Shqipëri-Greqi vazhdojnë negociatat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Në konferencën për median me homologun e tij gjerman ministri i Jashtëm dhe për Evropën, Ditmir Bushati foli për ecurinë e marrëveshjes së Shqipërisë me Greqinë.

Heiko Maas_Ditmir Bushati.jpg
Yedi Hilal Derneği_ALSAR ziyaret_1.jpg
Kardeşliğin Tarihi_Historia e Vellazerise Yarışmacıları İstanbul ziyaret_05.jpg
Arnavutluk_Osmanlıca Yaz Okulu_01.jpg
dikey resim_Bana Masal Anlatma komedisi_Arnavutluk_İşkodra_01.jpg
Kardeşliğin Tarihi_Historia e Vellazerise Yarışmacıları İstanbul ziyaret_09.jpg

-Shqipëria po vazhdon negociatat me Greqinë për të zgjidhur divergjencat dhe mosmarrëveshjet 

Në konferencën për median me homologun e tij gjerman, Heiko Mass, i cili vizitoi Shqipërinë para pak ditëve, ministri i Jashtëm dhe për Evropën, Ditmir Bushati foli për ecurinë e marrëveshjes së Shqipërisë me Greqinë. Ai foli për një strategji të orkestruar për të mbajtur peng marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“…Ne jemi në një dialog intensiv me Greqinë. Koha është e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, në disa raste është edhe kritike. Kemi hedhur hapa substanciale për disa çështje që konsideroheshin deri para disa vitesh tabu. Jemi në tryezë qoftë për kufizimin e zonave detare, ashtu dhe për sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me kufirin tokësor, menaxhimin e piramidave dhe incidenteve kufitare.

Por nga ana tjetër, për fat të keq shohim qartë dita ditës se ka një strategji të qartë të orkestruar për ta mbajtur peng dhe për të mos lejuar që marrëdhënia shqiptaro-greke të çlirojë energjinë që ajo mundet. Duhet ta kuptojmë shumë qartë se, së pari nuk ka qenë e lehtë të ulesh në tryezën e bisedimeve, qoftë për çështje ekzistenca e të cilave mohohej. Së dyti, në një tryezë të bisedimeve nuk triumfon në asnjë lloj rrethane, vullneti i njërës palë, por parimet e të drejtës ndërkombëtare, barazia e palëve në një proces, i cili tanimë ka 10 vite sa i takon përcaktimit të zonave detare që diskutohet në formate të ndryshme, me një intensitet shumë më të madh nga 2014 e këtej...”.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, vuri në dukje se gjatë negociatave në disa raste ka paqartësi se çfarë kërkohet të arrihet.

“…Duke ndjekur debatin, por jo vetëm debatin mediatik dhe konsultat politike të zhvilluara për këtë çështje, bazuar në Autorizimin që ka lëshuar Presidenti i Republikës dhe Plotfuqishmërinë që më pas kam lëshuar për gjithë ekipin negociator, kam vënë re se në disa raste ka paqartësi se çfarë kërkohet të arrihet. Ne besojmë se jemi në një rrugë të mbarë për të arritur një marrëveshje për të tre çështjet që unë shpjegova, qoftë në det apo në tokë, një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme, e drejtë dhe shumë më e mirë se ato që kemi parë në të shkuarën edhe për faktin se tashmë kemi nxjerrë disa mësime nga gabimet e së shkuarës, pavarësisht se ata që kanë bërë ato gabime sot bërtasin më shumë në çdo lloj media për gjoja copëtim të trojeve shqiptare apo tradhti të radhës ndaj kombit shqiptar, e kështu me radhë.

Mendoj se të gjithë faktorët politikë kanë nevojë të sillen me më shumë përgjegjshmëri sa i përket kësaj dosje. Nuk e di nëse ka një strategji të përcaktuar apo është një koincidencë fakti se si opozita në Greqi ashtu dhe opozita në Shqipëri duket se ndajnë të njëjtin qëndrim për këtë çështje. Fakti që ka kundërshti qoftë në Greqi për atë çfarë ne po bëjmë me palën greke, tregon se ne jemi në rrugën e duhur…”, tha më tej Ministri i Jashtëm dhe për Evropën, Ditmir Bushati në lidhje me negociatat me Greqinë për çështjen e kufirit detar etj.

