Kitaroviç: Mirënjohje popullit shqiptar për ndihmën që kanë dhënë për lirinë e Kroacisë

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar në Tiranë në një vizitë zyrtare Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç...

Kolinda Grabar-Kitaroviç - Ilir Meta 02.jpg
Kolinda Grabar-Kitaroviç - Ilir Meta 01.jpg
Kolinda Grabar-Kitaroviç - Ilir Meta 03.jpg
Kolinda Grabar-Kitaroviç - Ilir Meta 06.jpg
Kolinda Grabar-Kitaroviç - Ilir Meta 04.jpg
Kolinda Grabar-Kitaroviç - Ilir Meta 05.jpg

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Presidentja kroate u prit nga Presidenti Meta me një ceremoni zyrtare në selinë e Presidencës, ndërsa pas pritjes dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas një takim dypalësh në krye të dy delegacioneve respektive.

Pas takimit Meta dhe Grabar-Kitaroviç mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku Presidenti Meta tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kroacinë janë të shkëlqyera, ndërsa vlerësoi kontributin që Kroacia ka dhënë për Shqipërinë në proceset integruese.

"Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në. Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE është shumë e vyer për ne shqiptarët", tha Meta.

Sipas Metës, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit në atë të “partneritetit strategjik”.

Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme. Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës dhe infrastrukturës”, deklaroi Meta.

Ndërsa Presidentja e Kroacisë, Kitaroviç, në fjalën e saj tha se në takim kanë diskutuar për fuqizimin e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë dhe njëkohësish ajo ka shprehur falënderime për Shqipërinë si mik i Kroacisë.

"Shqipëria ishte miku ynë kur miqtë ishin të pakët, gjatë luftës për atdheun tonë. Komuniteti shqiptar në Kroaci është shembull i lidhjeve tona të forta, por është një shembull për fuqinë e këtij komuniteti që luftuan për lirinë e Kroacisë... Ne i jemi mirënjohës popullit shqiptar për ndihmën që kanë dhënë për lirinë e vendit tonë”.

Duke folur për integrimin e Shqipërisë në BE, Kitaroviç tha se Shqipëria ka mbështetje teknike dhe politike të fuqishme nga Kroacia në rrugën e saj drejt BE-së.

Në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, gjatë konferencës mes dy presidentëve, atij shqiptar dhe asaj kroate, u vu theksi tek shfrytëzimi i potencialeve të dy vendeve, si pjesë e zhvillimit rajonal. Kështu, nga projektet me rëndësi madhore u përmend ai i TAP, Korridorit Blu, por edhe bashkëpunimi detar ndërmjet porteve shqiptare dhe atyre kroate.

Nga ana tjetër, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit KombëtarPresidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç,  ”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, ka zhvilluar takime me drejtues të lartë të Shqipërisë si me Kryeministrin Edi Rama, me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha.

Presidentja kroate ka mbajtur edhe një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme