Shoqëria civile në Shqipëri: “Populli shqiptar është i lidhur si vëllai me vëllanë me popullin turk”

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë u mbajt marshimi përkujtimor me pjesëmarrjen e përfaqësuese të institucioneve turke, përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë, të organizatave të shoqërisë civile, të veteranëve të 15 Korrikut.

Arnavutluk_15 Temmuz_Demokrasi Zaferi Yürüyüşü_09.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz_Demokrasi Zaferi Yürüyüşü_11.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz_Demokrasi Zaferi Yürüyüşü_12.jpg
Arnavut gazeteciler TRT World seminerine katıldılar_6.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz_Demokrasi Zaferi Yürüyüşü_08.jpg
Arnavut gazeteciler TRT World seminerine katıldılar_4.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (29/2019)

-Në Tiranë marshim përkujtimor për 15 Korrikun

Me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar të Turqisë, në qytetin e Tiranës nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë u organizuan një sërë veprimtarish dhe ceremonish përkujtimore. 

Pikërisht në Tiranë u mbajt marshimi përkujtimor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë, të organizatave të shoqërisë civile, të veteranëve të 15 Korrikut, familjarëve të dëshmorëve dhe qindra qytetarëve.

Marshimi i "Fitores së Demokracisë" filloi në Sheshin “Nënë Tereza" në Tiranë me shpalosjen e flamurit turk dhe flamurit shqiptar, ndërsa pjesëmarrësit kaluan nga Parku i Liqenit Artificial duke përfunduar me ceremonitë e përurimit të "Rrugës së Dëshmorëve" në të cilën janë mbjellë 251 fidanë rrapi që janë sjellë nga Turqia me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Pyjeve të Turqisë si dhe “Parkut të Demokracisë 15 Korriku" ndërtuar me kontributin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në emër të organizatave të shoqërisë civile si Fondacioni “ALSAR”, shoqata “Istanbul”, shoqata “Tirana”, shoqata atdhetare “Çamëria“ e shumë të tjera përshëndeti këtë ceremoni aktori i mirënjohur, Bujar Kapexhiu, duke theksuar se: “Si rrallë herë në historinë politike të botës grushti i shtetit dështoi. Populli turk iu përgjigj menjëherë thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan për rezistencë dhe si një trup i vetëm i vuri gjoksin tankeve. Nuk ka ndodhur kurrë në botë që të ndalet e keqja duke u bashkuar i madh dhe i vogël, me miliona njerëz pa dallim bindjesh politike me vetëmohim të rrallë, gati për të dhënë edhe jetën për të mbrojtur demokracinë. Heroizmi i popullit turk bëri që ata të kapen në flagrancë. Kjo ishte një fitore e madhe e popullit dhe një dështim i turpshëm i komplotit të përgatitur në fshehtësi prej dekadash nga lëvizja FETO dhe ithtarët e ideologjisë së saj të sëmurë. Ne si Organizata të Shoqërisë Civile në Shqipëri dënojmë përsëri fuqishëm tentativën për grusht shteti që organizata terroriste (FETO) organizoi më 15 korrik 2016 në Turqi, në një vend mik dhe partner strategjik me Shqipërinë. Populli shqiptar është i lidhur si vëllai me vëllanë me popullin turk, do të jetë përherë përkrah tij në përpjekjet e përbashkëta për liri, demokraci dhe prosperitet", tha ai.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës së tij në aktivitetin përkujtimor tha se tentativa tradhtare e FETO-s për grusht shteti, është aksioni më i përgjakshëm terrorist në historinë e Republikës së Turqisë. "Ky aksion i përgjakshëm terrorist dhe kjo tentativë për grusht shteti dështuan sapo populli turk, i gatshëm për të dhënë gjakun dhe jetën e tij, u doli për zot rendit kushtetues, parlamentit dhe qeverisë së tij të ligjshme. Sot ne jemi së bashku me prindërit e dëshmorëve tanë të shenjtë dhe me veteranët, të cilët kanë ardhur nga Turqia në Shqipëri për këtë ceremoni", tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi se FETO vazhdon praninë e saj në Shqipëri, kryesisht në arsim, çështjet e fesë dhe shëndetësi dhe shtoi se sa më shumë të thellohet prania e FETO-s në Shqipëri, aq më i madh do të jetë dëmi i saj ndaj qytetarëve.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, gjatë fjalës së tij u shpreh se është kënaqësi e veçantë që në Tiranë përkujtohet 15 Korriku, jo vetëm nëpërmjet marshimit, por në shenjë të miqësisë mes dy shteteve.

