Turqia ndihmon Shqipërinë në shenjë miqësie dhe vëllazërie midis dy popujve

Në kuadër të direktivës së dhënë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përfunduan punimet e rikonstruksionit tërësor dhe mobilimit të konviktit të djemve Nr. 6 tek Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1, në Tiranë si dhuratë nga Agjencia Turke.

tika-dan arnavutluk eğitime destek_yurt onarımı_9.jpg
tika-dan arnavutluk eğitime destek_yurt onarımı_8.jpg
tika-dan arnavutluk eğitime destek_yurt onarımı_13.jpg
tika-dan arnavutluk eğitime destek_yurt onarımı_12.jpg
Kosova-nın Devletleşme Süreci Konferansı_01_Mehdi Gurra.jpg
AB_Arnavutluk_Kuzey Makedonya bayrakları.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (25/2019)

-Turqia ndihmon Shqipërinë në shenjë miqësie dhe vëllazërie midis popujve shqiptaro-turke

Në kuadër të direktivës së dhënë ndaj Kryesisë së TIKA-s nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përfunduan punimet e rikonstruksionit tërësor dhe mobilimit të konviktit të djemve nr. 6 tek Rezidenca Studentore Universitare nr. 1, në Tiranë si dhuratë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Në ceremoninë e inaugurimit mori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. 

Kryeministri shqiptar, Rama gjatë ceremonisë së inaugurimit tha se "ky 4 vjeçar do të jetë historik për arsimin e lartë". 

Duke vlerësuar se është bërë punë e konsiderueshme, Rama tha se rikonstruksioni i këtij konvikti është vetëm një shembull pozitiv i ndryshimit. 

"Ideja është që të përfundojmë gjithë rikonstruksionin e godinave ekzistuese, ndërkohë që po përgatitet mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë projekti i kampusit. Besoj që shumë shpejt do të fillojë puna edhe në konviktet jashtë Tiranës. Edhe ky konvikt është një shembull pozitiv si do bëhen të tjerat. Do të kemi standard në infrastrukturë, laboratorë, totalisht ndryshe", tha kryeministri i Shqipërisë. 

Ambasadori turk, Yörük tha gjatë inaugurimit se ndjehet i kënaqur që ndodhet në hapjen e këtij konvikti, puna e të cilit është realizuar nga TIKA me udhëzimet e Presidentit, Recep Tayyip Erdoğan.

"TIKA deri më sot ka rikonstruktuar monumentet historike në Shqipëri, shkolla, biblioteka, spitale, klinika shëndetësore. Ka kryer projekte për pyllëzimet dhe të zhvillimit rural. Ashtu si sot, kontribon në arsim dhe shkencë", tha ambasadori turk, duke treguar se TIKA e cila është shndërruar në një markë e Turqisë në botë, në Shqipëri ka realizuar projekte të rëndësishme me sukses. 

Ambasadori Yörük theksoi më tej se "Fëmijët e vëllezërve tanë shqiptarë janë edhe fëmijët tanë. Prandaj, ne si Turqi kemi qëndruar gjithmonë pranë popullit shqiptar, gjithashtu ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë". 

"Shpresoj që ky konvikt, hapjen e së cilës e bëjmë sot, do të kontribuojë në përgatitjen e të rinjve të suksesshëm që do ta çojnë Shqipërinë në një të ardhme të ndritshme", u shpreh ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Ndërsa, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se nga 40 konvikte është ndërhyrë në mbi 30 si dhe shprehu mirënjohjen për Turqinë dhe TİKA’n në lidhje me rritjen e standarteve të konviktit në fjalë, gjithashtu cilësoi faktin qe TİKA ka qëndruar gjithmonë pranë Bashkisë së Tiranës dhe jo vetëm.
Godina numër 6 e Rezidencës Studentore Universitare Tiranë me kapacitet prej 173 studentësh për djem është rikostruktuar dhe mobiluar plotësisht me mbështetjen e TIKA-s. Në godinë është ndërhyrë në të gjithë rrjetin hidrosanitar, tarracë, në rrjetin elektrik në ambientet e përbashkëta dhe në çdo dhomë, sallën e studimit, si dhe çdo dhomë është mobiluar. 

***

-Në Shqipëri, vijojnë tensionet në disa qytete për vendimin mbi anulimin e zgjedhjeve vendore

Në disa qytete të Shqipërisë gjatë kësaj jave ka pasur tensione dhe përplasje mes mbështetësve të partive opozitare dhe policisë së shtetit në lidhje me vendimin e presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve vendore.

Në bashkitë Shkodër, Tropojë, Kukës, Burrel, Skrapar, Kamëz dhe në qytete të tjera ka pasur tensione pasi mbështetës të partive të opozitës në disa prej tyre kanë dëmtuar zyrat dhe materialet zgjedhore në Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

Lidhur me këto zhvillime ku është vënë edhe zjarr në një zyrë në Shkodër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se janë shoqëruar disa persona dhe që po vazhdojnë hetimet ndaj tyre.

Kryetarët e disa bashkive që drejtohen nga përfaqësuesit e partive opozitare, të Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja Socialistepër Integrim kërkojnë zbatimin e dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve dhe ndërprerjen e punës në ambientet e KZAZ-ve.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve-KQZ, në një deklaratë për mediat ka theksuar se kërkesat e kryetarëve të bashkive "janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga ligji për vetëqeverisjen vendore”. 

Në lidhje me tensionet ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, "Përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër. Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve."

Kujtojmë se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, zyrtarizoi më 10 qershor vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, por pa dekretuar datë të re, duke shkaktuar reagime pro dhe kundër.

Këtë vendim, partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e ka kundërshtuar si të pabazuar në Kushtetutë, ndërsa vazhdon fushatën për zgjedhjet lokale.

***

-BE-ja nuk hap dritën jeshilë për hapjen e negociatave për Shqipërinë, shtyhet për ne tetor 2019

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e shtynë për në muajin tetor 2019 marrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rënë dakord për tekstin që i propozohet kryetarëve të shteteve në mbledhjen e Këshillit më 20-21 Qershor.

Vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë është shtyrë zyrtarisht për në vjeshtë. Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, ka pranuar se kriza politike në Shqipëri ka ndikuar te disa prej vendeve anëtare, duke mos e parë Shqipërinë gati për hapjen e negociatave.

Në një konferencë për mediat nga Luksemburgu pas mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së, Hahn tha se BE do të duhet tu përmbahet me rigorizitet prioriteteve të përcaktuara për vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

Dhe këtu ai nënvizoi reformën e drejtësisë në Shqipëri.

Hahn zbuloi se Gjermania, Franca dhe Danimarka janë skeptike për hapjen e negociatave dhe kërkojnë shtyrjen.

Komisioneri Hahn që është dhe në mbyllje të mandatit të tij tha se çështja e zgjerimit lidhet me besueshmërinë e BE dhe si e tillë duhet të shihet si çështje strategjike nga Unioni.

“Nëse BE kërkon të jetë aktor i rëndësishëm në çështjet globale duhet të mbajë fjalën e dhënë për Ballkanin Perëndimor”.

George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE tha se "... jemi besimplotë për rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut...”.

***

-Shtetformimi i Kosovës dhe Shqipëria

Në Tiranë, me rastin e 20-të vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë u zhvillua konferenca “Shtetformimi i Kosovës dhe Shqipëria: sfidat dhe perspektivat”, organizim i Fondacionit “ALSAR”.

Konferenca mblodhi ligjërues me reputacion nga të dy anët e kufirit. E ndarë në dy pjesë, konferenca u drejtua nga diplomati i mirënjohur, Shaban Murati dhe nga prof. dr. Ksenofon Krisafi, të cilët mbajtën gjithashtu dhe kumtesat e tyre.

Konferenca u hap me fjalën e kryetarit të Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra.

“Mblidhemi këtu në Tiranë për ta analizuar rrugëtimin dydekadësh të shtetit më të ri të Evropës, shoqëruar dhe në kontekstin e marrëdhënieve me shtetin amë,” tha ai në fillim të kësaj fjale. 

