Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 17-të)

Pasqyrimi në shtypin e kohës të Luftërave Ballkanike dhe i Pavarësisë së Shqipërisë (vijon nga numri i kaluar).

957939
Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 17-të)
Në shkrimin e javës së kaluar trajtuam procesin e pavarësimit të Shqipërisë sipas lajmeve që janë botuar në gazetën “Sabah” të kohës. Në këtë episod do të analizojmë Luftën e Parë Ballkanike dhe pavarësinë e Shqipërisë në bazë të burimeve të tjera. 

Periudha e Monarkisë Kushtetuese kishte për qëllim të fuqizonte strukturën politike dhe shoqërore të bashkësisë osmane duke forcuar sovranitetin turk dhe të siguronte përmes kësaj integritetin e shtetit. Vetëm aneksimi i Bosnjë-Hercegovinës nga Austria, shpallja e pavarësisë së Bullgarisë, tentativa e Greqisë për të aneksuar Kretën, kërkesat e shqiptarëve dhe arabëve për pavarësi vetëm pak muaj nga shpallja e Kushtetutës i zhgënjyen Unionistët (anëtarët dhe përkrahësit e Komiteti Bashkim dhe Përparim në pushtet). Ndërkohë që ushtria osmane gjatë këtij procesi ishte e zënë me kryengritjet në Jemen, Maqedoni, Shqipëri dhe trazirat e armenëve në Anadoll filloi lufta osmano-italiane në Tripoli.    Shtetet e Ballkanit e vlerësuan këtë shans dhe u dhanë shtysë aktiviteteve politike më përkrahje dhe mbështetje të jashtme. 

Menjëherë pas fillimit të luftës osmano-italiane Bullgaria duke siguruar edhe mbështetjen e Rusisë bashkë me Serbinë hodhi themelin e Aleancës Ballkanike. Serbët si prioritet kryesor kanë daljen në Adriatik. Kurse Bullgaria është për ndarjen e Maqedonisë në rast se arrin të parandalojë zgjerimin e Austro-Hungarisë në Ballkan. Në mars të 1912-s me aleancës bullgaro-serbe bashkohet edhe Mali i Zi. Në maj të vitit 1912 Bullgaria me Greqinë krijojnë një aleancë kundër Shtetit Osman[1]. Gjatë procesit të aleancës me mbështetjen e Shteteve të Ballkanit  dhe Austrisë ngrihen në kryengritje kundër Shtetit Osman shqiptarët katolikë. 

Këtu bie në sy fakti që Shtetet e Ballkanit bashkë me Austrinë dhe Italinë kanë plane të ndryshme në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë. Gjatë krijimit të aleancave Shtetet e Ballkanit në vend të njohjes së autonomisë apo pavarësisë së Shqipërisë bëjnë plane për ndarjen e tokave shqiptare ndërmjet tyre. Sipas këtyre planeve Mali i Zi do të merrte Shkodrën, Serbia do të merrte Kosovën dhe do të kishte një port me dalje në Adriatik, Bullgaria do të kishte Manastirin kurse Greqia kërkonte Janinën[2]. Austria me Italinë në 8 maj 1912 lidhin mes tyre një marrëveshje sipas të cilës Shqipërinë e ndajnë në zona të tyre të influencës dhe vendosin për të bashkëpunuar në rast të pushtimit të Shqipërisë nga një fuqi e tretë[3].

Në prag të Luftërave Ballkanike Shtetet e Ballkanin planifikojnë fillimin në të njëjtën kohë të kryengritjeve në veri dhe jug të Shqipërisë si dhe në Edirne dhe Maqedoni. Sipas planit palët bien dakord që me fillimin e kryengritjes në Shqipëria qeveria e Malit të Zi do të dërgonte forca luftarake nga veriu i Shqipërisë kurse qeveria greke do të dërgonte forca nga jugu, ndërsa Bullgaria do të dërgonte ndihma në Edirne. Sërish sipas të njëjtit plan shtetet përkatëse të interesuara me Maqedoninë do ta kryenin punën me forcat e tyre (çetat e armatosura), pra do të bënin masakra. Me angazhimin e Shtetit Osman për të shtypur këtë kryengritje të gjerë Shtetet e Ballkanit vendosin të kalojnë në veprim[4].

Në kohën, kur Shtetet e Ballkanit kishin krijuar aleanca kundër Shtetit Osman, ushtria turke përfshihet nga konfliktet e brendshme politike. Si reagim ndaj oficerëve Unionistë krijohet Grupi i Oficerëve Shpëtimtarë dhe përkrah Partinë opozitare të Lirisë dhe Bashkimit (Bashkimi Liberal). Përsëri në këtë periudhë ndërkohë që Rusia, Franca dhe Anglia mbështesin Shtetet e Ballkanit, ushtria osmane ndryshon trajtën e strukturimit të saj. Përveç kësaj kabineti i drejtuar nga Gazi Ahmet Muhtar Pasha shpërndan rreth 100.000 ushtarë me detyrë në Rumeli duke u nisur nga mendimi që Evropa do ta lejonte fillimin e një lufte në Ballkan. 

Dhe në këtë periudhë të vështirë Ismail Qemali bashkë me liderët dhe intelektualët e tjerë shqiptarë intensifikojnë bisedimet me Perandorinë Austro-Hungareze, sidomos me Konsujt e Austro-Hungarisë në Stamboll, Selanik dhe Paris si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti dhe kërkojnë mbështetje për pavarësinë e Shqipërisë[5].

Gjatë mobilizimit ushtarak që u shpall në prag të Luftës Ballkanike rreth 2/3 e shqiptarëve pasi morën armët u kthyen nëpër fshatrat e tyre[6]. Ndërsa me fillimin e luftës divizionet me ushtarë shqiptarë nuk pranojnë të marrin pjesë në luftë. Nga 10 mijë që ishte efektivi i divizionit të Elbasanit vetëm 2 mijë e shtatë vetë mblidhen për të luftuar. Në Pejë populli i kundërvihet me armë ushtrisë së rregullt, kurse divizioni i Prishtinës shpërndahet pa filluar mirë lufta[7]. Ahmet Hamdi këtë qëndrim të shqiptarëve e vlerëson nga një këndvështrim tjetër. Sipas tij qeveria e Bashkim e Përparimit i çarmatosi shqiptarët dhe i dobësoi e ligështoi ata, me kalimin e kohës ndaj shqiptarëve Porta e Lartë nuk u soll mirë dhe shqiptarët nuk u bënë dot ballë çetave bullgare dhe greke në Maqedoni. Duke qenë se kryengritjeve ndaj shqiptarëve u mbajt një qëndrim armiqësor edhe shqiptarët nuk e ndihmuan Shtetin Osman në këtë luftë[8].

Në fakt në fillimet e luftës shqiptarët janë në dilemë, të veprojnë bashkë me Shtetin Osman apo të ndahen prej tij. Kurse Komiteti Qendror Shqiptar e shikon të arsyeshme krijimin e një autoriteti qendror në Shqipëri dhe përvetësimin e një politike asnjanëse. Në shërbim të kësaj politike shqiptarët i japin mbështetje mbrojtjes së Janinës dhe Shkodrës, dy qytete të pazëvendësueshme për Shqipërinë. Mbajnë një qëndrim asnjanës, jashtë kryengritjes kundër Shteteve të Ballkanit që kishin sulmuar Kosovën dhe Vlorën[9]. Në reportazhin dhënë për një gazetare evropian Ismail Qemal Beu kishte thënë se serbët dhe bullgarët u kishin premtuar ndihmë shqiptarëve gjatë operacioneve ushtarake të osmaneve, por nuk e kishin pranuar këtë ndihmë dhe ajo që kërkonin shqiptarët ishte pavarësia[10].

Në datat 15-19 tetor 1912 Ekrem Bej Vlora realizon kontakte në Vjenë. Autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë i komunikojnë vendosmërinë lidhur me ruajtjen e statuskuosë (Status Quo) si dhe i premtojnë se do të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në rast se tërësia territoriale e Shqipërisë do të përballej me ndonjë kërcënim. Çështja shqiptarët në datat 25-30 tetor 1912 trajtohet në Vjenë dhe Austria shpall këtu planin e saj. Sipas këtij plani në rast të marrjes fund të sovranitetit osman do të pengohet dalja në det, deri në brigjet lindore të Detit të Adriatik, të një force tjetër dhe për ta realizuar këtë do të punohet për krijimin e një shteti shqiptar brenda kufijve sa më të gjerë që të jetë e mundur[11].

Territoret shqiptare pushtohen nga serbët. Në fillim serbët marrin sanxhakun e Pazarit të Ri, pastaj bien poshtë në jug duke pushtuar tokat e Shqipërisë dhe pasi marrin edhe portin e Durrësit mbërrijnë në Detin Adriatik. Austria kërkon nga Serbia që të dalë nda Porti i Durrësit. Në këtë çështje Austrinë e mbështet edhe Italia. Për ti bërë ballë idealit të Serbisë së Madhe, Austria është për realizimin e idealit të Shqipërisë së Madhe dhe kërkon që qytete si Shkodra, Janina, Peja dhe Prizreni të mbeten brenda kufijve të Shqipërisë. “Një Shqipëri pa Shkodrën, Janinën dhe Prizrenin do të ngjasonte me një trup që i mungon zemra me stomakun”, shprehet Austria. Ndërkohë që Janinën e synon Greqia, kurse Shkodrën dhe Prizrenin i lakmon Serbia[12].