***

-Investimet e huaja në Shqipëri, 62% rritje në 3-mujorin e parë të vitit

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë, Sonila Qato deklaroi se, investitorët e huaj nuk hezitojnë për të ardhur në Shqipëri dhe se numri i tyre është rritur.

Në një intervistë televizive, ministrja Qato dha një përgjigje për tërë frikërat që kanë qarkulluar së fundmi në media se Shqipëria rrezikon që nga njëri vit në tjetrin të përballet me sfidën e zvogëlimit të investimeve të huaja direkte në kushtet kur dy projektet e mëdha të energjisë (TAP dhe Devolli) po kompletohen.

Ju garantojmë se investimet janë vetëm në rritje, tha ajo.

Fakti që në 3 mujorin e parë të 2018 është shënuar një rritje më 62% e investimeve të huaja thotë që nuk jemi në këto kushte dhe kjo tregon se nuk ka hezitim nga të huajt. Investimet e huaja nuk kanë rënë dhe TAP nuk është i vetmi investitor dhe nuk e prish bilancin”, theksoi ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.

Pak ditë më parë ishte raporti i Komisionit Evropian, ai që dha vlerësime mbi ecurinë e investimeve të huaja në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit.

Të hyrat e Investimeve të Huaja Direkte pritet që të financojnë plotësisht deficitin e llogarisë korrente. Përgjatë 10 viteve të fundit investimet e huaja direkte kanë financuar 76 për qind të deficitit të llogarisë korrente. Në 12 muaj deri në shtator 2017 IHD-të neto tejkaluan deficitin me 41 për qind ndërkohë që ndërtimi i dy projekteve të mëdha në fushën e energjisë shënoi kulmin.

Në Programin e Reformave Ekonomike parashikohet që Investimet e Huaja Direkte do të mbeten të forta dhe do të tejkalojnë deficitin e llogarisë korrente me rreth 20 për qind në çdo vit të programit. Ky Program i Reformave Ekonomike njeh faktin që të ardhurat nga Investimet e Huaja Direkte që lidhen me dy projekte gati në përfundim do të zvogëlohen por duket se pret pa ndonjë diskutim që kjo do të kompensohet nga projekte të reja të Investimeve të Huaja Direkte. Gjithsesi, suksesi i Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja në vitet e fundit ka qenë gjerësisht i përqendruar në industri me bazë tek burimet natyrore dhe të patregtueshme”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë aspekt Komisioni vlerëson se “…Këto lloj investimesh mbartin me vete riskun që të shterin, ndërkohë që propozon që Shqipëria të fokusohet tek investime që paraqesin vlerë të shtuar dhe e përfshijnë atë në zinxhirin global të furnizimit”, citon ndër të tjera raporti i KE-së.

*** 

-Shoqata “7 Gjysmëhënat” me qendër në Stamboll vizitë në Tiranë

Një delegacion i Shoqatës “7 Gjysmëhënat” me qendër në Stamboll, Turqi i kryesuar nga kryetari i saj, Mustafa Enesoğlu në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërinstitucional vizitoi Fondacionin ALSAR.

Gjatë këtij takimi të zhvilluar në një frymë të ngrohtë e vëllazërore, Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR, i paraqiti miqve të nderuar një prezantim të veprimtarisë së fondacionit prej themelimit të tij dhe deri më ditët e sotme, duke hedhur dritë mbi arritjet, përpjekjet dhe angazhimet e tij për të ofruar dhënien e kontributit në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe ruajtjes e zhvillimit të vlerave të traditës kulturore e kombëtare.

Ndër të tjera, ai u shpreh: ”…Të marrësh përsipër të kurosh sado pak plagët e shoqërisë, është një mision i vështirë. Megjithatë, pavarësisht çdo sfidë, Fondacioni ALSAR i ka realizuar me sukses iniciativat dhe projektet e tij. E mbi të gjitha çdo vështirësi u lehtësua së pari falë mirësisë e ndihmës së të Madhit Zot, por në këtë kontekst dua të vlerësoj gjithashtu edhe kontributin e pazëvendësueshëm të partnereve tanë donatorë si dhe mbështetjen e vazhdueshme të popullit vëlla turk për popullin shqiptar...”.

Kryetari i Shoqatës “7 Gjysmëhënat”, Mustafa Enesoğlu gjatë fjalës së tij shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për mikpritjen vëllazërore, duke vlerësuar njëherazi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me Fondacionin ALSAR.

***

-Në Tiranë, certifikohen studentët e Shkollës Verore të Osmanishtes 

Ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Shkollës Verore të Osmanishtes, organizuar nga instituti turk "Yunus Emre" Tiranë, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ka mbledhur së bashku pedagogë, studentë, si dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

Me rastin e certifikimit të studenteve të kësaj shkolle, dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artur Sula, duke folur në aktivitetin e organizuar në Tiranë tha se programi i shkollës ishte i konceptuar me disa alternativa.

"Ju shikuat Arkivin e Shtetit dhe Muzeun Historik Kombëtar. Besoj keni ngelur të kënaqur dhe nga kontakti fizik që patët me atë pjesë të dokumenteve që disponon Arkivi i Shtetit Shqiptar dhe Muzeu Historik Kombëtar", tha Sula.

Drejtori i institutit "Yunus Emre" Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, tha se ky aktivitet është një burim motivimi. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shkollës, Demirbaş tha se "Po të mos ishit ju ky aktivitet do të ishte i pamundur të organizohej. Ju përgëzoj gjithashtu edhe për sakrificën që keni bërë, pasi duke qenë periudhë pushimesh, ju i keni lënë mënjanë për të qenë pjesë e Shkollës Verore të Osmanishtes".

Shkolla Verore e Osmanishtes që u organizua në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës filloi më 2 korrik, ndërsa pjesë e saj ishin 38 pjesëmarrës, të ndarë në dy nivele, fillestar dhe i avancuar. Përveç përvetësimit të osmanishtes, studentët pjesëmarrës kanë marrë njohuri për marrëdhëniet historike, gjuhësore, trashëgiminë kulturore osmane në Shqipëri, etj.

***

-Historia e Vëllazërisë në Stamboll 

Me pjesëmarrjen e kryetarit të Sindikatës Arsimore Shqiptare (SPASH), Nevrus Kaptelli, drejtuesve të institutit turk “Yunus Emre” në Tiranë si dhe familjarëve, nga të katër anët e Shqipërisë për nxënësit fitues që morën pjesë në konkursin e letrës ’’Historia e Vëllazërisë’’ bashkë me mësuesit e tyre u përcollën ditën e diel për në Stamboll.

Për pesë ditë radhazi, pikërisht nga datat 22-26 korrik 2018, nxënësit do të vizitojnë vendet historike dhe turistike të Stambollit dhe gjithashtu do të njohin për së afërmi vëllazërimin shekullor mes dy popujve shqiptaro-turke.

***

-Në Shkodër shfaqet komedia turke “Mos më trego përralla” 

Instituti turk ”Yunus Emre”, mundësoi në kinema “Millennium” Shkodër takimin e kinemadashësve shkodranë me filmin “Mos më trego përralla”. Interesi për filmin të ardhur nga Turqia në Shkodër, me regji të Burak Aksak dhe inerpretim në role kryesore të Fatih Artman e Hande Doğandemir ishte mjaft i madh.

Zafer Kiyiçi, drejtor i institutit turk “Yunus Emre”tregon se kjo komedi vjen përherë të parë në Shqipëri dhe pikërisht në këtë qytet, e gjitha kjo për të takuar shkodranët me kinematografinë turke.

“Filmi është një prodhim me skenarist dhe regjisor Burak Aksak, në të cilin interpretojnë figura të njohura të kinematografisë turke.

Kjo komedi për herë të parë është shfaqur në perden e bardhë të Turqisë në vitin 2015 dhe besoj se do të jetë shumë argëtuese për publikun shkodran.

Po përpiqemi që në mënyrë të vazhdueshme të takojmë shkodranët më kinematografinë turke dhe shohim që ka interes”.

“Mos më trego përralla” mbante më vete mesazhin e saj se njerëzit duhet të besojnë në përralla, prej së cilës një e tillë e treguar vite më parë u kthye në realitet.

Një histori dashurie e cila kaloi mjaft pengesa dhe përfundoi pikërisht si në përralla, me një fund të lumtur.

Komedia me produksion të qendrës kulturore “Beshiktash” në bashkëpunim me institutin “Yunus Emre” solli për publikun shkodran jo vetëm mesazhin e dashurisë, por edhe të qeshurat që erdhën nga batutat e aktorëve, të cilët interpretuan këtë film kinematografik.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme