Koment- A po zgjidhet problemi i emrit të Maqedonisë?

Sipas informacioneve të burimeve mediatike, Athina dhe Shkupi, deri në muajt e verës, do të zgjidhin në mënyrë definitive problemin e emrit të Maqedonisë.

Koment- A po zgjidhet problemi i emrit të Maqedonisë?

Sipas informacioneve të burimeve mediatike, Athina dhe Shkupi, deri në muajt e verës, do të zgjidhin në mënyrë definitive problemin e emrit të Maqedonisë. Të paktën kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev duket se është i gatshëm për të hedhur hapa të vendosura në lidhje me zgjidhjen e emrit. Zaev deklaroi se do të ndryshojnë emrin e aeroportit dhe autostradës që mban emrin e Aleksandrit të Madh dhe bëri të ditur se mund të shohin ngrohtë edhe shtimin e një cilësie gjeografike për emrin e Maqedonisë si “Maqedonia e Sipërme” ose “Maqedonia e Re”. Vendosmëria e Zaevit u prit me lëvdata nga ana e Presidentit dhe Kryeministrit të Greqisë. Por udhëheqësit e të dyja vendeve do të jenë të detyruar të bindin popujt e tyre në lidhje me zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë. Në Greqi ka nga ata që janë tërësisht kundër përdorimit të fjalës Maqedoni. Në mënyrë të njëjtë dhe në Maqedoni ka një numër të madh njerëzish që janë kundër shtimit të një epiteti të çfarëdollojshëm të emrit Maqedoni.

Maqedonia menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, në mesin e objektivave kombëtare vendosi anëtarësimin e plotë në NATO dhe BE, ndërsa marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal i përcaktoi në mesin e interesave kombëtare. Këto objektiva njëkohësisht u bënë edhe objektivat e një platforme të gjerë politike dhe sociale të politikës së jashtme. Mirëpo problemi në lidhje me emrin që jetohet me Greqinë, paraqet vështirësi për realizimin e këtyre objektivave në politikën e jashtme të vendit.

Sipas tezës greke, Maqedonia e sotme nuk ka ekzistuar kurrë gjatë historisë dhe u krijua për shkaqe ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo tezë hasi në kritika të ashpra nga ana e maqedonasve për shumë vite. Athina zyrtare bën të ditur se emri “Maqedoni” është një trashëgimi historike e grekëve dhe prej vitesh refuzon që ta njoh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Ndërsa argumenti themelor që paraqitej nga ana e zyrtarëve maqedonas kundër Greqisë është se emri “Maqedoni” paraqet thelbin e identitetit kombëtare të maqedonasve duke e bazuar atë në parimin se çdo shtet ka të drejtën sovrane për ta përcaktuar emrin e tij. Mirëpo Greqia përsërit se do të vazhdojë të vendosë veton e saj për anëtarësim e këtij vendi në NATO dhe BE pa e ndryshuar emrin. Komisioni Evropian propozoi shpesh herë fillimin e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim, por pengesa e Greqisë nuk po arrihet të kapërcehet. Për shkak të kësaj pengese Maqedonia në vitin 2009 humbi shansin e anëtarësimit në NATO së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Propozimet e bëra nga ana e përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së ndaj Maqedonisë dhe Greqisë për gjetjen e zgjidhjes së problemit të emrit përgjithësisht u refuzuan menjëherë ose nga ana e Shkupit ose nga ana e Athinës. Për këtë arsye negociatat për gjetjen e zgjidhjes së problemit të emrit janë pezulluar shpeshherë.

Ndërkohë që autoritetet zyrtare të Maqedonisë, nga njëra anë negociojnë çështjen e emrit me Athinën, nga ana tjetër ata zhvilluan një përpjekje ligjore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Greqisë për pengesën e kësaj të fundit të anëtarësimit të Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare. Sipas kësaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2011, vendosi se pengesa e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nga ana e Athinës paraqet shkelje të përgjegjësive të arritura me marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës në vitin 1995. Mirëpo për shkak se kjo nuk kishte vlerë ligjore  qëndrimi i Athinës për anëtarësimin e Maqedonisë u bë edhe më i ashpër.

Negociatat e muajve në vijim ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, pas një periudhe 27-vjeçare, për herë të parë mbartin mundësinë e rezultatit me sukses. Por Athina nuk duhet të përfshihet nga gabimi se Zoran Zaevi do të ndryshojë emrin e vendit me çdo çmim, madje e kundërta, bëhen komente se duhet të sillen në mënyrë konstruktive për një rezultat që do të kënaqë të dyja palët.

Një sondazh i publikuar para afërsisht 3 javësh nga Instituti i Demokracisë në Shkup tregon se rreth 61% e nënshtetasve të Maqedonisë janë pro ndryshimit të emrit në favor të anëtarësimit në BE dhe NATO. E parë nga aspekti etnik; 50% e maqedonasve dhe 95% e shqiptarëve miratojnë ndryshimin e emrit për hir të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

 

Ashtu siç kuptohet, shqiptarët (në Maqedoni), të cilët nuk kanë ndonjë lidhje emocionale me emrin “Maqedoni”, kërkojnë që të zgjidhet sa më parë problemi me emrin dhe që vendit ti hapet rruga drejt integrimit në NATO dhe BE. Kurse maqedonasit janë të ndarë në dy në lidhje me këtë temë. Zgjidhja sa më parë e problemit të emrit, i cili ka ndikim të ndryshëm në marrëdhëniet e brendshme dhe marrëdhëniet fqinjësore, do të pasqyrohet pozitivisht edhe në stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit. Për këtë arsye divergjencat në këtë temë sjellin shqetësime se problemi në fjalë pasqyrohet në mënyrë negative në marrëdhëniet ndëretnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve të Maqedonisë.

Për fat të keq problemi i emrit që jetohet me Greqinë prej vitit 2006 e këtej bëhet shkak për përshkallëzimin e nacionalizmit në mesin e maqedonasve. Qeveria e mëparshme e Maqedonisë me godina të reja të ndërtuara në qendër të Shkupit, restaurimin e godinave të vjetra dhe skulptura të shtrenjta mundohej që qendrën e Shkupit ta shndërronte në pothuajse një qytet madhështor antik. Në këtë mënyrë përpiqeshin që të dëshmonin lidhjet historike mes shtetit antik të Aleksandrit të Madh, Car Samuilit që ishte njëri prej udhëheqësve mesjetar të Ballkanit dhe Maqedonisë bashkëkohore. Por qasja ndaj historisë në këtë mënyrë nga ana e qeverisë së mëparshme të Maqedonisë shkaktonte shqetësime të mëdha jo vetëm tek Greqia, por edhe tek Bullgaria.

Kryeministri Zaev përpiqet të ndryshojë të gjitha këto dhe përpiqet të hapë një faqe të re si nga aspekti i paqes etnike në vend ashtu edhe për marrëdhëniet me fqinjët. Por në rrugën që përshkon ekziston mundësia të përballet me pengesa të ndryshme. Për këtë arsye, në rrugën e zgjidhjes së problemit të emrit të Maqedonisë, Zaev pret mbështetjen e vendeve mike, ashtu siç është Turqia. Pasi në takimet e zhvilluara me Kryeministrin Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) dhe Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ditën e hënë në 12 shkurt, Zaev pa edhe një herë se Turqia është pranë Maqedonisë në çështjen e emrit. Sigurisht që vendimi i marrë nga populli i Maqedonisë për emrin dhe që do të kënaqë të dyja palët do të mbështetet nga çdo vend. Zgjidhja sa më parë e problemit të emrit, që ka një ndikim të madh duke filluar nga marrëdhëniet e brendshme deri tek marrëdhëniet me fqinjët, do të pasqyrohet pozitivisht në përgjithësi në Ballkan dhe këtë e di edhe Ankaraja.  

Nga Dr. Erhan Turbedar



Lajme të ngjashme