Në fund të luftës, megjithëse pritej që tokat e Shqipërisë të ndaheshin mes shteteve që kishin krijuar Aleancën Ballkanike, Austro-Hungaria dhe Italia me qëllim për të krijuar një ekuilibër ndaj shteteve sllave nuk heqin dorë nga vendosmëria e tyre për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar. Ndërkohë këto dy shteteve veprojnë edhe kundër Rusisë dhe Francës, të cilat mbështesnin shtetet ballkanike. Serbia me Greqinë, kur e kuptuan se nuk do të merrnin pjesë nga tokat shqiptare deh me qëllim për të kompensuar humbjet, i drejtohen Maqedonisë, të cilës ia kishte ngulitur sytë Bullgaria, dhe hedhin kështu themelet e Luftës së Dytë Ballkanike[13].

Në prag të shpalljes së pavarësisë Ismail Qemal Beu dhe liderët e tjerë shqiptarë kërkojnë mbështetje ndërkombëtare me anë të vizitave në Austro-Hungari dhe Itali. Ismail Qemal Beu në telegrafin e datës 9 nëntor 1912 që i kishte dërguar nga Vjena djalit të tij, Ethemit, i shkruan se e ardhmja e Shqipërisë është e sigurt. Në takimin që pati në 12 nëntor në Vjenë me Ministrin e Punëve të Jashtme Ismail Qemali mëson qëllimin e ministrit ndaj tërësisë kombëtare të Shqipërisë. Në 18 nëntor djali i Ismail Qemalit, Ethemi, u dërgon telegram të gjitha qyteteve shqiptare dhe kërkon të dërgojnë në Vlorë delegatët e tyre. Ditën e 19 nëntorit 1912 Ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë i komunikon ndihmësit të Konsullit në Durrës se Austria do të mbështesë pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe të njëjtën deklaratë ia dërgon me telegram edhe Konsujve të Austrisë në Vlorë dhe Janinë[14].

Në 26 nëntor 1912 Ismail Qemali dhe 27 delegatët që kishte me vete u pritën nga 83 delegatë të tjerë që kishin shkuar më herët në Vlorë. Për shkak të përparimit të vazhdueshëm të Shteteve të Ballkanit në brendësi të tokave shqiptare ditën e 28 nëntorit 1912 në Vlorë mbahet një mbledhje kombëtare e jashtëzakonshme nën drejtimin e Ismail Qemalit dhe shpallet pavarësia e Shqipërisë. Në të njëjtën mbledhje merret vendim për krijimin e një qeverie të përkohshme dhe zgjedhjen e një senati që do të kontrolloje punën e qeverisë si dhe dërgimin e një komisioni jashtë shtetit për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë.[15]. Në fund të mbledhjes publikohet edhe Deklarata e Pavarësisë në gjuhët shqip dhe osmanishte për t’ua dërguar Stambollit, fuqive të mëdha dhe Shteteve të Ballkanit[16] . (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

AHMET HAMDİ, Arnavutluk Hakkında,y.y., İstanbul,1920.

Ankara Üniversitesi. Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü Arşivi: Kutu No: 17, Gömlek No: 14, Belge No: 14

ARMAOĞLU, Fahir, 19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914), TTK Basımevi, Ankara, 1997.

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

ÇELİK, Bilgin, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004.

 

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

 

[1] Banu İşletSönmez,II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.fq. 216-218.

[2] Sönmez,po aty, fq. 216-218.

[3] FahirArmaoğlu,19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914),TTK Basımevi, Ankara, 1997, fq.680.

[4] AÜ. TİTE. Arşivi: Kutu No: 17, Gömlek No: 14, Belge No: 14., Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.15.

[5] Sönmez, po aty, fq.212.

[6] Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II,Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991,fq.80.

[7] Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999, fq.309.

[8]Ahmet Hamdi, Arnavutluk Hakkında,y.y., İstanbul,1920, fq.3-34.

[9] Sönmez, po aty, fq. 219-220.

[10]Bilgin Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004, fq.486.

[11] Sönmez, po aty, fq. 212-213.

[12] Armaoğlu, po aty, fq. 672.

[13] Sönmez, po aty, fq.219-220

[14] Sönmez, po aty, fq.220-221.

[15] Sönmez, po aty, fq. 220-222.

[16] Çelik, po aty, fq. 2004:487.



Lajme të ngjashme