Kosovë – Haradinaj: Me Serbinë nuk duhet diskutuar territori

Kosova ka nevojë të avancojë marrëdhëniet me shtetin fqinj, Serbinë, por pa diskutuar statusin e territorit, ka thënë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Kosovë – Haradinaj: Me Serbinë nuk duhet diskutuar territori

Haradinaj thotë se me Serbinë nuk duhet diskutuar territori

Kosova ka nevojë të avancojë marrëdhëniet me shtetin fqinj, Serbinë, por pa diskutuar status e territor, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj. I pari i Qeverisë, pohon se Kosova po ashtu nuk ka problem sa i përket kufirit me Serbinë.

“Ne duhet të avancohemi ose t’i zgjidhim marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Serbi, por kjo marrëdhënie nuk është me e zgjidhë statusin e Kosovës sepse ne statusin e kemi zgjidhë. Nuk është me e zgjidhë kufirin sepse është zgjidhë. E çka ka mbetur me zgjidhë, ka mbetur se çfarë marrëdhëniesh do të kemi, a duhet të njihemi reciprokisht apo jo”.

Kryeministri Haradinaj është shprehur se për të arritur marrëveshje të mirë, duhet të punohet së bashku në Kosovë.

“Nëse nuk duam të njihemi reciprokisht, duam të refuzohemi, refuzohemi por atëherë nuk mund të shet në tregun e Kosovës. Se atij që ia refuzon ekzistencën nuk mund t’ia marrësh tregun dhe kjo mund të jetë e përjetshme”.

Në anën tjetër, Haradinaj ka shtuar se po ecet përpara me projekte infrastrukturore. Njëherit ai iu bëri thirrje udhëheqësve të KEK-ut, që në përputhje me ligjin të mos harrohen obligimet që i ka marrë Qeveria e vendit ndaj këtyre banorëve sa I përket punësimit në Korporatë.

Ish-presidenti amerikan Clinton pritet me nderime të larta në Kosovë

Me nderime shtetërore është pritur në Kosovë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Presidenti Hashim Thaci dekoroi me “urdhërin e lirisë”  ish presidentin amerikan Bill Clinton. Thaçi tha se populli i Kosovës është tejet mirënjohës për vendimin që Clinton kishte ndërmarrë më 1999 për të nisur bombardimet ndaj forcave serbe dhe për të çliruar popullin e Kosovës.

“Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë, shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk ka çmim që mund të shpërblej kontributin tuaj, sepse, dekorimi më i madh është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në krejt Ballkanin Perëndimor”, tha Thaci.

Ndërsa Clinton tha se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët. Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova meriton të jetë në BE dhe NATO.

Clinton është pritur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj,I cili përmes një komunikate ka thënë se falë vendosmërisë së presidentit Clinton, u jetësuar ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe në demokraci. “Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton, ka shkruar Haradinaj.

Albright pritet me nderime në Kosovë

Ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright, tha se Kosova është vend i pavarur dhe ashtu duhet të njihet. Ajo në takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për nder të 20 vjetorit të çlirimit të vendit, tha se e kujton përfundimin e luftës në Kosovë dhe thirrjet e qytetarëve USA.

“Më duhet të them se asgjë nuk më bënë më të nderuar se të jem pjesë e Kosovës. Jam krenare me atë që bëtë ju, por edhe që bëra unë. Kurrë nuk do ta harroj kur erdha në Prishtinë, pasi përfundoi lufta dhe atëherë i dëgjoja njerëzit duke thërritur USA”, ka thënë Albright.

Ndërsa, presidenti Thaçi tha se Albright do të mbetet gjithmonë heroinë e Kosovës ngase e ndaloi krimet serbe. Thaçi e nderoi ish sekretaren me çmimin ‘Urdhri i Lirisë” për kontributin e saj për liri dhe pavarësi të Kosovës. Zonja Albright u prit edhe nga kryeperlamentari Kadri Veseli, i cili i dhuroi një punim filigrani nga Prizreni në shenjë nderimi për kontributin e saj për Kosovën, ndërsa më vonë Albright u prit edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili i dhuroi pullën postare me fotografinë e saj.

Veseli vazhdon të udhëheq me PDK-në

Partia Demokratike e Kosovës dot udhëhiqet edhe për një mandat 4 vjeçar nga Kadri Veseli, për të cilin votuan të gjithë pjesëmarrësit e Konventës së nëntë Zgjedhore të kësaj partie. Ai nuk kishte kundër-kandidat dhe me votim të hapur e unanim, Partia Demokratike e Kosovës, ri-zgjodhi Veselin, i cili tha se ndjehet krenar që i takon PDK-së.

Veseli, tha se është i vendosur dhe nuk do të lejoj askënd të pengoj proceset e mira për vendin dhe se PDK, me platformën Dekada e Re, Kosovën do të bëjë vend të zhvilluar e të mundësive të barabarta.

Kadri Veseli, që mori një mandat të dytë në krye të PDK-së, është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai pasoi në këtë post presidentin aktual, Hashim Thaçin, i cili drejtoi PDK-në që nga themelimi e deri sa u zgjodh president.  Në konventën e nëntë zgjedhore PDK, zgjodhi edhe kryesinë e re.

Arrestohet një shqiptar nga FBI, flet VV

Lëvizja Vetëvendosje ka folur për aferën e fundit, të quajtur “Shahini”. Komiteti për Shëndetësi i Lëvizjes këtë aferë po e ndërlidhë me aferën ”Spitali” ku u keqpërdoren 20 milionë euro për Sistemin Informativ Shëndetësor.

Anëtari i kësaj partie, Jusuf Hulaj, arrestimin e Imer Shahinit nga FBI e ndërlidhi me aferën “Spitali”, ku me këtë rast kërkuan drejtësi për 20 milionë euro që është dashur të investohen në avancimin e Sistemit Informativ të Shëndetësisë. Hulaj thotë se projekti duhet të kryhet sepse është i nevojshëm.

“Ne si lëvizje s’do të ndalemi të kërkojmë përgjegjësi se ku kanë shkuar gjithë ato mjete, që është ndarë nga buxheti i Republikës së Kosovës e donatorët, e posaçërisht nga qeveria e Luksemburgut. Është e pafalshme për ministrinë e Shëndetësisë që ky projekt jetik për shëndetësinë e Kosovës të mos realizohet”, tha ai.

Ndërsa Mirsad Shkretaj, konsideroi se projekti që po realizohet është keqpërdorim edhe mes kompanive që janë të lidhura politikisht .

“Lënda ka shkuar edhe në prokurori dhe prokurori Shkëlzen Ibrahimi s’ka marr asnjë iniciativë deri më sot. Këto lloj qasje kuy qytetarët tanë mund të realizojnë vetëm 40% të shërbimeve shëndetësore në këtë sistem shëndetësor, varfërohen edhe më shumë edhe sipas raportit të progresit. Kjo përbën fashizëm politik.” tha ai..

Imer Shahini, është arrestuar gjatë javës pas një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të Nju-Jorkut.

GSJP thotë se Dhomat e Specializuara në kundërshtim me Kushtetutën

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se themelimi i dhomave të specializuara për të gjykuar krimet e luftës në Kosovë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare. Rreze Hoxha nga kjo organizatë, tha se në hulumtimin e përgatitur është marrë për rast studimi Minir Hasani dhe Blerim Kuqi, të cilët kanë pranuar urdhër që të dorëzojnë dokumentet dhe informata tjera që tregojnë mbi lokacionin fizik dhe juridik të tyre, gjë që sipas Hoxhës shkojnë në disfavor të tyre.

Se themelimi i dhomave të Specializuara ka qenë një padrejtësi dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës e tha edhe kryesuesja e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ndërsa themelimi i një tribunali për krime të luftës tha se nuk duhet as të diskutohet.

Ndërsa, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Avni Puka, tha se askund në botë nuk mund të ketë dëshmitarë të dyshuar, siç ka ndodh në rastet e thirrura nga prokurori i specializuar.

Një qëndrim të tillë e mbështeti edhe avokati Artan Çekini, kurse këto diskutime u bënë në tryezën e organizuar nga GSJP me temë “Gjykimi i krimeve të luftës në kohë krize: Zhvillimet e fundit lidhur me dhomat e specializuara dhe Tribunali i propozuar për krime lufte në Kosovë”.

BE mbështet Autoritetin e Konkurrencës

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me një projekti tre vjeçar po  e mbështet Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin për Ndihmë Shtetërore. Buxheti i këtij projekti do të jetë 3 milionë euro, ku do të krijojë standarde të qëndrueshme ekonomike.

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së, Ricardo Serri, tha se kjo mbështetje ofron kapacitete institucionale dhe bazë të qëndrueshme ekonomike në pajtim me kërkesat e BE-së.

“Kosova ka potencial sa i përket anës ekonomike dhe ka një frymë ndërmarrëse. Sidoqoftë ka shumë për t’u bërë e sidomos në fushën e ndihmës shtetërore”, ka thënë Serri.

E ministri i Financave, Bedra Hamza, tha se ky projekt do të mbështesë dhe të përmbushë masat e MSA-së, inventarin gjithëpërfshirës dhe legjislacioni  primar dhe sekondar të ndihmës shtetërore”.

“Projekti do ti forcojë kapacitetet funksionale dhe teknike të departamentit të ndihmës shtetërore, si dhe të komisionit për të siguruar mbikëqyrjen më të madhe në fushën e ndihmës shtetërore”, tha Hamza.

Ndërkaq drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se Komisioni ka shqiptuar 1 milion e 200 mijë euro dënime, por, sipas Prestreshit, Autoriteti i Konkurrencës ka humbur të gjitha lëndët në gjykata për shkak se gjyqtarët nuk kanë përvojën e duhur në trajtimin e lëndëve të konkurrencës.

Dhurohet gjak për të shpëtuar jetë

Në kuadër të javës së dhurimit vullnetar të gjakut me moton “jep dhuratën më të çmuar – dhuro gjak”, 60 pjesëtarë të FSK-së dhe 50 nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë dhuruar gjak në tendën e improvizuar nga Qendra për Transfuzionin e Gjakut në sheshin “Zahir Pajaziti”. Drejtoresha e Qendrës për Transfuzionin e Gjakut, Bukurie Zhubi, ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës dhe dhuruesit vullnetarë të gjakut që iu bashkëngjitën këtij aksion.

14 qershori, Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut ka për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës që të kuptojë që dhurimi i gjakut është i dobishëm, për arsye se gjaku duhet ta pretë pacientin dhe jo pacienti gjakun.

Kolonel  Major, Sefer Isufi, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, tha se sa herë që organizohen aksione të tilla, FSK çdo herë i bashkëngjitet aksionit të dhurimit të gjakut.



Lajme të ngjashme