Duke theksuar thënien e ish-presidentit amerikan se, “vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen...”,  kryetari i entit organizues të konferencës u ndal te liria e fituar e kosovarëve, te keqpërdorimi i ndonjëhershëm i saj, tek sfida e tyre e shtetndërtimit.

Kontributi i dhënë nga Shqipëria gjatë përpjekjeve për çlirim të vëllezërve kosovarë nuk kishte si të mungonte në fjalën e z. Gurra, që foli dhe për synimin e përbashkët të dy vendeve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Urimi i tij ishte që shqiptarët të mos i humbasin këtë herë gjërat në tavolinë në sfidat dhe betejat diplomatike para tyre, siç mund të ketë ndodhur në të shkuarën.

Fjalë përshëndetëse mbajti Besnik Hoti, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Kumtesat e mbajtura më pas ishin tepër interesante për qasjet e tyre tematike.

Prof. dr. Blerim Reka, prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe prof. dr. Ibrahim Gashi e morën fjalën njëri pas tjetrit, në kumtesat me temë, “Konteksti ndërkombëtar i çlirimit të Kosovës: intervenimi i NATO-s si pararendës i së drejtës ndërkombëtare me fytyrë njerëzore”, “Në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e Kosovës” dhe “Konteksti historik dhe aktual i marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri”.

“Komplikimet e brendshme dhe ndërkombëtare të procesit të njohjes së Kosovës” ishte tema mbi të cilën ligjëroi publicisti dhe diplomati i shumëdëgjuar Shaban Murati.

Dr. Memli Krasniqi do të analizonte përmbajtjen e shtypit amerikan mbi luftën e Kosovës në vitet 1998-1999.

Dr. Halil Hyseni kishte zgjedhur një titull më poetik për kumtesën e tij, “Pranvera 1999, pranvera e një lufte për vlera”.

“Lufta e Kosovës solli risi. Ajo e pasuroj arsyen e luftës. E pasuroi në moral, e pasuroi me vlera. Kosova është kryeshembull ku njeriu, të drejtat e tij njerëzore, u bënë arsyeja e luftës.

Ishte lufta për mbrojtjen e vlerave, ishte lufta kundër luftës, që angazhoi jo vetëm vendimmarrësit me të mëdhenj, jo vetëm avionët më të rëndë, por edhe mendjet më të lira të kohës. Në luftë dhe për luftën në Kosovë, u angazhuan penat e arta të globit,” u nënvizua me të tjerash në fjalën e tij.

Dr. Sadik Mehmeti u ndal gjatë te kontributi i Shqipërisë në përkujdesjen për të dëbuarit nga Kosova njëzet vite më parë. Kumtesa përfundoi me një mirënjohje të thellë për këtë kontribut.

Nderin e fjalës së fundit e pati z. Skënder Lutfiu, ligjërues i temës, “Çlirimi i Kosovës më 1999 dhe vendosja e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë”.

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi e mbylli konferencën me një falënderim të posaçëm për Fondacionin “ALSAR”, organizues në vazhdimësi i veprimtarive të tilla të këtij niveli.

***

-Shqipëria renditet e dyta

Shqipëria ka arritur një nivel prej 1.3 mld dollarësh investime të huaja direkte gjatë vitit 2018 duke u renditur e dyta në rajonin e Ballkanit

Sipas raportit të OKB-së për investimet në botë vendin e parë e mban Serbia me 4.1 mld dollarë e ndjekur nga Maqedonia me 737 mln dollarë, Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina.

Situata pozitive e nivelit të investimeve lidhet direkt me dy projektet gjigande të cilat, po mbajnë në këmbë investimet shqiptare siç është gazjellësi TAP, por edhe ndërtimi i hidrocentraleve mbi Devoll.

Në muajt e parë të këtij viti për shkak të punimeve intensive këto dy projekte kanë ndikuar në rritjen e Investimeve të huaja direkte në vend me 2%.

Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat të cilat tregojnë se në total investimet e huaja kapën vlerën e 286 milionë eurove.

Investimet në Shqipëri janë më shumë të përqëndruara në energji dhe industri nxjerrëse dhe vetëm një pjesë e vogël në manifakturë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme