Maqedonia e Veriut: Fondet evropiane të mos përfundojnë në xhepat e mashtruesve

Bashkimi Evropian vazhdon me ndihmesën financiare për vendet kandidate për anëtarësim në Union.

Maqedonia e Veriut: Fondet evropiane të mos përfundojnë në xhepat e mashtruesve

Maqedonia e Veriut: Fondet evropiane të mos përfundojnë në xhepat e mashtruesve

Maqedonia e Veriut si shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane ka arritur të shfrytëzojë vetëm 40% nga programi i fondeve evropiane IPA, mjete këto të dedikuara për përforcimin e kapaciteteve demokratike të shtetit.

Për periudhën 2014 – 2020, Brukseli i ka ndarë Maqedonisë 664 milionë euro për shfrytëzim nga programi IPA, të destinuara kryesisht për përforcimin e kapaciteteve në administratën publike, transport, bujqësi. Por, ekspertet thonë se në fokus mbetet lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i shtetit ligjor. Për këtë arsye qeveria, mjetet nga fondet IPA duhet t’i orientojë në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve që janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin.

Maqedonia: Fondet evropiane të mos përfundojnë në xhepat e mashtruesve

Në një konferencë në Shkup, te realizuar në organizim të Zyrës evropiane për luftë kundër mashtrimit - OLAF  u debatua për mundësitë e bashkëpunimit midis shtatë vendeve kandidate dhe Zyrës Evropiane për Luftimin e Mashtrimeve Financiare. Drejtori i përgjithshëm i OLAF-it, Vile Itala,  apeloi  që paratë, të cilat i lëshon Bashkimi Evropian, të ashtuquajtura IPA fonde, duhet të arrijnë tek shfrytëzuesit e vërtetë e jo të përfundojnë në xhepat e mashtruesve. Ai njëherazi kërkoi ndihmë dhe bashkëpunim nga autoritetet administrative si dhe nga gjyqësori dhe policia.

“OLAF ka mandat të hetojë mashtrime dhe korrupsion që e përfshijnë buxhetin e BE-së në vendet kandidate dhe kandidatët potencial. Por, për ta bërë këtë me sukses ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe mbështetje aktive të partnerëve tanë në terren ose thjesht thënë - ju na nevojiteni. Bashkëpunimi me autoritetet administrative kombëtare si dhe me gjyqësorin dhe policinë ka rëndësi vitale për punën hetuese të OLAF.Në këtë drejtim nuk nevojitet që vetëm të përmbushen kriteret në pjesën e legjislaturës për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, por të zhvillohet sistem i bashkëpunimit në hetimet e OLAF dhe raportim për parregullsi në këto shtete ”, deklaroi Vile Itala, drejtor i përgjithshëm i “OLAF.

Angellovska: Prioritet parandalimi i mashtrimeve

Ministrja e financave ne Maqedoninë e Veriut, Nina Angellovska, tha se organet e menaxhimit dhe revizionit, prioritet duhet t’i japin parandalimit të mashtrimeve, pasi, sipas saj, kjo do të ishte më efektive në betejën kundër keqpërdorimeve të parave evropiane.

Më lehtë dhe më ekonomike është që të parandalohet se sa të korrigjohet dëmi i bërë nga mashtrimi. Një sistem stabil dhe efikas për menaxhim dhe kontroll është e një rëndësie thelbësore pasi që në masë të madhe mund të ul rrezikun nga mashtrimi”,- u shpreh ministrja e financave, Nina Angellovska.

Angelovska me tej ka shtuar  se vendi është duke punuar vazhdimisht në luftën kundër mashtrimeve, në mënyrë që të bindë Komisionin e OLAF-it, se Maqedonia e Veriut zbaton plotësisht politikë të tolerancës zero ndaj mashtrimit.

Ndryshe, në prill të vitit 2016, OLAF pas dyshimeve se Maqedonia kishte keqpërdorur para të IPA fondeve, kishte ngritur hetim që e ka hulumtuar Prokuroria Publike e Maqedonisë se Veriut.  Është dyshuar se fabrika dhe kombinate të bujqësisë janë furnizuar me pajisje të cilat nuk përputhen me standardet e përcaktuara, me çka janë keqpërdor 200 mijë euro. Por nga hetimi nuk u vërtetua se është bërë keqpërdorim. Nga viti 2010 është rregulluar me ligj se nëse bëhet ndonjë mashtrim me mjetet e Bashkimit Evropian, konsiderohet se është vepër penale. Sipas Kodit Penal, çdo individ që do t’i keqpërdorë paratë e Bashkimit Evropian, do të dënohet me gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Përveç kësaj, kompanitë, për të cilat do të konstatohet se kanë keqpërdorur paratë e fondeve IPA, do të përballen me dënime në të holla.



Lajme të ngjashme