Shqipëri – Presidenti Meta: Të përcaktohet qartë objekti i negociatave me Greqinë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kërkoi të martën që të përcaktohet qartë objekti i negociatave me Greqinë, për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi...

Shqipëri – Presidenti Meta: Të përcaktohet qartë objekti i negociatave me Greqinë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kërkoi të martën që të përcaktohet qartë objekti i negociatave me Greqinë, për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.

Në funksion të transparencës me opinionin publik, Presidenti Meta bëri publik qëndrimin e tij lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke” dërguar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, ditën e premte, datë 16 shkurt 2018.

Meta vlerëson angazhimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për të nisur negociatat për një marrëveshje të re ndërshtetërore për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Sipas tij, “bashkëpunimi i hapur dhe i ndërsjelltë është në themel të parimit të fqinjësisë së mirë”.

Meta shpreh bindjen se delimitimi i hapësirave detare me Greqinë, është në interesin më të mirë të vendit tonë në të gjitha aspektet, si në drejtim të ushtrimit të sovranitetit dhe juridiksionit kombëtar, ashtu edhe në drejtim të sigurisë, dobisë ekonomike, politike, sociale, etj.

Por, Presidenti kërkon që të qartësohet në mënyrë të mirëpërcaktuar objekti i kërkesës për negocim, duke përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara, si dhe të paraqiten informacionet shtesë të kërkuara.

“Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës”, shprehet Presidenti.

Po ashtu, Presidenti kërkon që të përcaktohet qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë. Në kërkesë, citon Presidenti, nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën.

Presidenti thekson se “parimi i barazlargësisë shërben si pikënisje për korrektimin e vijës delimituese në favor të palës sonë”. Për këtë qëllim, sipas tij, nevojitet aplikimi i parimit barazlargësi me korrektim. “Delimitimi i ri duhet të sjellë përfitim në hapësirat detare të Shqipërisë. Përfitimi në hapësirën e Detit Territorial, do të ishte më i favorshëm sepse në këtë hapësirë detare ushtrohet sovranitet i plotë në det, tabanin e detit dhe hapësirën ajrore mbi të, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe ZEE vendi ynë do të përfitonte zgjerimin e të drejtave sovrane (shfrytëzim burimesh që ekzistojnë në këto hapësira, por jo sovranitet të plotë)”, shprehet Presidenti.

Ndaj sipas tij, “kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”. /ATSH



Lajme të ngjashme