Edi Rama takon Emirin e Katarit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Katar me ftesë të Emirit të Katarit, Lartësisë së Tij Sheikut Tamim bin Hamad Al Thani.

Edi Rama takon Emirin e Katarit

Edi Rama takohet me Emirin e Katarit

-Presidenti Meta: Kthimi i vizave nga parlamenti i Holandës, këmbanë alarmi dhe akt i pa precedentë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar për herë të parë lidhur me votimin e fundit të Parlamentit Holandez, i cili votoi për rikthimin e vizave për Shqipërinë.

Në një emision mediatik Meta tha se duhet të bëjmë çmos që kjo që ka ndodhur sot të mos kthehet në efekt domino edhe për vendet e tjera, me qëllim që këto vende të mos kthejnë regjimin e vizave me Shqipërinë.

Nuk do të doja ta nisja si me krizën dhe me lajmin që na vjen nga Holanda. Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë, sepse në dijeninë time nuk ka ndodhur më parë që të ketë një mocion të tillë për Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë. Sigurisht është një kambanë alarmi dhe ne na duhet të japim mesazhe më të forta për krimin e organizuar që nuk është një shqetësim jo vetëm për Holandën por edhe me vende të tjerë, siç mund të jetë Britania e Madhe. Së dyti duhet të punojmë sa me ngushtë me Komisionin Evropian që të mos kemi më një situatë që mund të krijonte një perceptim negativ për Shqipërinë. Kjo na tregon që janë disa arritje që mund të jenë të cenueshme për vendin tonë. Kjo kërkon një reflektim dhe angazhim të fortë”,- tha ai.

Ndërsa, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një intervistë mediatike sqaroj publikisht se Shqipëria nuk ka rrezik për kthimin e vizave...

***

-Shqipëria solidarizohet me Francën

Shqipëria solidarizohet me Francën duke, u bërë ndër kontribuuesit e parë financiarë për rindërtimin e katedrales së Notre Dame.

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 100 mijë euro.

Fondi i mbledhur deri më tani kap shifrën rreth 1 miliard euro. Vetëm në harkun e 24 orëve u mblodhën 700 milion euro.

Franca synon që ta rindërtojë brenda pesë viteve katedralen e “Notre-Dame” të shkatërruar nga zjarri para disa ditëve. 

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të martën e kaluar se “Monumenti Historik”, duhet të jetë gati për Lojërat Olimpike që vendi organizon në vitin 2024.

***

 

-Rama takon Emirin e Katarit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Katar me ftesë të Emirit të Katarit, Lartësisë së Tij Sheikut Tamim bin Hamad Al Thani.

Kreu i qeverisë shqiptare u prit me një ceremoni të posaçme zyrtare ku merrnin pjesë personalitetet më të larta të shtetit.

Kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë nga Emiri i Katarit, Lartësia e Tij Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si dhe shprehën angazhimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, kryesisht në turizëm dhe infrastrukturë.

Gjithashtu, zhvillimi i turizmit dhe i tregtisë së ndërsjellë, u theksua si prioritet.

Gjatë vizitës në Katar, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dypalësh me kryeministrin e Katarit, Abdullah bin Naser Al Khalifa Al Thani.

Homologët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues mes vendeve, si dhe u dakordësuan që potenciali bashkëpunues të zhvillohet edhe më tej në fusha si ajo e bujqësisë, agroindustrisë, energjisë dhe në mënyrë të veçantë, energjisë së rinovueshme. Me interes u mirëprit edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror.

Kryeministri i Katarit, u shpreh se është ngritur një grup i posaçëm pune, në krye të të cilit është ai vetë, i cili do të realizojë së shpejti një vizitë në Shqipëri, me qëllim identifikimin e potencialeve dhe orientimin sa më të mirë të investimeve në bashkëpunimin Shqipëri – Katar.

Gjithashtu, gjatë takimit u firmosën disa marrëveshje: Marrëveshje Për Transportin Detar mes qeverisë së Shtetit të Katarit dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, etj.

Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj.

***

-Fondacioni turk “Maarif” organizon në Tiranë Panairin e Arsimit

Fondacioni Maarif i Turqisë (TMV) më 13-14 prill në Tiranë organizoi panairin arsimor i cili synon rritjen e numrit të studentëve të huaj në universitetet e Turqisë dhe promovimin e universiteteve turke jashtë vendit.
Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i Shqipërisë, Eduard Shalsi, zv. kryetari i Fondacionit Maarif, Osman Kabaktepe, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, koordinatori Fondacionit Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri, pedagogë dhe studentë. 
Zv.kryetari i Fondacionit Maarif, Kabaktepe, tha se vizioni i Fondacionit Turk Maarif është të bëhet një institucion arsimor pionier që edukon njerëzit me mendje të pastër, të cilët, sipas tij përdorin dijen për arritjen e paqes dhe mirëqenies së njerëzimit.

Ndërkombëtarizimi ka qenë dhe vazhdon të jetë fokusi më i rëndësishëm për Fondacionin Turk Maarif. Në një periudhë të shkurtër që nga themelimi në 2016, Fondacioni Turk Maarif është bërë një markë globale duke zhvilluar partneritete në më shumë se 70 vende dhe zotërimin e shkollave në 32 vende të ndryshme. Me studentët që shkojnë nga niveli para-shkollor deri në arsimin e lartë, shkollat Maarif paraqesin një mjedis të gjallë akademik dhe shoqëror, i cili përpiqet të krijojë një kulturë të mirëkuptimit dhe respektit dhe të shfrytëzojë potencialin unik të çdo nxënësi", tha ai. 

Duke ju drejtuar të rinjve shqiptarë Kabaktepe tha se "Rëndësia e Shqipërisë në rajon është e pamohueshme dhe të gjithë jeni individualisht të vlefshëm për zhvillimin dhe përparimin e saj. Nëse doni që vendi juaj dhe në përgjithësi rajoni të përmirësohen, arsimi i mirë, trajnimi i duhur, formimi i marrëdhënieve të bazuara në paqe do të jetë mbështetja juaj më e madhe".

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, tha gjatë fjalës së tij se ky panair edukimi është një mundësi e shkëlqyer për shqiptarët që të mësojnë më shumë për Turqinë.

"Edukimi midis vendeve tona është një fushë e mrekullueshme bashkëpunimi dhe ne po bëjmë një rritje në numrin e studentëve që vijnë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Mësimi i gjuhës turke dhe zotërimi i plotë i gjuhës turke krijon një mundësi të madhe punësimi në Shqipëri për të rinjtë shqiptarë. Pse? Për shkak se ne kemi rreth 450 kompani turke që punojnë në Shqipëri në një gamë të gjerë sektorësh, nga bankat tek minierat, nga tekstilet tek aviacioni, energjia, infrastruktura dhe komunikimi", tha ambasadori Yöruk.

"Jam i bindur se vëllezërit dhe motrat tona shqiptare do të zgjedhin Turqinë si destinacionin e tyre për arsimin e lartë dhe shpresoj se ky panair edukimi mund të kënaqë pritshmëritë tuaja dhe të hapë mundësi të reja për karrierën në të ardhmen”, tha ambasadori turk.

Panairi dyditor që u organizua për herë të parë në Shqipëri mbahet edhe nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Në panair morën pjesë Universiteti İstanbul Şehir, Universiteti Nişantaşı, Universiteti İstinye, Universiteti Şey Edebali nga Bilecik-u, Universiteti Ömer Halis Demir nga Niğde, Universiteti Pamukkale, Universiteti i Üsküdar-it, Universiteti Aydın i Stambollit, Universiteti İlim nga Qiproja, Universiteti i Erciyes-it, Universitet Ndërkombëtar Final, Universiteti Gelişim i Stambollit, dhe institucione të tjera arsimore, duke përfshirë edhe Universitetin e Fondacionit Maarif në Shqipëri, Universitetin ”New York” Tirana.

***

-Porti i Durrësit, stacion i rëndësishëm për Gazsjellësin TAP

Porti i Durrësit vijon të jetë një stacion i rëndësishëm për realizimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP), projekti i të cilit ka hyrë në fazën e shtrimit të tubacioneve në det.

Thuajse të gjitha mjetet lundruese që po punojnë në këtë proces, janë
ankoruar që prej katër muajsh herë pas here në kalatat e portit më të madh të Shqipërisë.

Anije të tipit rimorkiator, dragë thelluese apo ponton kanë lundruar drejt
Durrësit apo brigjeve në jug në mbështetje të këtij projekti të
rëndësishëm në pjesën nënujore që lidh brigjet e Shqipërisë me ato të Italisë
jugore.

Që nga muaji prill i vitit 2016 në kalatat e portit të Durrësit janë shkarkuar
dhjetëra makineri dhe pajisje, si dhe mbi 130 mijë tonë tubacione, të cilat u
shtruan kryesisht në territorin shqiptar ku kalonte gjurma e Gazsjellësit.

***

-Kukës, përkujtohet 20-vjetori i eksodit të kosovarëve

Në Kukës u përkujtua gjatë kësaj jave 20 vjetori i eksodit masiv të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga forcat policoredhe ushtarakeserbe. Në kujtim të eksodit të vitit 1999 është improvizuar një tjetër eksod në kohë paqeje, ku në mënyrë simbolike me qindra qytetarë nga Kosova kanë kaluar kufirin Vërmicë -Morinë për të mbërritur në Kukës. Ata janë shprehur se ajo periudhë ishte çmenduri dhe i falënderohen  Shqipërinë që ju hapi dyert në atë kohë  të errët për Kosovën.

Në përkujtim të 20 vjetorit ishte i pranishëm edhe Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ish- kryeministër në kohën e luftës, nga ku u shpreh se kufiri mes dy shteteve vazhdon të jetë po ai i ish-Jugosllavisë dhe duhet punuar për ta shndërruar në një kufi të shqiptarëve, duke nënkuptuar heqjen e kufirit.

"…Është kënaqësi. Pas 20 vitesh, flet vetë gjithçka, çfarë ka ndodhur, si kujtohet, çfarë ka ndryshuar dhe arsyeja përse jemi të gjithë bashkë këtu. Jemi shqiptar, dhe ky kufiri këtu është kufiri i Jugosllavisë. Duhet ta bëjmë të Kosovës dhe Shqipërisë", tha Majko.

Gjithashtu para mediave përshëndetën, kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu si dhe kryetarët e komunave të Mitrovicës dhe Prizrenit, Agim Bahtiri dhe Mytahir Haskuka.

Siç çdo vit, bashkia e Kukësit dhe shoqata “Eksodi 99” bëjnë pritjen simbolike të qytetarëve kosovarë në Morinë, ndërsa në nder të këtij përkujtimi u organizuan veprimtari të shumta.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 



Lajme të ngjashme