Amerika dhe Evropa kërkojnë të luftohet korrupsioni në Kosovë

Në Kosovë në organizim të disa organizatave joqeveritare si dhe në mbështetje të USAID-it amerikan, ka filluar “Java Kundër Korrupsionit 2018”.

1104738
Amerika dhe Evropa kërkojnë të luftohet korrupsioni në Kosovë
Kosova Adalet.jpg
Hykmete Bajrami.jpg
Philip Kosnett.jpg
Kosova insan haklari.jpg

Ambasadorët e shteteve të Kuint-it që përbëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe katër shtetet e mëdha evropiane, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë kërkuar në Prishtinë luftimin e korrupsionit në Kosovë. Këtë e kanë bërë gjatë një konference të përbashkët edhe me Zyren e Be-së në Kosovë, gjatë fillimit të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”

Aty në fillim ka folur shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, e cila ka thënë se Kosova ka ligje për luftimin e korrupsionit, por duhet të zbatohen.

“Ne si BE kemi kërkuar nga Kosova ta luftojë korrupsionin, e cila edhe ka qenë edhe kusht për liberalizimin e vizave. Këto politika mbesin në dorën e politikanëve kosovarë, kohëve të fundit ka pasur përparim të mirë përmes miratimit të disa ligjeve, mirëpo miratimi i tyre tani duhet zbatohet në praktikë”, tha Apostolova.

Ashtu si shefja e Be-së, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kërkoi zbatimin e ligjeve, në mënyrë që të luftohet korrupsioni. Kosnet tha se Kosova ka ligje të mira për luftimin e korrupsionit.

“Por është e qartë se kjo nuk mjafton. Ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Kurse ne e dimë që disa zyrtarë qeveritarë marrin mito, punësojnë të afërm dhe ndërhyjnë në gjyqësor. Disa abuzojnë rregullisht pozitën zyrtare për të krijuar beneficione për veten e tyre, anëtarë të familjes apo edhe shokë. Për keqardhje ka zyrtarë që shpesh e shtyjnë përpara interesin personal përpara të mirave për publikun”, tha ai.

E Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruari  O’Connell ka thënë se në mënyrë që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe i sigurt, duhet të luftoj korrupsionin, sikur që luftohet në Britani. Ai ka shtuar se në sistemin e drejtësisë ka ndërhyrje nga pushtetarët dhe se dihen kush janë ata, ashtu sic dihen edhe zyrtarët e lartë të korruptuar.

“Kur flasim për politikanë që cenojnë prokurorë për mos ta hetuar korrupsionin, ne e dimë për kë po flasim, kur flasim për nepotizëm, për punësimin e njerëzve pa meritë, por për shkak të lidhjeve partiake apo personale, ne e dimë për kë po flasim. Por është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptojë që keni përkrahjen nga partnerët e juaj ndërkombëtarë”, tha O Conell.

Për nevojën e luftimit të korrupsionit u shprehën edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, i ngarkuari me punë në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel Voss, si dhe ambasadori i Francës, Didier Chabert.

***

SHBA-të kërkojnë që zyrtarët e korruptuar në Kosovë të shkojnë në burg

Ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por nuk mjafton ti keni sistemet në letër nëse ato nuk zbatohen me ndershmëri, plotësisht dhe në mënyrë të vijueshme, ka thënë Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett. Në një promovim sensibilizues në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, Ambasadori Amerikan, ka dhënë mesazhe të qarta se SHBA-ja është e përkushtuar të ketë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit, duke theksuar se beson se përkushtimi i qeverisë dhe popullit të Kosovës për ta luftuar korrupsionin në çdo nivel është themeli i arritjes së begatisë dhe integrimit perëndimor që synohet.
Ambasadori Kosnett, në këtë mesazh, thekson se qytetarët e Kosovës duhet të shohin që ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe që ai përdoret për të ndëshkuar sjelljen korruptuese, veçanërisht kur kryesit janë zyrtarë qeveritarë dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. 

“Ju nxis që të shikoni përtej interesave personale dhe ta kërkoni me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien që qytetarët e dëshirojnë dhe e meritojnë. Llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”, ka thënë Ambasadori Kosnett.

