Slloveni – Pacolli: Kosova e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova do të marrin kryesimin e radhës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), iniciativë rajonale e cila ka filluar të funksionojë prej 22 vjetësh...

Slloveni – Pacolli: Kosova e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova do të marrin kryesimin e radhës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), iniciativë rajonale e cila ka filluar të funksionojë prej 22 vjetësh.

Kjo është bërë e ditur të hënën në Bërdo të Sllovenisë, ku ka filluar punimet Samiti i Vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, pjesë e të cilit është edhe Kosova që prej vitit 2014.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, vlerësoi zhvillimet pozitive në rajon, në periudhën e fundit, duke veçuar ftesën e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe Strategjinë e Zgjerimit, që parasheh anëtarësim të sigurt të Kosovës si shtet me atribute të plota.

Ai falënderoi vendet e SEECP-së që u morën vesh për t’i kaluar stafetën e kryesimit Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke u zotuar se Kosova do ta kryejë presidencën e saj njëlloj si paraardhësit, madje dhe më mirë se ato.

Pacolli përgëzoi dy kryesuesit e Qendrës së Bashkëpunimit Rajonal që në 6 vitet e ardhshme do të jenë Majlinda Bregu e Shqipërisë dhe Igor Lukshiq i Malit të Zi. Ministri Pacolli garantoi homologët e tij se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sipas përkufizimeve të njohura.

Gjatë fjalimit të tij, shefi i diplomacisë kosovare u fokusua edhe tek koncepti i Ndërlidhjes Digjitale, si i një rëndësie themelore për vendet e SEECP-së dhe mbarë rajonin, për të mundësuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, zhvillim social, qeverisje të mirë, për të përparuar arsimin dhe shkencën dhe shumë sektorë të tjerë.

Duke mbetur në këtë temë, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se Kosova ka zhvilluar dhe po punon akoma në përparimin e mëtejshëm të politikave dhe infrastrukturës për Informacionin dhe Teknologjinë, dhe tashmë ka një trend shumë të mirë në këtë fushë. Samiti vazhdon me takime të tjera në nivele ministrash duke u përmbyllur me takimin e kryeministrave të vendeve të SEECP-së. /ATSH



Lajme të ngjashme