta, duke iu uruar suksese të mëtejshme në rrugën drejt progresit e prosperitetit tuaj kombëtar”.

Turqia më 29 tetor shënoi 96-vjetorin e shpalljes së Republikës, ndërsa me rastin e kësaj dite organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme