Në Shqipëri u zhvillua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave të Materialeve Polimere

Në Durrës është zhvilluar Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Shkencave të Materialeve Polimere. Kongresi u realizua nën koordinimin e Shoqatës së Kimistëve nga Turqia dhe Universitetit 18 Marsi nga Çanakalaja e Turqisë, në bashkëpunim me TIKA.

Në Shqipëri u zhvillua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave të Materialeve Polimere

-Në Shqipëri nën koordinimin e Turqisë u zhvillua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave të Materialeve Polimere

Në Durrës është zhvilluar Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Shkencave të Materialeve Polimere. Kongresi u realizua nën koordinimin e Shoqatës së Kimistëve nga Turqia dhe Universitetit 18 Marsi nga Çanakalaja e Turqisë, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe disa universitete nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe vende të rajonit. Në të morën pjesë akademikë nga Turqia, rajoni dhe bota.

Ayhan Oral, ligjërues në Universitetin 18 Marsi dhe njëherësh kryetar i Kongresit, tha se kongresi është pjesë e projektit të nisur nga Shoqata e Kimistëve dhe universiteti në fjalë.

Ai tha se qëllim i projektit është ndarja e përvojave shkencore me dashamirët në këtë rajon, me të cilët, siç tha ai, Turqia ka lidhje shpirtërore.

"Për këtë arsye, ne filluam këtë organizim për ta rritur bashkëpunimin mes universiteteve, organizatave joqeveritare, shoqatave dhe shkencëtarëve. Edicionin e parë e organizuam vitin e kaluar në Ohër të Maqedonisë. Të dytin po e organizojmë në Shqipëri. Shpresojmë që të tretin ta organizojmë në një vend tjetër të këtij rajoni", tha Oral.

Ai e cilësoi si të rëndësishme praninë e pjesëmarrësve nga vende të ndryshme, pasi, siç theksoi ai, besojnë se do të këtë ndërveprim, për të cilin nevojiten pjesëmarrës nga vende të ndryshme.

"Këtë vit kemi më shumë pjesëmarrës nga Ballkani, krahasuar me vitin e kaluar. Krahas kësaj, kemi përfaqësues edhe nga Koreja, SHBA dhe Franca dhe një numër të vogël edhe nga shtetet e tjera të Evropës. Por, ajo që e vlerësojmë dhe është e rëndësishme për ne është diversiteti i pjesëmarrësve në Ballkan", deklaroi Oral.

Ai tha se kongresi do të jetë një mundësi për bashkëpunim dhe përfitim njohurish për shkencëtarët dhe studentët nga Ballkani dhe pjesëmarrësit e tjerë nga Turqia dhe vendet e tjera.

Kongresi ka zgjatur deri më 12 nëntor.

-Bashkimi Evropian, mbështetje Shqipërisë për avancimin në Axhendën Dixhitale

Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në hapat e radhës që do të ndërmarrë në kuadër të avancimit të Axhendës Dixhitale. Kjo u konfirmua nga Komisionerja e Bashkimit Evropian për Ekonominë Dixhitale dhe Shoqërinë, Mariya Gabriel, e cilau prit në një takim nga zv.kryeministrja Senida Mesi.

Gjatë takimit, u diskutua mbi fokusin e qartë që ofron Axhenda Dixhitale dhe mbi progresin e bërë nga Shqipëria, mbi sigurinë kibernetike, si dhe mbi marrëveshjen e re për uljen e tarifave Roaming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera, u vlerësua progresi i madh që ka bërë Shqipëria në drejtim të aftësimit dixhital, promovimit të ‘start up’-ve në fushën e dixhitalizimit dhe inovacionit.

Në këtë kuadër, Mesi shprehu bindjen e plotë se, “do të vijojë puna e nisur në bashkërendim mes qeverisë, botës akademike dhe bizneseve”. Numri i dy i qeverisë, u shpreh se Shqipëria po merr mbështetjen e Bashkimit Evropian edhe për të përfituar nga fondet që BE ka vendosur në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të axhendës  digjitale.

Në kuadër të kësaj iniciative të Bashkimit Evropian janë vënë në dispozicion 80 milionë euro që do të jenë për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj është shumë e rëndësishme që ekspertiza e BE-së të na ndihmojë jo vetëm për rishikimin e strategjisë, por edhe në përcaktimin e hapave të nevojshëm dhe të domosdoshëm që Shqipëria të jetë si vendet e rajonit për të thithur sa më shumë këto fonde me qëllim që axhenda digjitale t’i shërbejë zhvillimit ekonomik”, u shpreh Mesi.

-Në Tiranë ceremoni përkujtimore për Ataturkun

Në Shqipëri janë mbajtur ceremonitë përkujtimore me rastin e 80-të vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Ambasada e Turqisë në Tiranë organizoi një program me rastin e 80-të vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturkut. Pas intonimit të himnit kombëtar të Turqisë u mbajt një minutë heshtje. Në ceremoninë e organizuar në ambientet e ambasadës së Turqisë në Tiranë, merrnin pjesë ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe qytetarë turq që jetojnë në Shqipëri.

Punonjësit e ambasadës së Turqisë dhe të pranishmit nderuan figurën e Mustafa Kemal Ataturkut, me qëndrim nderi.Gjithashtu vendosën lule pranë bustit të Ataturkut që ndodhet në ambientet e ambasadës.

Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük tha: “Kujtojmë me mirënjohje dhe respekt në 80- të vjetorin e ndarjes nga ne Gazi Mustafa Kemal Ataturkun, themelues i Republikës së Turqisë dhe burrë i madh shteti. Përkulemi me respekt para kujtimit të tij”.

Kujtojmë se me programe dhe aktivitete të ndryshme në mbarë Turqinë kujtohet 80-të vjetori i ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës moderne të Turqisë.

Mustafa Kemal Ataturk, ndërroi jetë më 10 nëntor 1938, në moshën 57 vjeçare.

-Turqia ndihmon Shqipërinë për shmangien nga përmbytjet

Një delegacion i ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Turqisë, zhvilloi para pak ditëve një vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të projekteve dhe studimit të terrenit për të shmangur përmbytjet. Në këtë vizitë mori pjesë zv.ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve të Turqisë,  Akif Özkaldı.

Gjatë takimeve në Titranë me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), u diskutua për projektet dhe studimin e terrenit për të shmangur përmbytjet në Shqipëri në të ardhmen, ku Özkaldı tha se qëllimi i vizitës së delegacionit është për të parë nga afër se çfarë mund të bëjnë rreth përmbytjeve që kanë ndodhur 2 vitet e fundit në Shqipëri dhe për bisedime në lidhje me temat se ku mund të bashkëpunojnë.

 “Me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Turqi dhe anëtarët e saj bëmë një vlerësim rreth mundësive, investimeve dhe bashkëpunimeve që mund të bëjmë në ditët në vijim në Shqipëri”, u shpreh Özkaldı. 

Më tej Özkaldı, u shpreh: “Do të bëjmë vlerësime rreth çështjeve në lidhje me pyjet, përmbytjet dhe në bujqësi se çfarë mund të realizojmë. Para kësaj vizite, në prill të këtij viti kishim dërguar një ekip nga ministria jonë. Bënë një studim rreth çështjes së përmbytjeve. Sot, ne gjithashtu do të shikojmë një perspektivë më të gjerë se çfarë bashkëpunimi mund të bëjmë në sektorët e ujit, bujqësisë dhe pylltarisë". 

I pyetur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, Özkaldı deklaroi se ato janë shumë të mira.

Po të shikojmë historinë, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë gjithmonë kanë qenë të mira. Kanë vazhduar në mënyrë miqësore. Ka një bashkëpunim të mirë tani, por duhet t’i zhvillojmë vazhdimisht. Ka shumë kompani turke këtu që zhvillojnë aktivitetet në fusha si energji, mjekësi, sektorin bankar, dhe në shumë sektorë të tjerë. Këto takime do të kenë një ndikim pozitiv në rritjen e këtyre marrëdhënieve”, përfundoi Özkaldı.

Delegacioni studioi gjendjen në rrethet e Shkodrës dhe të Vlorës, konkretisht në shtretërit e lumenjve Vjosa, Drini dhe Buna.

Vlen të përmendet se në vitet e fundit Turqia ka ofruar ndihma të ndryshme për banorët e prekur nga përmbytjet në disa qytete të Shqipërisë.

-Panair rajonal për Zogjtë e Kafazit

Në Shkodër u organizua edicioni i dytë i Panairit i Zogjve të Kafazit, organizuar nga Shoqata e Ornitologëve e Shqipërisë me mbështetjen e bashkisë së Shkodrës. Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Të apasionuarit e rritjes sa zogjve në kafaz kana patur mundësi që t’i promovojnë ato nëpërmjet këtij panairi.

Panairi mori spunto nga idea e federatës së ornitologëve, dega Shkodër, të cilët synojnë që këtë kultivim ta përhapin sa më shumë. Në panair u ekzpozuan 800 shpendë të rracave të ndryshme. Në këtë panair rajonal merrte pjesë edhe kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi e cila shpërndau edhe çertifikata vlerësimi për kultivuesit e zogjve si dhe përshëndeti të pranishmit…

Panaire të tilla sipas vetë kultivuesve të zogjve në kafaz janë të domosdoshme, pasi promovojnë vlerat që kanë.

Ndërsa, kanë marrë pjesë edhe fermerë të ardhur nga trojet shqiptare dhe shqiptarë që jetojnë në Itali. Panairi zgjoi interes të shumtë, kryesisht tek përfaqësuesit e federatës së ornitologëve të Kosovës…



Lajme të ngjashme