Kosova drejt zgjedhjeve pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj njoftoi për dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë të premten, ndërsa më pas njoftoi se letrën për heqjen dorë nga posti i të parit të qeverisë do ta dorëzojë të hënën.

Kosova_bağımsızlık_kabine toplantısı_ramush haradinaj.jpg
Ramush Haradinaj_6.jpg
Ramush Haradinaj istifa etti.jpg
Kosova Gelirler İdaresi Başkanlığı_toplantı.jpg
Hashim Thaçi_Berlin-deki gizli görüşmeden haberi yoktu.jpg

Kosova drejt zgjedhjeve pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Ai këtë e kumtoi të premten në mënyrë të papritur në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Arsyeja e dorëheqjes sipas tij është se ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit dhe atje dëshiron të paraqitet vetëm si qytetar i Kosovës e jo si kryeministër.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falënderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marr thirrje të paraqitem për t’u marr në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci. Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë, shkoj si Ramush Haradinaj, do t’iu dal përballë shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, tha Haradinaj.

Haradinaj më tej tha se pastërtia e tij dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime, nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

“Shteti im është Kosova, e paprekshme në multi-etnicitet, shumë-gjuhësi, në territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.”

Ai më tej tha se si kryeministër i Qeverisë së Kosovës beson fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.

“Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mos-unitet. Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut”.

Haradinaj më tej tha se siguron që taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, e Trepça është e gatshme për investime. 

“Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike. Ju jeni të parët që ju informoj, ndërsa menjëherë do ti drejtohem me shkresa zyrtare institucioneve të vendit, dhe partnerëve të koalicionit qeverisës. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Veçanërisht ju të nderuar kolegë, ju falënderojë për besimin e dhënë, ishte nder ti shërbejë vendit, së bashku me ju. Faleminderit. Me këtë informatë nuk kërkohet miratim, dorëheqja është e parevokueshme, e shpalli të mbyllur takimin e qeverisë. Ju faleminderit!

Këto ishin fjalët e kryeministrit Ramush Haradinaj në mbledhjen e fundit të qeverisë që ai e drejtoi, para se të niset në Hagë. Ndryshe, brenda 45 ditësh nga dorëheqja e Haradinajt në Kosovë pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme.

*

Presidenti Thaçi thotë se do të veprojë sipas kompetencave

Spektri politik në Kosovë është në pritje të vendimit që mund të marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. Vetë Haradinaj ka paralajmëruar se do t’i informojë edhe zyrtarisht krerët e institucioneve për vendimin e tij për dorëheqje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili është autoriteti kompetent që të ndërmarrë veprimin e parë nuk ka dhënë ndonjë njoftim të ri, përveç një reagimi që e kishte të premten në rrjetin social Facebook. Ai aty ka shkruar se për dorëheqjen e kryeministrit kishte mësuar nga mediet.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush!”, ka shkruar presidenti Thaçi.

*

Kurti: Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar

Ndërkohë, njëri nga liderët e opozitës, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, dorëheqjen e Haradinajt e cilësoi si një "Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar”.

“Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje "Ahtisaari Plus" me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj.

Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro...

Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tonë.

Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare.

Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën”, ka shkruar Kurti.

*

LDK ndjen keqardhje që Haradinaj dha dorëheqje për shkak të ftesës së Gjykatës së Hagës 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht ka kërkuar dorëheqjen e Haradinajt, por ndjejnë keqardhje që kjo ndodhi për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës.

“LDK në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodhë për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës.Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu besoj se pafajësia e Haradinajt do të provohet edhe kësaj radhe”, ka shkruar Mustafa.

*

Trajkoviq thotë se dorëheqja e Haradinajt do të sjellë pasoja

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, Rada Trajkoviq, ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës do të sjellë pasoja të mëdha për Serbinë. E këtë ajo e arsyeton me faktin se, sipas saj, kjo do ta shtyjë fillimin e dialogut edhe për 90 ditë, ndoshta edhe më shumë. E, sipas saj, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe zgjedhjet e rregullta të vitit të ardhshëm në Serbi do të kenë pasoja negative në dialog.