***

Thaçi thotë se korrupsioni është armiku më i madh i shoqërisë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se korrupsioni është armiku më i madh i një shoqërie demokratike.

“Korrupsioni është armiku më i madh i një shoqërie demokratike dhe aktivitetet në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit janë shumë të rëndësishme për krijimin e një dinamike të re në luftën kundër kësaj dukurie negative. Kosova ka krijuar legjislacionin më modern në rajon dhe institucionet duhet ta kenë rolin dominues në luftën kundër korrupsionit, por gjithsesi se nevojitet edhe një angazhim i fuqishëm qytetar, që kjo luftë të sjell rezultate më shumë. Funksionalizimi i tërë mekanizmave që merren me zhbërjen dhe parandalimin e korrupsionit është hap jetik për forcimin e shtetit të së drejtës”, ka shkruar Thaci.

***

Haradinaj jep shtesë financiare në pagë për prokurorët special

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se prokurorët specialë do të kenë edhe shtesa në pagat e tyre që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit. Haradinaj këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook:

“Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, mund të krenohemi me ligjet e reja, që fuqizojnë sundimin e ligjit në fushën antikorrupsion. Me qëllim të zbatimit të këtyre ligjeve në praktikë, në Mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të vendosim për shtesë financiare në pagë për prokurorët specialë, me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale, si hap i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit. Prokurorët specialë, të cilët ndjekin këtë fushë, nga nesër do të kenë edhe shtesat e pagës që do t’u japë atyre më shumë konfidencë që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit. Për këtë, sistemit të drejtësisë duhet t’i vijnë në ndihmë edhe qytetarët dhe shoqëria civile, duke bashkëpunuar ngushtë, që në një të ardhme të afërt, të jemi dëshmitarë se shteti i së drejtës do të triumfojë në këtë betejë”, shkruan Haradinaj. 

***

Shtesat për prokurorë konsiderohen të jashtëligjshme

Menjëherë pas publikimit të lajmit në Facebook të kryeministri Haradinaj për shtesa për prokurorë, kanë reaguar njohësit e sistemit të Drejtësisë. Betim Musliu nga Instituti Kosovar i Drejtësisë, ka kundërshtuar kryeministrin me një status në Facebook:

“Mazamakeq, knej miratojne ligje, të cilat i ndalojnë shtesat, në çfarëdo forme, knej shiten kinse po dojnë me luftu korrupsionin, duke i "stimulu" me shtesa. Ec e bjeri në fije. A ka more naj zyrtare aty në Qeveri, që lexon Kushtetute e ligje, me njoftu Kryeministrin që NUK lejohen shtesat për prokurore e gjykatës, sepse janë të kundërligjshme. Prokuroret e gjykatësit, duhet me pas siguri juridike në paga, jo kur ti teket Qeverise, përmes lojnave politike, mu mundu me shit kishe si vullnet të saj, për me luftu korrupsionin, përmes shpërblimeve financiare - shtesave. Mjerim për besë!”, ka shkruar ai.

Kundër shtesave ka reaguar edhe kolegu i tij Ehat Miftaraj.

“Bash në javën kundër korrupsion, Kryeministri i vendit sigurohet që përmes vendimeve të Qeverisë me shkel ligjin. E kur këtë e bazon kishe me ju jep prokuroreve stimulim me luftu korrupsionin, atëherë hipokrizia e kalon çdo kufi. Kryeministër nuk po Ju jep pare shtese me luftu korrupsionin, por po i blen bash mos me luftu korrupsionin. P.S. Paga e një Prokurori është afërsisht 2500 euro”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

***

Haradinaj paralajmëron masa të reja kundër Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se pas taksës 100%, Serbia mund të përballet edhe me masa të tjera. Megjithatë ai nuk tregoi se cilat mund të jenë ato masa. Sipas mediave serbe, ato  janë: heqja e sistemit të pagesave në veri të Kosovës, ndalimi i hyrjes së ministrave dhe zyrtarëve serbë, si dhe ndalimi i hyrjes për automjetet me targa të Serbisë.

Ndërkohë për këto masa të reja ka folur këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi. Ai për RTK-në ka thënë se shumë shpejt qeveria e Kosovës do të marrë vendim për hyrjen në fuqi të atyre masave. “Ato janë ndalimi i  automjeteve me targa të Serbisë, ashtu siç ndalohen ato të Kosovës në Serbi, ndalimi i mallrave të kompanive me brende botërore që hyjnë nga Serbia, mos njohja e dokumenteve të Republikës së Serbisë dhe masa të tjera”, ka thënë Arifi.

***

Bashkëpunimi mes KEK-ut dhe KESH-it, shembull i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Drejtori Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi priti të hënën në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Aty është biseduar për bashkëpunimin e dy korporatave shqiptare, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH), në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike dhe mundësit e reja për rritjen e bashkëpunimit.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi e ka njoftuar ambasadorin se ndër vite është ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror mes KEK-ut dhe KESH-it.

“Bashkëpunimi mes KEK dhe KESH duhet të vlej si shembulli me i mirë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona. Kemi ndërtuar partneritet të mirëfilltë, vëllazëror në interes të qytetarëve dhe pa i dëmtuar në asnjë rast interesat e dy korporatave. Në çdo situatë i përgjigjemi kërkesave të njëri tjetrit dhe i ofrojmë bashkëpunim në shkëmbim të energjisë elektrike bazuar në kapacitetet qe kemi në dispozicion. Ky bashkëpunim, pra shkëmbimi i energjisë elektrike në rastet kur kemi mungesa të mëdha njëra palë dhe ka kapacitete, teprica pala tjetër shkëmbehet 1 MË/h me 1MË/h, pra aq sa marrim sasi e kthejmë dhe anasjelltas. Kjo forme e bashkëpunimit nuk e dëmton asnjërën palë dhe është në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër ambasadori Qemal Minxhozi ka shprehur gatishmërinë për të thelluar edhe më tepër këtë bashkëpunim. Ambasadori gjatë këtij takimi ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur edhe iniciativa apo projekte të reja qe janë në interes të dy vendeve në sektorin e energjisë elektrike. Ndër të tjera është biseduar edhe për mundësit e financimit të përbashkët, Kosovë – Shqipëri për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. 

***

Komisioni nuk miraton anëtarët e Bordit të AKP-së

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), është kthyer mbrapsht nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, me arsyetimin se nuk janë përfillur procedurat e konkursit.

Deputetja nga Lidhja Demokratike, Hykmete Bajrami, tha se procesi i emërimit të anëtarëve të AKP-së duhet të respektoj memorandumin me Ambasadën e Britanisë në Kosovë. Me shumicë votash kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.

Komisioni e miratoi edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për protokollin shtesë 5 të marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në marrëveshjen e Tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Kjo marrëveshje parasheh lehtësira të mëdha për bizneset eksportuese nga Kosova, ka thënë zëvendësministrit i Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.

Por, deputeti Dardan Sejdiu kërkoi sqarime se cka do të ndodhë nëse Serbia nuk i përfill marrëveshjet e Tregtisë së Lirë.

Zëvendës-ministri Bekim Jupa tha se edhe me këtë marrëveshje Kosova ka të drejtë të nxjerrë masa reciprociteti me të gjitha vendet që nuk i përfillin marrëveshjet.

***

Marsh për të drejtat e njeriut

Institucioni i Avokatit të Popullit dhe shumë organizata joqeveritare marshuan në sheshin kryesor të Prishtinës me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”.  Avokati i Popullit, Hilmi Jashari kërkoi respektim të të drejtave të njeriut.

“Është 70 vjetori i themelimit të Konventës për të Drejtat e Njeriut. Kemi dal si marshues për te kërkuar edhe më tutje respektimin e të drejtave të njeriut pasiqë në Kosovë ende mbetet sfidë”, tha Jashari.

Gjatë ditës, në Teatrin Kombëtar u pasqyruan video përmes së cilës persona me aftësi të kufizuara pasqyruan shkelje të të drejtave. Kurse, është shprehur edhe nevoja për ndryshime të praktikave gjyqësore për të drejtave të grave.



Lajme të ngjashme