Kalin në Maqedoni: Keni përshëndetje nga 81 milionë qytetarë të Turqisë në trojet e Anadollit

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, në Shkup u mbajt pritje solemne nën organizimin e Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB) dhe në mbështetje të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Kalin në Maqedoni: Keni përshëndetje nga 81 milionë qytetarë të Turqisë në trojet e Anadollit

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, në Shkup u mbajt pritje solemne nën organizimin e Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB) dhe në mbështetje të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në pritjen solemne të pranishëm ishin zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski, ministri pa resor i Maqedonisë përgjegjës për Investimet e Huaja, Adnan Qahil, ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, ministri në Qeverinë e Maqedonisë për Marrëdhënie me Diasporën, Edmond Ademi, zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Haluk Dursun, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, kryetari i TIKA-s, Serdar Çam, deputetë dhe mysafirë të shumtë.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Kalın, i cili u adresua në një fjalim pas intonimit të himneve të të dy vendeve, tha se është një lumturi e veçantë shënimi i festës së gjuhës turke.

Duke shprehur mirënjohje ndaj të gjithëve pjesëmarrësve të komunitetit turk nga vende të ndryshme të Maqedonisë në shënimin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, Kalın falënderoi edhe miqtë nga Maqedonia për mikpritjen.

"Keni përshëndetje nga 81 milionë qytetarët nga Turqia, nga trojet e Anadollit. Përshëndetje nga Stambolli, Bursa, Konya, Mardini, Urfa. Por, këtu të gjithë kemi përshëndetje nga Jerusalemi, Bosnja dhe Samarkandi. Dhe të gjithë atyre qyteteve tona të bukura, atyre trojeve që flasin gjuhën tonë dhe gjuhën e zemrave tona, ne gjithashtu u dërgojmë përshëndetje, duke i respektuar dhe duke u lutur për ta. Natyrisht, krahas këtyre, presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan u dërgon përshëndetje të gjithë juve", u shpreh Kalın.

Ndërkaq, Adnan Qahil tha se Festa e Arsimit në Gjuhën Turke është ditë e rëndësishme për komunitetin turk që jeton në Maqedoni.

Qahil theksoi se ekzistojnë mungesa në zhvillimin e turqishtes në Maqedoni.

"Është e dobishme të punojmë së bashku për t'i mënjanuar këto mungesa. Duhet ta avancojmë këtë. Me këtë rast, dua t'i falënderoj TIKA-n dhe MATUSITEB-in. Në të njëjtën kohë, dua të falënderoj presidentin Recep Tayyip Erdoğan për mbështetjen e tij në këtë drejtim", tha Qahil.

Zëvendësministri turk, Dursun, nga ana e tij, falënderoi Maqedoninë për festimin e 21 Dhjetorit, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, duke e cilësuar si fakt tejet gëzues mundësinë që u është ofruar bashkatdhetarëve të tij të mësojnë turqishten.

Kjo ditë, tha ai, u ofron mundësi bashkatdhetarëve turq të kujtojnë rrënjët e tyre.

"Njëkohësisht, kjo ofron një kontribut madhështor në ruajtjen dhe zhvillimin e diveristetit kulturor në Maqedoni", shtoi Dursun.

Dursun tha se janë të gatshëm t'ua japin mbështetjen maksimale të mundur organizatave turke në Shkup, si ambasada, Instituti Yunus Emre, TIKA dhe YTB, për zhvillimin e turqishtes, ndërsa shtoi se Turqia është e gatshme të ofrojë përpjekjet e nevojshme për të nxjerrë në dritë vlerat e përbashkëta të pranishme në të dy vendet.

Ndërkohë, kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, tha se dhjetë vite më parë ishte një pikë kthese për turqit e Maqedonisë, duke shtuar se prania e komunitetit turk u dokumentua përmes ligjësimit të festës së 21 Dhjetorit.

Duke deklaruar se si turq të Maqedonisë përjetojnë emocionin e gjuhës turke dhe të qenit së bashku dhe të pranishëm me kulturën e tyre, Emin e përshkroi festën e gjuhës turke si tregues i përpjekve të viteve të kaluara dhe një mbledhje të çmuar ku konsultohen hapat që mund të ndërmerren në të ardhmen.

Emin tha se MATÜSİTEB ka realizuar aktivitete për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve turq në fushat sociale, politike, ligjore dhe socio-ekonomike, veçanërisht në arsimin në gjuhën amtare.

"Fatkeqësisht, çështja e arsimit është në një fazë në të cilën turqit e Maqedonisë ende janë në pritje të një zgjidhjeje", deklaroi Emin.

Turqit në Maqedoni shënuan Ditën e arsimit në gjuhën turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në Shkollën Fillore “Tefeyyüz” në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të Qeverisë së Maqedonisë, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin etnik turk në Maqedoni.

Anadolu Agency (AA)

 


Lajme të ngjashme