Sipas saj, taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet, për shkak se qeveria teknike e cila mund të formohet në Kosovë nuk ka kompetenca për ta bërë këtë. Madje, sipas saj, kushdo që vjen në krye të një qeverie teknike nuk mund të ndërmarrë një veprim të tillë, për shkak se rrezikon ta humbasë popullaritetin para zgjedhjeve.

Trajkoviq, e cila është kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, ka thënë se dorëheqja e Haradinajt ka bërë që institucionet të kenë presion që taksa të mos hiqet.

“Kjo është goditja e tij e fundit dhe më e forta sa i përket refuzimit për heqjen e taksës dhe nuk e shoh se dikush do ta pezullojë atë, se kjo do të thoshte rënie e popullaritetit. Ramushi, me strategji, ngriti pritjet e votuesve dhe në vend se të riformatohet qeveria, do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ajo për gazetën serbe, Danas.

Trajkoviq, gjithashtu, shtoi se “duke qenë se zgjedhjet mbahen gjatë procesit të mbajtjes së negociatave, ka shumë gjasë që ato nuk do të mbahen as deri në fund të vitit”.

*

Haskuka rrënon një pjesë të një Qendre Tregtare në Prizren 

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe drejtori i Inspektoratit në këtë Komunë, Islam Thaci, në një konferencë të jashtëzakonshme për media kanë thënë se Policia e Kosovës nuk u ka ofruar asistencë për vazhdimin e rrënimeve të një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, e cila sipas tyre nuk ka leje ndërtimi.

Kryetari Haskuka ka thënë se ka probleme në bashkërendimin e institucioneve të cilat sipas tij, duhet ta ndihmojnë dhe asistojnë Komunën në punët e saj.

“Kemi shumë probleme dhe në shumë raste sidomos me Ministrinë e Ambientit dhe në rastin e fundit sot edhe me Policinë e Kosovës, edhe pse edhe në vitin e kaluar ka pasur raste që policia në vend që të ndihmojë Komunën e Prizrenit në impelmentimin e vendimeve ajo ka dalë në anën e atyre që kanë uzurpuar ose në anën e atyre që e kanë shkelur ligjin”, tha ai.

Sipas Haskukës, të gjitha veprimet me këtë rast janë të bazuara në ligjet në fuqi.

“Investimi në fjalë është tejkalim i lejes së dhënë dhe në atë aspekt, sipas të gjitha procedurave duhet të rrënohet. Sot policia nuk u ka ofruar asitencë inspektorëve komunalë. Nuk ka zhvillim pa sundim të ligjit”, shtoi më tej Haskuka.

Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit në këtë Komunë, Islam Thaqi tha se ata qëndrojnë para interesave të qytetarëve të Komunës.

“Policia e Kosovës është e obliguar të na asistojë dhe të na ofrojë siguri neve si institucion e jo individëve të caktuar në këtë ngjarje”, tha Thaci.

*

ATK fton bizneset ti kryejnë obligimet

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen, pajisen me Numër Unik të Regjistrimit të Biznesit/Numër Fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet (bazuar në statusin e tyre) dhe të mbajnë Tatimin në Burim dhe Kontributet Pensionale për punëtorët e tyre.

Në njoftim për media, ATK thotë se të gjithë personat zhvillimin e veprimtarisë ekonomike duhet  ta kenë në harmoni me Kodin e Veprimtarive Ekonomike, si dhe të kenë të hapura llogaritë përkatëse tatimore.

“ATK është e fokusuar në bizneset, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë, si muratorët, armaturë punuesit, betonuesit, gërmuesit e dheut, punuesit e kulmeve, prodhuesit dhe montuesit e dyerve dhe dritareve, elektricistët, instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore, montuesit e parketit/laminatit, montuesit e qeramikës, suvatuesit/fasada, prodhuesit dhe montuesit e olluqeve, rrethojave të ballkoneve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj.”, thuhet në njoftim.

ATK u bënë thirrje të gjithë personave të lartcekur, që të regjistrohen apo përditësojnë të dhënat e tyre sa më parë dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

Në fund, ATK thotë se me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore. 



Lajme të ngjashme