Shqipëri – Nis faza e re e rrugës drejt anëtarësimit në BE, hapat e 12 muajve të “screening”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takimin me ambasadorë dhe me strukturat e integrimit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme...

Edi Rama.jpg
Ditmir Bushati.jpg
Arnavutluk AB üyelik görüşmeleri.jpg
AB Konseyi.jpg
AB Genel İşler Konseyi sonuçlar.jpg

Ndryshim formal e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama diferencën mes çeljes së negociatave menjëherë dhe çeljes së tyre qershorin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që gjëja më e rëndësishme është fakti që puna përgatitore do të nisë menjëherë duke lejuar avancim të agjendës së integrimit edhe në këta 12 muaj. Kryeministri mbajti fjalën e tij në takimin me ambasadorë dhe me strukturat e integrimit evropian në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministritë e linjës, titulluar “Faza pasardhëse e procesit të pranimit të Shqipërisë, hapat dhe sfidat përpara”.

Edhe sikur, vuri në dukje Kryeministri Rama, të kishim çelje imediate të negociatave, do të na duhej një periudhë pune përgatitore, në të ashtuquajturin proces screening të procesit që do të merrte një kohë të caktuar, e cila normalisht shtrihet në 6 deri në 12 muaj. Ai gjithashtu hodhi poshtë se BE-ja i ka vendosur kushte Shqipërisë për çeljen e negociatave.

Më vjen sinqerisht për të qeshur dhe për të qarë kur thuhet Evropa ka vënë 12, 13 apo 7 kushte. Evropa nuk ka vënë asnjë kusht, thjesht ka nënvizuar kushtëzimet që ka. Qeshëm me Kryeministrin e Malit të Zi, se po diskutonim për 5 prioritetet dhe tha: Prit, prit, se ne jemi brenda negociatave dhe tani që flasim kemi 94 kushte dhe kur të mbarojmë këto do të dalin 124 të tjera. Kjo është më normalja. Sepse këtu nuk është çështje kushtesh speciale, por përputhshmërie në çdo aspekt të organizmit të shtetit tonë me organizmin e një shteti në parametrat e një vendi anëtar të BE-së. Është sinkronizim për të bërë dy organizmat një. Fakti që çelja e negociatave është përcaktuar pas 12 muajsh, por ndërkohë misioni do nisë menjëherë procesin përgatitor, është në kuptimin më të plotë i mirëpritur nga vendi ynë. Ndërkohë që, nga njëra anë, shtetet anëtare mund të zgjidhin problemin me veten dhe opinionin e vendeve të tyre, nga ana tjetër lejojnë procesin të fillojë pa humbur një minutë kohë. Paralelisht të ngremë gjithë strukturën e negociatave dhe të thellojmë punën në të gjitha drejtimet e përcaktuara nga teksti i Këshillit Evropian”, – theksoi Kryeministri Rama.

I të njëjtit mendim ishte dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili tha se në në këtë proces jam ndjerë shumë i lumtur që fqinjtë tanë, Italia dhe Greqia, kanë qenë avokatët më të zjarrtë të Shqipërisë. 

“…Dje, kam pasur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Holandës dhe ka qenë një bisedë shumë e mirë. Kemi përcaktuar dhe një kalendar për një bashkëpunim më të thelluar gjatë këtij viti, jo thjesht për programet e Holandës në Shqipëri, jo thjesht për prezencën ekonomike të Holandës në Shqipëri, por edhe për të komunikuar më mirë Shqipërinë në Holandë dhe arritjet tona e për të fuqizuar bashkëpunimin, kryesisht të agjencive ligjzbatuese…”.

Nga ana tjetër, Këshilli Evropian ka publikuar konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme pas dakordësisë së 28 shteteve anëtare të BE-së më datë 26 qershor, e cila përcaktoi udhën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Në pikën e 24-të të këtij dokumenti mbi konkluzionet për zgjerimin dhe stabilizimin, miratuar nga Këshilli tri ditë më parë, theksohet se: “Këshilli Evropian miraton konkluzionet mbi zgjerimin, stabilizimin dhe Procesin e Asociimit të miratuar nga Këshilli më 26 qershor 2018.”

Kjo pikë e dokumentit të KE-së përcakton qartë datën për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor të 2019-s.

Këshilli ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria sikurse e “përgëzon fuqishëm përafrimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian”.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme