Vetëvendosja (VV) drejt fitores historike

Lëvizja Vetëvendosje VV, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli partia e parë në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën të dielën në Kosovë.

Kosova 6 ekim seçimleri_Albin Kurti_VV zaferi.jpg
kosova.jpg
kosova-da secim kampanyasi_6 ekim erken seçimleri3.jpg
Kosova erken seçim_kampanyalarda harcanan paralar.jpg
kosova-da secim kampanyasi_6 ekim erken seçimleri2.jpg
kosova seçim.jpg

Lëvizja Vetëvendosje drejt fitores historike

Në zgjedhjet e të dielës në Kosovë që u vlerësuan si më të mirët e pasluftës, në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të 95% të votave të numëruara të rreth 800 mijë votuesve, lëvizja Vetëvendosja, mori rreth 26%. Ajo u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, me 25%. Partia e tretë u rendit Partia Demokratike e Kosovës PDK me 21%, ndërsa partia e katërt u rendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK e udhëhequr nga Ramush Haradinaj me rreth 12%, që për dy vitet e fundit drejtoi qeverinë.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, në mesnatë e shpalli fitoren para mijëra qytetarëve që ishin mbledhur në sheshin qendror të kryeqytetit, ndërsa tha se qysh të hënën do të fillojë konsultimet për krijimin e qeverisë së re, e ku i bëri ftesë publike LDK-së për koalicion qeveritar. Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vazhdojë miqësinë me SHBA-në dhe vendet e Evropës perëndimore.

Albin Kurti u është drejtuar qytetarëve të vendit, duke i falënderuar për besimin e dhënë, për të qeverisur me Kosovën.

“Do të fillojmë përgatitjet për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës e cila do ti shërbejë qytetarët, do ti plotësojë zotimet dhe do ta vendosë Kosovën në binarët e zhvillimit e të përparimit, të drejtësisë e të demokracisë”, tha Kurti.

Kurti ndër të tjera ka thënë se tani do të marr fund kapja e shtetit dhe do të dëshmohet vota e sovranit. Ai ka komentuar edhe dialogun me Serbinë.

Dialogu ka qenë sfidë deri më tani pasi që kemi pasur  përgjithësisht njerëz pa kredibilitet dhe pa kompetencë, kemi pasur dialog të papërgatitur mirë pa parime, asimetrik, ku Kosova më shumë ishte temë se sa palë. Natyrisht kjo ndryshon tash e tutje dhe unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës e marrë përgjegjësinë që më takon me kushtetutë e ligj që ta udhëhiqi këtë dialog i cili nuk do të jetë më në dëm të Kosovës dhe i cili nuk shtrohet me pyetjen e gabuar se çfarë çmimi duhet të paguajë Kosova për njohjen e Serbisë, por shtrohet me pyetjen e duhur, borxhin që na e ka neve Serbia si atë të okupimit poashtu edhe të luftës”, tha Kurti. 

Lideri i Vetëvendosjes i cili pritet të zgjidhet kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti ka shtuar se qeveria e udhëhequr nga ai do t’i plotësojë të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale.

*

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin, thotë Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë postimin e parë në Facebook, një ditë pas fitores në zgjedhje. 

Kurti ka shkruar prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim.

“Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Kurti.

Ai më tej ka thënë se qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

“Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita”, ka shkruar Kurti.

*

Osmani nuk flet për rezultat, por për qeveri të mirëfilltë

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-ës, Vjosa Osmani në konferencë për media, ka refuzuar të flasë për fituesin e zgjedhjeve. Ajo ka thënë se nuk mund të shpallet fituesi, sepse duhet të pritet deri në numërimin e votës së fundit. Osmani paralajmëroi se pozitat në qeverinë e ardhshme VV LDK nuk duhet të jenë çështje më e rëndësishme.

“Nuk do të doja të reduktojë gjithë bashkëpunimin tonë të ardhshëm në çështje të ndarjes së pozitave. Është tejet më i rëndësishëm se kaq, sepse opozita në Kosovë i qon në opozitë partitë që kanë keq-qeverisur në pushtetin e kaluar dhe besoj se kjo është tejet më me rëndësi se sa fakti se kush çfarë pozitë merë”, tha Osmani.

*

Veseli e pranon humbjen 

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka pranuar rezultatin preliminar të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ai ka bërë të ditur se do të qëndroj në opozitë. Përmes një konference, Veseli ka falënderuar anëtarët dhe aktivistët e PDK-së për fushatën, duke thënë se PDK do të vazhdojë t’i shërbej shtetit.

“Kemi punuar shumë që t’i punojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, tha Veseli.

*

Komenton edhe Haradinaj

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, në të cilat koalicioni i përbërë nga partia e tij, AAK dhe PSD-ja, sipas rezultateve ende jo përfundimtare është radhitur e katërta, me rreth 11 për qind të votave.

Haradinaj ka përgëzuar qytetarët për nivelin e lartë të pjekurisë politike dhe demokratike, ndërsa ka falënderuar institucionet për organizimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre.

“Vendimi im për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sot u vërtetua që ishte veprim i drejtë. Gara e drejt dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim”, ka shkruar Haradinaj.

*

Pacolli uron fituesin e zgjedhjeve 

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacoll ka komentuar zgjedhjet e të dielës. Edhe pse koalicioni i partisë së tij me Nisma-n dolën humbës të këtyre zgjedhjeve, Pacolli tha se sovrani e tha fjalën e tij dhe ai ka gjithmonë të drejtë. Tutje ai shtoi se është për të përgëzuar popullin e Kosovës që votoi me qetësi dhe maturi duke përgëzuar Albin Kurtin për integritetin e tij politik dhe Vjosa Osmanin që krijoi energji të re. Pacolli gjithashtu i uroi punë të mbarë qeverisë së re.

*

Ambasada e SHBA-së e kënaqur me procesin zgjedhor

Ambasada e SHBA-së në Kosovë, është e kënaqur me zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë. “Kjo dëshmon përkushtimin tuaj të fortë për të ardhmen e Kosovës” thuhet në reagimin e parë të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

E ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka shkruar në «Twitter».

“Çfarë ditë e shkëlqyeshme – i lumtur kur shikon kaq shumë prej jush duke gjetur kohë për të votuar – kjo dëshmon përkushtimin tuaj të fortë për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Kosnett.

*

Thaçi: Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike 

Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, i uron qytetarët dhe partitë politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme të ditës së diel.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik”.

“Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

*

Zgjedhje pa probleme serioze

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën pa asnjë incident serioz që do të ndikonte në procesin e zgjedhjeve. Dalja në këto zgjedhje ishte pak më e lartë sesa në zgjedhjet e kaluara, 43%, apo rreth 800 mijë votues nga 1.9 milion sa kishin të drejtë vote, njoftuan vëzhguesit e organizatave vendase të zgjedhjeve. Gjatë ditës kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se "diku rreth 98%, procesi ka shkuar mirë dhe pa probleme. 58 ekipe i kishim në teren”.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ, në këto zgjedhje të shtatat në radhë për Kuvendin e Kosovës, konkuruan 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë. Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote ishte 1 milionë e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit ishte 895 me gjithsej 2547 vendvotime.

Qendrat e votimit ishin të hapura edhe në veri të Kosovës, ku procesi në këtë pjesë u ndihmua nga misioni i OSBE-së. Edhe në veri të Kosovës nuk kishte incidente serioze. Serbët kësaj radhe nuk u lejuan që të votojnë me dokumente të Serbisë, por vetëm ata që kishin dokumente të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka 120 mandate, prej të cilëve, 20 janë të garantuara për komunitetet jo-shumicë, 10 prej të cilave vetëm për komunitetin serb.

*

Ulëset që pritet t’i marrin partitë në Kuvendin e Kosovës 

 Sipas metodës D’Hondt për llogaritjen e ndarjes së vendeve në parlament, më të cilën llogaritet edhe ndarja e Kuvendit të Kosovës, ku deri më tani KQZ ka numëruar  96 për qind të votave në gjithë Kosovën, nga rezultatet preliminare Lëvizja Vetëvendosje merr numrin më të madh të ulëseve. Në bazë të votave Lëvizjes Vetëvendosje i takojnë 31 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shkruan Telegrafi. E dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 30 vende. Katër vende më pak i takojnë Partisë Demokratike të Kosovës, pra kjo parti ka 26 vende. Koalicioni AAK-PSD pritet t’i ketë 14 ulëse, ndërsa koalicioni NISMA–AKR-PD nuk pritet të ketë vende pasi që nuk ka kaluar pragun prej 5 për qind deri tash. Ndryshe Lista Serbe pritet t’i merr 7 vende në Kuvend. Ndërsa partitë tjera, duke i llogaritur vendet e rezervuara pritet t’i marrin 12 vende.



Lajme të ngjashme