15 Korriku është përkujtuar edhe në Shkodër

Në Shkodër është përkujtuar me një sërë aktivitetesh 15 Korriku, Dita e Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar Turk.

Yunus Emre İşkodra_15 Temmuz_Şebeke belgesel gösterimi_13.jpg
İşkodra_15 Temmuz anma faaliyetleri_19_Samed Dogan.jpg
İşkodra_15 Temmuz anma faaliyetleri_5.jpg
İşkodra_15 Temmuz anma faaliyetleri_26.jpg
İşkodra_15 Temmuz anma faaliyetleri_10.jpg
Yunus Emre İşkodra_15 Temmuz_Şebeke belgesel gösterimi_3.jpg

Në Shkodër përkujtohet 15 Korriku, Dita e Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar Turk

Në kuadër të përkujtimit të 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar Turk në qytetin e Shkodrës janë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore.

 

Në fillim, parak pak ditëve është shfaqur dokumentari “Rrjeti” (The Network), i cili demaskon fytyrën e vërtetë të organizatës terroriste FETO, përgatitur nga TRT World në kuadër të projektit të Zyrës së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë dhe realizuar nga gazetari britanik Andrew Wilson.

Gjatë shfaqjes së dokumentarit në ambientet e institutit turk "Yunus Emre" ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të institucioneve turke, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qytetarë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, duke folur për FETO-n, ambasadori Yörük tha se me tanke dhe me armatime të rënda është kërcënuar populli civil turk, që ishte me duar bosh, por me shpirt plot besim. Ai shtoi se "kjo organizatë nuk është nga ata organizatat klasike terroriste që ne dimë". 

"Kjo organizatë më së shumti është si një organizatë e strukturës së shërbimit të fshehtë informativ që ushtron aktivitet e saj mbi parimin e fshehtësisë maksimale, e cila duke ndryshuar pamjen dhe identitetin ka fuqinë të depërtojë në të gjitha institucionet private dhe shtetërore në shtetet ku operon”, tha Yörük.

Ambasadori turk tha se aktivitetet e organizatës terroriste FETO ka arritur t’i sjellë edhe në Shqipëri.

"Synimi i tyre është që me kalimin e kohës të zotërojnë të gjitha institucionet, strukturat private dhe shtetërore të shteteve ku ndodhen. Në këtë mënyrë ata kanë për qëllim të krijojnë një rrjet në të gjithë botën. Fatkeqësisht Shqipëria këtë rrjet vazhdon ta strehojë. Duhet të tregoni shumë kujdes dhe vigjilencë. Duhet t'i jepni një mbështetje konkrete dhe të qëndrueshme përpjekjeve të Turqisë", tha ambasadori Yörük.

Ndërsa më 15 Korrik, po në qytetin e Shkodrës u mbajtën aktivitete përkujtimore me pjesëmarrjen e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësuesve të tjerë të institucioneve turke, përfaqësuesve të institucioneve lokale, si dhe qytetarëve.

Pas vendosjes së kurorave me lule në Memorialin "Hasan Riza Pasha", aktiviteti më pas vazhdoi në ambientet e Teatrit "Migjeni", ku pjesë e tij ishin edhe korrespondenti i luftës Samet Doğan, veterani i 15 Korrikut, Sabri Gündüz dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet tha se tentativa e grusht shtetit e 15 korrikut u organizua nga anëtarët terroristë të FETO-s të instaluar fshehurazi dhe dinakërisht në institucionet shtetërore turke dhe në forcat e armatosura.

"Kjo tentativë tradhtare në të cilën ranë dëshmorë 251 bijë dhe mijëra shtetas tanë u plagosën, është lëvizja terroriste më e përgjakshme e përjetuar në historinë e Republikës së Turqisë. Kjo lëvizje e përgjakshme terroriste dhe kjo tentativë për grusht shteti u la e pa rezultat falë mbrojtjes që demonstroi populli turk në këmbim të gjakut dhe jetës për rendin kushtetues, parlamentin dhe qeverinë legjitime", u shpreh ambasadori turk.

Ai theksoi se populli turk i shtypi terroristët tradhtarë duke iu përgjigjur menjëherë thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke u shpreh më tej se FETO e vazhdon ekzistencën e saj në Shqipëri në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe çështjeve fetare: "Ajo natë ku njerëzit tanë u dyndën rrugëve për demokracinë dhe ranë dëshmorë në përplasje me anëtarët terroristë tradhtarë të FETO-s nuk do të fshihet kurrë nga memoria e popullit turk. Sot jemi së bashku me veteranët tanë të ardhur nga Turqia dhe ne nuk do t’i harrojmë kurrë këta heronj. Me thellimin e ekzistencës së FETO-s në Shqipëri do të rritet edhe dëmi që do ju shkaktojë. Anëtarët e FETO-s e adhurojnë në një formë të zvetnuar Fetullah Gülenin, i cili e sheh veten si imam i universit dhe mehdi. Këta tradhtarë që sot me heshtje luajnë rolin e viktimës me një urdhër që mund të marrin nesër mund të ju dalin përpara si të droguar të armatosur e të etur për gjak. Anëtarët e kësaj organizate të fshehtë kriminale do të vazhdojmë të ja dorëzojmë drejtësisë kudo ata të gjenden nëpër botë. Nuk do të mbeten pa u ndëshkuar krimet e tyre terroriste dhe ata që i kanë ndihmuar", tha Yörük.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i institutit "Yunus Emre" Shkodër, Zafer Kıyıcı, i cili tha se jemi mbledhur sot për ditën përkujtimore të 15 Korrikut: "Në natën e 15 korrikut tradhtarët e atdheut që donin të zhduknin shtetin tonë, kombin, demokracinë, Republikën tonë dhe të ardhmen tonë të ndritur ndërmorën veprime duke i drejtuar armët e vetë kombit këtij populli të shenjtë dhe sakrifikues dhe u përfshinë në një tentativë të përgjakshme për grusht shteti", theksoi Kıyıcı. 

Veterani Sabri Gündüz, duke treguar momentet nga tentativa për grusht shteti u shpreh se: "Jam një nga ata që e ka përjetuar më keq 15 korrikun. Ishte një mbrëmje tepër e vështirë për vendin tonë dhe shtetin tonë. Unë sa herë rrëfej atë natë e përjetoj përsëri."

Ndërsa, korrespondenti i luftës Samet Doğan, në lidhje me përjetimet e tij për natën e 15 korrikut tha se: "Unë kisha qenë dëshmitar i disa luftërave, por për herë të parë po ndeshesha me një grusht shteti, me një puç. Kisha dëgjuar më parë për grushtet e shtetit në Turqi, por nuk i kisha përjetuar. Kur ndodh kjo mendon për gjithë vendin tënd. Njerëzit nuk kishin frikë dhe të gjithë ishin së bashku. 15 korriku ishte një ditë e veçantë për mua, filloi një ditë e gëzuar, por përfundoi me rënien dëshmorë të një shoku tim tepër të afërm".

Për të pranishmit u shfaqën edhe dokumentarë për 15 Korrikun dhe u hap edhe ekspozita me fotografi të Anadolu Agency me momentet gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur edhe në ambientet e institutit turk "Yunus Emre" Shkodër në datat 16-31 korrik.

Më pas, aktivitetet u zhvendosën në xhaminë e Parrucës, ku besimtarët myslimanë shkodranë, frekuentues të xhamisë së Parrucës, por jo vetëm, patën mundësi të dëgjonin nga afër këndimet e mrekullueshme dhe ligjërimin e imamit mirënjohur të xhamisë së sahabiut Ebu Ejjub El-Ensari (r.a.) në Stamboll të Turqisë, Hafiz Metin Çakar.

Vizita e imamit të mirënjohur turk në qytetin e Shkodrës, vjen si pjesë e programit pёrkujtimor: "15 Korrik - Dita e Demokracisё dhe Bashkimit Kombёtar", që organizohet nёn kujdesin e Presidencёs sё Republikёs sё Turqisё dhe Ambasadёs sё Republikёs sё Turqisё nё Tiranё. 

Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, falënderoi ambasadorin turk për praninë e tij në Shkodër, duke theksuar se miqësia dhe vëllazëria shekullore në mesin e dy popujve tanë mbetet një garanci e patundur e vazhdimësisë në rrugën e bashkëpunimeve dhe angazhimeve të përbashkëta në shërbim të vëllazërisë së sinqertë shekullore.

Hafiz Metin Çakar, pas këndimit të musalasë dhe disa pjesëve kur'anore, iu drejtua të pranishmëve me një ligjëratë plot njohuri dhe të dhëna mbi sahabiun Ebu Ejjub El-Ensari (r.a.), sakrificën në rrugën e Zotit,  çlirimin e Kostandinopojës dhe u lut për mbarësi dhe bekime për të pranishmit dhe krejt popujt e botës.

Në fund, për të pranishmit u shtrua një gostitje me petulla, hallvë dhe limonadë në oborrin e xhamisë kryesore të qytetit të Shkodrës.

Veprimtaritë për përkujtimin e 15 korrikut kanë vazhduar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë me marrshim në nderim të dëshmorëve të demokracisë në Turqi.

Për më tepër kjo kronikë do të pasqyrohet në raportet e tjera informative.

Turqia më 15 korrik shënon përvjetorin e tretë të tentativës për grusht shteti organizuar nga organizata terroriste FETO, gjatë së cilës u martirizuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme