Vizita apostolike e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut

Të martën (7 prill) në Maqedoninë e Veriut për vizitë njëditore ka qëndruar kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku.

Papa Fransis'in Kuzey Makedonya'ya ziyareti 01.jpg
Papa Fransis'in Kuzey Makedonya'ya ziyareti 05.jpg

Vizita apostolike e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut

Ati i Shenjtë gjatë qëndrimit në Shkup u takua me Presidentin në largim, Gjorgje Ivanov dhe Kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës e ka vlerësuar si historike dhe një vizitë që bart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Kreu i Vatikanit është ndalur në rëndësinë e karakterit shumetnik që ka Maqedonia e Veriut si shtet.

"Përkatësitë e ndryshme fetare dhe etnike, mes maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe të tjerëve, kanë krijuar një mozaik të bukur, i cili do të zbukurohet edhe më tej nëse do të dini që ta bartni këtë mozaik edhe në gjeneratat e reja”, ka theksuar Papa Françesku.

MESHA NË SHESHIN MAQEDONIA

Në praninë e rreth 15.000 qytetarëve nga vendi dhe besimtarëve nga shtete të tjera, Kreu i Kishës Katolike të Romës, Papa Françesku, mbajti meshën në sheshin "Maqedonia” në Shkup. Papa dërgoi mesazh për paqe, bashkëjetesë, dashuri më të madhe për Perëndinë dhe për njerëzit, për të zëvendësuar indiferencën dhe shpifjet me ndjeshmëri dhe shpresë, për të kapërcyer stereotipat dhe për t'u kujdesur për njëri-tjetrin.

Papa është përkulur para përmendores së Nënë Terezës të vendosur para shtëpisë përkujtimore të shenjtores, ku edhe është takuar me liderët e komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut.

VIZITË HISTORIKE NË MAQEDONINË E VERIUT

Vizita e Papa Franceskut është vizita e parë në këtë shtet e një drejtuesi të kishës katolike.

Vizita e tij u vlerësua si akt historik, vizitë kjo e cila  realizohet në momentin e rëndësishëm historik për vendin, kur shteti ecën përmes rrugës së integrimeve evropiane dhe euroatlantike, kur përforcohet kohezioni i brendshëm dhe sjell mesazhe për pajtim dhe solidaritet. Vizita e Papës, siç është vlerësuar, çon drejt avancimit të paqes rajonale dhe botërore dhe paraqet mirënjohje për rolin që vendi ka në këto procese.

Vizita e Papës u realizua ne kohën kur Maqedonia e Veriut e fitoi edhe presidentin e ri të shtetit.

STEVO PENDAROVSKI PRESIDENTI I RI I MAQEDONISË SË VERIUT

Në mandatin e ardhshëm 5-vjeçar, kryetar i Maqedonisë së Veriut do të jetë Stevo Pendarovski. Ai fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën më 5 maj.

Në zgjedhjet e së dielës ai ka fituar përballë kandidates së opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova, me një epërsi prej rreth 6 për qind të votave.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Stevo Pendarovski, kandidat i Socialdemokratëve të Kryeministrit Zoran Zaev, ka fituar  51,71 për qind të votave përballë kandidates së VMRO DPMNE-së, e cila ka siguruar 44,68 për qind të votave.

PENDAROVSKI: DO TË JEM PRESIDENT I SHTETIT NGA I CILI NUK DO TË TURPËROHENI

Stevo Pendarovski, pasi ka shpallur fitoren si president i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, ka falënderuar popullin me fjalët: "Populli im, faleminderit. Ju falënderohem të gjithëve maqedonas, shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq dhe të tjerë që në zgjedhje të drejta dhe demokratike vendosët që bashkë të shkojmë përpara. Sot fituan qytetarët, dua të deklaroj se do t'iu shërbej me përkushtim të gjithëve”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

AHMETI: PRESIDENTI I ARDHSHËM TË KETË PARASYSH VULLNETIN E QYTETARËVE NË RESPEKTIMIN E KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, duke falënderuar votuesit shqiptarë për mbështetjen që i dhanë idesë së konsensualitetit, theksoi se kjo ishte alternativa e vetme drejt NATO-s dhe BE-së. Duke ia uruar fitoren, ai e porositi Pendarovskin që të bëjë detyrën duke respektuar parimin e konsensualitetit.

SILJANOVSKA: PRANOJ HUMBJEN

Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova, në një konferencë për shtyp e pranoi humbjen.

Seanca e Kuvendit në të cilën do të inaugurohet Presidenti i porsazgjedhur i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pritet të mbahet më 12 maj.

Pendarovski do të jetë presidenti i pestë i Republikës. Këtë funksion para tij e ka kryer Kiro Gligorov, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov, nga i cili Pendarovski do të marrë detyrën.

-Përgatiti për TRT Shqip, Nazmie Pacolli, Shkup



Lajme të ngjashme