Mali i Zi, Shqipëria dhe Italia bashkëpunojnë për pastrimin e Adriatikut

Në Kotor u prezantua projekti “Mirë se erdhe” që ka për qëllim pastrimin e detit nga mbetjet plastike.

Karadağ plajları.jpg
Ferdinand Nagj_Mehmet Zenka.jpg
Karadağ TİKA iftar 2019.jpg
Songül Özan_Karadağ Tuz  Belediyesi ziyaret.jpeg
Karadağ_Ülgün_Dinlerarası Hoşgörü toplantısı.jpg

Mali i Zi, Shqipëria dhe Italia bëhen bashkë për pastrimin e detit Adriatik nga mbetjet plastike

Mali i Zi, Shqipëria dhe Italia bëhen bashkë për pastrimin e detit Adriatik nga mbetjet e plastikës. Një projekt i përbashkët, i quajtur “Mirë se erdhe”, u prezantua në Kotorr, në një forum për makro-rajonin Adriatiko-Jonian. Që nga nisja e mbledhjes së të dhënave në 2018, plazhet e Shqipërisë rezultojnë më të ndoturat me 240 kg mbeturina, prej të cilave 73% janë plastikë. Më pak të ndotur janë plazhet italiane Torre Chianca, Frigole dhe San Cataldo në rajonin e Salentos, të ndjekura nga ata malazeze, me 60 kg mbeturina, prej të cilave 60% janë plastikë. Ekspertët bëjnë thirrje për rritjen e bashkëpunimit në të tre vendet, që do të përfshinte jo vetëm pastrimin e zonave të ndotura detare, por edhe gjetjen e mënyrave për parandalimin e ndotjes në detin Adriatik. Gjithashtu, kërkuesit dhe biologët e projektit synojnë që të ftojnë artistë dhe dizajnues në krijimin e barrierave miqësore ndaj mjedisit për mbrojtjen nga erozioni, duke përdorur materialet drusore të grumbulluara nëpër plazhe.

Takimi Zenka-Nagj: Mali i Zi me hyrjen në BE investon në prosperitetin dhe stabilitetin e tij

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Mehmet Zenka u takua me Ambasadorin e Rumanisë në Mal të Zi, Ferdinand Nagj. Ai me këtë rast ka thënë se Mali i Zi është duke ndjekur me sukses rrugën e tij evropiane. Duke u bashkuar me Bashkimin Evropian, do të kontribuojë në diversitetin, pasurinë e burimeve, stabilitetin dhe sigurinë". Ambasadori i Rumanisë z. Nagj citohet të ketë thënë se Rumania do të vazhdojë të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme të ekspertëve në procesin e pranimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe të shkëmbejë përvoja që mund të ndihmojnë Malin e Zi në negociatat e pranimit. Diplomati i lartë rumun u njoftua nga ana e ministrit Zenka me kompetencat e Ministrisë së Pakicave dhe rolin që ka ky dikaster në procesin e integrimit e veçmas detyrimet që dalin nga kapitulli 23.

Lehtësira për të punësuarit shqiptarë nga Mali i Zi

Nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi kanë njoftuar se Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për përjashtimin nga nevoja e pajisjes me leje pune dhe certifikatë regjistrimi për punë për të gjithë shqiptarët nga Mali i Zi që punojnë dhe veprojnë në Shqipëri. Ky vendim vjen si rezultat i punës, përpjekjeve dhe bashkëpunimit të suksesshëm të faktorit shqiptar në Mal të Zi me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

TIKA në Podgoricë shtron iftar të madh për nder të muajit të Ramazanit 

Tashmë është bërë traditë që për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit Ambasada e Turqisë në Podgoricë, Agjencia Turke për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe Koordinim (TIKA) dhe organizatat e tjera humanitare nga Turqia organizojnë iftare, japin pako me ndihma dhe mbështesin njerëzit në nevojë. TIKA në Podgoricë organizoi iftar ku ishin më shumë se 200 të ftuar, zyrtarë, përfaqësuese të korit diplomatik, përfaqësues të konfesioneve, politikanë etj. Të pranishmëve iu drejtuan koordinatori i TIKA-s në Mal të Zi, z. Enver Resuloğulları dhe Ambasadorja e Republikës së Turqisë, Songül Özan. Në të njëjtën kohë u shfaq dhe një film i metrazhit të shkurtër i cili fliste për kontributin dhe projektet e realizuara të TIKA-s në botë. Edhe me këtë rast u përsërit qëndrimi që TIKA do t’i ofrojë ndihmë Malit të Zi si një shtet mik i Turqisë. Në një atmosfere të bukur të iftarit në Podgoricë, TIKA edhe një herë dëshmoi kultivimin e bashkëpunimit, kulturës, ndihmës dhe tolerancës.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë, vizitoi Komunën e Tuzit

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, me bashkëpunëtorët, ka pritur ambasadoren e Republikës së Turqisë, Songül Özan, në një vizitë miqësore në komunën më të re në Mal të Zi. Në bisedë miqësore dhe të përzemërt, bashkëbiseduesit janë shprehur të kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm dhe gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes dy vendeve mike. Ambasadorja, Özan, po ashtu, ka përgëzuar pushtetin e sapozgjedhur në Komunën e Tuzit, dhe, në veçanti, ka theksuar vlerat tradicionale të harmonisë ndërnacionale dhe ndërfetare, të kultivuara nëpër shekuj në këto hapësira”, kumtuan nga Komuna e Tuzit.

Në Ulqin u organizua konferenca “Ta ruajmë harmoninë ndër fetare” 

Instituti IDEA në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit realizoi konferencën me titull: “Ta ruajmë harmoninë ndërfetare”, ku mblodhi figura të ndryshme të jetës politike, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të institucioneve tjera në vend, prijës fetarë, si dhe të shoqërisë civile. Të ftuarit në panel ishin prijës të tre komuniteteve fetare të Shkodrës. Kisha Ortodokse, Kisha Katolike si dhe Myftinia. Tubimi kishte temë bosht ruajtjen e harmonisë fetare si vlerë e cila duhet kultivuar me kujdes sidomos në këto kohë të trazirave globale. Në emër të Komunës së Ulqinit, fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetarja e komunës së Ulqinit, Hatixhe Gjoni. Gjithashtu organizimin e tubimit e përshëndetën edhe pjesëmarrësit tjerë. Pas konferencës u shtrua Sofra e Iftarit me moton “Sofra e Harmonisë Ndërfetare”. Sofra e iftarit u përcoll me mesazhe pozitive nga tre komunitetet e lartpërmendura.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme