Ulqin – Të dielën mbahen zgjedhjet për këshilltarët e Asamblesë Komunale

Në zgjedhjet e 9-ta pas vendosjes së pluralizmit në Malin e Zi këtë të diel rreth 20.000 votues do të zgjedhin 33 këshilltarët e rinj të Kuvendit Komunal të Ulqinit, ku në garë janë 8 parti dhe 2 koalicione.

Dushko Markoviç_Karadağ bağımsızlık 11.yıldönümü_2.jpg
Kosova ile Karadağ arasındaki sınır sorunu.jpg
Bell 412EP helikopter.jpg
Karadağ Savunma Bakanı_Predrag Boshkoviq_helikopter anlaşması.jpg
Karadağ Ulqin_Ülgün_genel görüntü.jpg
Nazif Cungu_İstanbul Hubtex şirketi temsilcileriyle.jpg

Ditën e diel në komunën e Ulqinit do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin lokal. Rreth 20.000 votues do të zgjedhin 33 këshilltarë, sa numëron kuvendi i komunës së Ulqinit. 8 parti dhe 2 koalicione kanë propozuar kandidatët e tyre për këshilltarë. Këto janë zgjedhjet e nënta me radhë që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Rëndomë pushtetin lokal në këtë qytet e kanë udhëhequr partitë shqiptare respektivisht koalicionet e tyre. Përndryshe për këto zgjedhje që organizohen për komunën më të madhe me shumicë shqiptarë në Mal të Zi kanë treguar interesim për ecurinë e tyre faktori ndërkombëtarë OSBE–ODHIR, zyra e Bashkimit Evropian (BE) e akredituar në Podgoricë si dhe përfaqësuese të Ambasadave të ndryshme në Mal të Zi. Ndërkaq Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ka shpallur zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi më 15 Prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahej pas dy javësh, nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më tepër se 50% të votave. Brajoviq ka kumtuar se për këtë ka njoftuar presidentin aktual Filip Vujanoviq dhe adresat relevante ndërkombëtare. Ai shprehu besimin se zgjedhjet presidenciale do të mbahen në një atmosferë pozitive, çka do të konfirmojë epitetin se Mali i Zi është lider i rajonit në integrimet evropiane. Deri tani asnjë parti apo grup politik nuk ka dalë me kandidat për zgjedhjet presidenciale, por pritet që kjo të ndodhë në javët e ardhshme. Kandidati për president i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) pritet të shpallet në fillim të muajit shkurt, kur është paralajmëruar shpallja e emrit edhe nga ana e Frontit Demokratik.

                                                                       ***

Më 6 shkurt, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq viziton për herë të parë Kosovën

Tanimë edhe në Mal të Zi është konfirmuar vizita e Kryeministrit malazez Dushko Markoviq me 6 shkurt në Kosovë. Ai do të takohet me  homologun e tij kosovarë Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin e parlamentit Kadri Veseli. S’ka dyshim se në qendër të bisedimeve do te jetë çështja e demarkacionit të kufirit midis Malit të Zi dhe Kosovës, i cili është nënshkruar në vitin 2015-të dhe që e ka ratifikuar Parlamenti i Malit të Zi. Mediat e këtushme citojnë zëdhënësen e kabinetit Haradinaj znj. Donieta Gashi të ketë thënë se “është në interes të gjithëve që çështja e demarkacionit të zgjidhet sa më parë”. “Kjo çështje tanimë është në duart e deputetëve të Kosovës” ka shtuar ajo. Përndryshe vizita e Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Kosovë do të jetë po ashtu e fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve ku shihen shumë fusha të bashkëpunimit të ndër sjelltë. Ndërkaq kur është në pyetje demarkacioni, pala malazeze është e prerë duke thënë se kjo çështje është e mbyllur dhe nuk ka më vend për ndryshim.

                                                                    ***      

Në ceremoninë e “Lutjes së Mëngjesit” në ShBA është ftuar të marrë  pjesë edhe një delegacion i lartë nga Mali i Zi.  

Lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve njëherësh ish Kryeministër i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme të Lutjes së Mëngjesit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Tramp. Përveç z. Gjukanoviq, në këtë ceremoni e cila organizohet me 8 shkurt do të marrin pjesë edhe kryetari dhe nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajeviq dhe Branimir Gvozdenoviq si dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.  Përndryshe Lutja e Mëngjesit është një ceremoni tradicionale që organizohet ç’do vit në Uashington ku marrin pjesë rreth 3.500 persona nga me se 100 shtete të botës. Ky takim është si një lloj forumi që mbledh dhe ndërton raporte politike, shoqërore dhe elitës së bizneseve e që organizohet nga fondacioni “Fellowship Foundation”.

                                                                    ***

Mali i Zi si anëtar i NATO-s do të blejë tre helikopterë modernë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë.

Mali i Zi ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë tre helikopterë nga Bell Helicopter, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen. Në kontratën 30 milionëshe, përfshihen dy helikopterë Bell 412EPI dhe një tjetër helikopter i tipit, Bell 412EP. “Mali i Zi dëshiron të rrisë kapacitetet e ushtrisë së tij”, ka thënë përmes një deklarate ministri i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq. Ai ka thënë se helikopterët do të përdoren për aktivitetet e tokës dhe ajrit, operacionet e kërkim-shpëtimit, evakuimet mjekësore dhe patrullimet e këtij vendi në rajonet e kufirit dhe territoret tjera. Njëri nga helikopterët do të dërgohet në pjesën e parë të vitit 2018 derisa dy të tjerët në çerekun e katërt. Mali i Zi i është bashkuar NATO-s në muajin qershor të vitit të kaluar, pavarësisht kundërshtimit të Rusisë.

                                                                              ***

Investitorët nga Turqia të gatshëm të investojnë në fushën e bujqësisë në komunën e Ulqinit.

Kryetari i Komunës Ulqinit, Nazif Cungu, priti në një takim pune pronarin e kompanisë turke Hubtex nga Stambolli, z. Ibrahim Byjykçinar, e cila merret me prodhimin e frutave dhe perimeve në sera. Investitorët nga Turqia, të cilët ndërkohë kanë regjistruar kompaninë Monten Trade Shpk, konfirmojnë që toka të cilën Komuna e Ulqinit i ka propozuar në Zogaj, me sipërfaqe 34 hektar, është adekuate për planet e tyre. Sipas analizave që kanë bërë kualiteti tokës është i përshtatshëm për këtë qëllim. Atraksionin e tokës e rrit edhe afërsia e infrastrukturës së nevojshme për këtë aktivitet. Mali i Zi importon shumë fruta dhe perime, andaj ky projekt do të ndikojë në uljen e deficitit tregtarë të këtij shteti – deklaroi z. Byjukçinar. Kryetari  Cungu konfirmoi gatishmërinë dhe vullnetin e Komunës së Ulqinit për t’i përkrahur maksimalisht projektet për bujqësi, si dhe premtoi që Komuna menjëherë do të nisë komunikimin me Ministrinë e Bujqësisë që tenderi për këtë tokë të hapet sa më parë.

- Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera Alibegu Katana -



Lajme të ngjashme