Kam ngulitur fort në memorien time momentin kur presidenti (Recep Tayyip Erdoğan) iu drejtua popullit turk. Kur vendoset në balancë demokracia karshi forcës vendimi i tij ishte i kthjellët dhe i qartë. Mësimi më i madh i asaj ditë për të gjithë historinë është sesa i dobët është tanku, avioni, helikopteri sesa e dobët duket forca përballë fuqisë së njerëzve. Unë besoj se nuk ka mësim më të fortë për demokracinë në të gjithë botën sesa ky moment", tha Mazniku. 

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, i cili tha se Turqia është një vend mik, vëlla dhe një partner i jashtëzakonshëm strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dje, sot dhe “besoj për sa kohë historia do t’i lë këto vende të kenë jetë dhe ekzistencë”.

"Kujtoj njerëzit të kapur për krah dhe rreshtuar përballë tankeve për lirinë, dinjitetin njerëzor dhe demokracinë e tyre. Atë ditë populli turk e bëri detyrën e vet karshi lirisë dhe vlerave të tij. Çdo qytetar i atij vendi (Turqisë) sot duhet të ndihet krenar. Shembulli i këtyre 251 dëshmorëve qoftë një frymëzim dhe një forcë për çdo popull dhe çdo individ që çdo ditë të ngrihet dhe luftojë për lirinë e tij, që kur njerëzimi eksiton mbi tokë kjo është vetmja rrugë për të mbrojtur dinjitetin, lirinë, dhe demokracinë", tha Çollaku.

***

-Presidenti Meta uron Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zgjedhja Juaj në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të lartë”, është shprehur Presidenti Meta.

Meta ka theksuar se, “është rast fatlum që Komisioni Evropian, për të parën herë, do të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në një kohë sfidash të shumta e të shumëllojshme për kontinentin dhe mbarë botën”.

“Si President i një vendi që synon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen për qëndrimin tuaj në mbështetje të këtij procesi, si dhe për vijimin e politikës së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”, ka nënvizuar Meta, duke shtuar “...ju siguroj për vijimësinë e angazhimit tim për nxitjen dhe mbështetjen e plotë të reformave që afrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me Bashkimin Evropian, nën modelin e standardeve të pakompromentueshme evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbështet plotësisht propozimin e Komisionit Evropian për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në mesazhin e parë pas marrjes së postit, Presidentja e KE është shprehur se riafirmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe sheh një rol të rëndësishëm në procesin e reformave të vazhdueshme në të gjithë rajonin.

***

-Tirana drejt shpalljes si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” 

Tirana ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt përzgjedhjes si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.

Ajo është përzgjedhur mes 5 finalistëve për çmimin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”. Ky konkurs është i bazuar në disa kritere të tilla si aktivizimi rinor, shoqërisë civile si dhe transformimit të vazhdueshëm të qytetit.

Përveç Tiranës,katër qytetet e tjera që pretendojnë këtë çmim janë: Poznan (Poloni), Kazan (Rusi), Varazdin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Finalistët janë përzgjedhur nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve Evropiane, Këshilli Këshillimor i Rinisë i Këshillit të Evropës, Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Schwarzkopf Foundation Young Europe, Iniciativa e Shoqërisë së Hapur për Evropën, IDEA Ndërkombëtare, EurActiv, Lëvizja Evropiane Ndërkombëtare, Evrodesk dhe Forumi Evropian i Rinisë.

Teksa ka përshëndetur këtë lajm pozitiv për Tiranën, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet: “Shumë krenar që Tirana jonë renditet mes finalistëve për çmimin Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, nën ritmin e aktivizmit rinor, shoqërisë civile vibrante, si dhe transformimit të vazhdueshëm të qytetit!”.

Në këtë konkurs marrin pjesë qytete atraktive nga e gjithë Evropa dhe më pas bëhet një përzgjedhje ku shpallen finalistët. Ndërkohë që në faqen zyrtare të YouthForum.org thuhet se shumë qytete evropiane, vitet e fundit kanë investuar shumë për të rinjtë, duke i angazhuar ata në aktivitete, për një jetë më mirë dhe më të shëndetshme sociale, si dhe me projekte e transformime në të mirë të së ardhmes së tyre.

Dhe në fakt, bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e Hapura të Edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj. 

***

-“TRT World” ndan me Shqipërinë eksperiencën e Turqisë në fushën e medias

Përmes organizimit të institutit turk “Yunus Emre”, Tiranë është dërguar një grup gazetarësh dhe përfaqësuesish të mediave shqiptare, në mes tyre edhe Radio Jehona që është partnere e TRT Shqip, për të marrë pjesë në një seminar stazhi në median prestigjoze “TRT World” në Stamboll.

Ky stazh kualifimi vjen pas zhvillimit me sukses të trajnimit dy javor nga Akademia e Medias që u mbajt në ambientet e qendrës kulturore turke në kryeqytetin shqiptar, pikërisht në muajin shkurt të këtij viti.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme