Shënohet njëvjetori i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO

Kryeministri Dushko Markoviq tha se anëtarësimi në NATO është ngjarje historike, njëherësh përgjegjësi dhe sfidë për Malin e ZI.

Karadağ NATO üyesi oldu.jpg
karadağ nato.jpg
Karadağ-Kosova harita_sınır.jpg
Karadağ_TİKA yardımlar_Ramazan.jpg
Karadağ_Yunus Emre_Ebru kursu_diploma töreni.jpg
Karadağ_Yunus Emre_Ebru kursu_diploma töreni2.jpg

Në kryeqytetin historik të Malit të Zi, Cetinjë u mbajt një ceremoni e veçantë me rastin e njëvjetorit të pranimit të Malit të Zi në NATO. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm personalitete të larta shtetërore, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s. Fjalën e hapjes së ceremonisë së 1-vjetorit të anëtarësimit në NATO e mbajti Kryeministri Dushko Markoviq duke e cilësuar këtë si një ngjarje historike. Ai tha se Mali i Zi tani me 27 vendet anëtare të NATO-s ndan përgjegjësinë për sigurinë globale si dhe ruajtjen dhe forcimin e vlerave demokratike. Markoviq ka theksuar po ashtu se Mali i Zi do të vazhdojë të promovojë vlerat e lirisë, paqes dhe dialogut.

                                                                        ***

Aleatët e NATO-s ndihmë Malit të Zi me avionë për ruajtjen e hapësirës ajrore 

Aleatët e NATO-s, Italia dhe Greqia nga data 5 qershor kanë filluar patrullimin ajror të NATO-s mbi Malin e Zi. Meqenëse kjo republikë nuk ka avionë ushtarakë, aleatët do t’i ndihmojnë në sigurinë e hapësirës ajrore. Nga Brukseli theksojnë se Mali i Zi kontribuon drejt sigurisë së përbashkët të Aleancës me dërgimin e ushtarëve në mision e stërvitje të NATO-s në Afganistan duke dhënë edhe mbështetje financiare për forcat afgane të sigurisë. Në shenjë solidariteti mes aleatëve, Italia dhe Greqia do të ndihmojnë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Malit të Zi. Avionët italianë dhe grekë do të jenë edhe më tutje në bazat e tyre, por sipas nevojës do të përdoren për mbrojtjen e Malit të Zi. Patrullimi ajror, siç theksojnë nga NATO nuk është përgjigje e ndonjë kërcënimi specifik, por është e rëndësishme komponenti që jep NATO si siguri për anëtarët e saj.

                                                                 ***     

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq po zhvillon vizitën e parë të tij zyrtare jashtë shtetit në Bruksel. Ai u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jans Stoltenberg. Në të njëjtën kohë ai pati dhe takim me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogerini. Presidneti Gjukanoviq takime të ndara pati edhe me Kryetarin e Këshillit të Evropës Donald Tusk, kryetarin e Komisionit evropian Jan Klod Junker dhe me kryetarin e parlamentit evropian Antonio Taniani. Në këto takime u bë fjalë për situatën aktuale në Mal të Zi dhe rajon si dhe u shkëmbyen mendime për perspektivën e procesit të integrimeve dhe sfidave të mëtejme në këtë proces. 

                                                                   ***

Dorëzohet nota verbale për fuqizimin e marrëveshjes për kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës

Hyn në fuqi marrëveshja për demarkacionin e kufirit midis Malit të Zi dhe Kosovës. Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Ambasadori i Kosovës në Podgoricë, Skender Durmishi ia dorëzoi notën verbale drejtoreshës së përgjithshme për çështjet ligjore ndërkombëtare të Malit të Zi, Tatjana Raspopoviq. Pala malazeze është informuar se Kosova ka përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të marrëveshjes kufitare shtetërore midis dy vendeve e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015. Siç njoftohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi në pajtim me Nenin 12 të marrëveshjes, data e dorëzimit të notës së Kosovës gjithashtu është koha kur ka hyrë në fuqi marrëveshja pasi që të dyja palët kanë përmbushur procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të saj. Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjen në fund të dhjetorit të vitit 2015 për dallim nga Kosova, e cila të njëjtën e ka nënshkruar në mars të këtij viti .

                                                                   ***

Mali i Zi nis me rezultate pozitive sezonin turistik të vitit 2018-të

Organizata nacionale turistike e Malit të Zi duke iu referuar të dhënave statistikore thotë se në Mal të Zi në vendosjet kolektive gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë regjistruar rreth 153.000 turistë. Kjo shifër është 20% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë realizuar mbi 365.000 buajtje që shënon rritje për 13%. Rritje të numrit të turistëve janë shënuar edhe në muajin maj, e këtë e vërtetojnë edhe të dhënat e organizatave turistike nëpër qytete, ku sipas tyre numri i mysafirëve është shtuar për 40% krahasuar me muajin maj të vitit 2017. Sezoni turistik i këtij viti shënon rritje të konsiderueshme, kur janë në pyetje tregjet financiare. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Malit të Zi në katërmujorin e parë të këtij viti janë realizuar 30,7 milionë euro, shifër është kjo 18,5 % më e lartë se në vitin 2017. Parqet nacionale të Malit të Zi nga fillimi i vitit i kanë vizituar rreth 30% më shumë turistë se një vit më parë. Në këtë drejtim rritje më të madhe shënon Ndërmarrja Publike “Liqeni i Shkodrës”, ku vizitorët më të shumtë kanë qenë nga Evropa Perëndimore, vendet e Azisë, respektivisht Japonisë dhe Kinës. Lëvizje pozitive për 13 % më shumë se një vit më parë shënojnë edhe aeroportet e Malit të Zi. Oferta e begatë, avancimi i lidhjeve me vendet e Evropës dhe botës, çmimet e arsyeshme të akomodimit janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rezultate pozitive në turizëm. Sapo ka përfunduar “City Groove Fesival”, i cili tërhoqi një numër të madh të mysafirëve, ndërkohë që janë në rrjedhje e sipër aktivitetet “Xhada Film Festival”, karnavali ndërkombëtar i Tivatit, por është paralajmëruar dhe pjesëmarrja e kantautorit të njohur Goran Bregoviq me datën 13 korrik.

                                                               ***

Agjencia Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Koordinim (TIKA) në Mal të Zi po vazhdon me aktivitete humanitare për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në kuadër të iftarit të organizuar për 250 persona në qytetin e Bjelo Poljes, ajo ndau ndihma në artikuj ushqimorë për 100 familje në nevojë në veri të vendit. Po ashtu edhe Ambasade e Turqisë vazhdon me ndihma dhe iftare për nder të muajit të Ramazanit. Ajo ka paralajmëruar për ditën e premte iftar në Medresenë “Mehmet Fatih” në Tuz, ku si ç’do vit ftohen personalitete të larta shtetërore, miq dhe figura të njohura nga fusha e artit, kulturës dhe medias.

                                                               ***

Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë organizoi ceremoninë e përmbylljes së kursit të artit tradicional turk “Ebru”. Këtë aktivitet dhe kurs Instituti në fjalë e organizon në bashkëpunim me Departamentin e Artit dhe Edukimit të qytetit të Bursës (BUSMEK). Ky kurs përndryshe në Institutin “Yunus Emre” ka zgjatur nga data 4 shtator e vitit të kaluar. Në ceremoninë e ndarjes së diplomave për vijuesit e kursit EBRU kanë marrë pjesë drejtori i Departamentit për Çështje Shoqërore nga Bursa Ibrahim Karaman, koordiantori i shërbimit për art dhe kulturë Eyüp Arda, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit “Yunus Emre” në Podgoricë Can Güray si dhe ligjëruesja e kursit Zejnep Gültekin. Pas ceremonisë së ndarjes së diplomave në hapësirat e Institutit është hapur edhe ekspozita e punimeve të vijuesve me të suksesshëm të këtij artit tradicional turk.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme