Mbledhja Shqipëri-Kosovë: Një sërë marrëveshjesh për orientimin e ekonomive mes dy vendeve

Një sërë marrëveshjesh të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës po vihen në zbatim për të orientuar ekonomitë mes dy vendeve.

Mbledhja Shqipëri-Kosovë: Një sërë marrëveshjesh për orientimin e ekonomive mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, theksoi se qeveritë nisën në 2014-n një rrugëtim që ka krijuar një hapësirë të pakufishme bashkëpunimi”.

“Politika fillon me një dëshirë dhe është dëshira ajo që shndërrohet në veprim”. Për Rugovën, politika ishte një instrument që gjen forcën tek ëndrrat. Sot mund të përballemi me peshën e amanetit të tij të rëndë ballëlartë, të frymëzuar nga politikbërja e bazuar mbi realitetin e një toke, një populli dhe një ëndrre”, tha Rama.

Kufiri nga hendek ndarës, në një urë të pashembullt bashkëpunimi

Së bashku, vijoi Kryeministri, “kemi transformuar kufirin nga një hendek ndarës, në një urë të pashembullt bashkëpunimi”.

Sot, shtoi Rama, “Jemi mbledhur për herën e katërt, në Korçën e kulturës dhe të historisë kombëtare për të vijuar punën e nisur dhe bashkëkuvenduar mbi përparësitë e ndërveprimit vëllazëror mes dy vendeve, harmonizimin e mëtejshëm të interesave tona në funksion të ardhmërisë evropiane dhe prosperitetit të mbarë botës shqiptare”.

Kryeministri Rama përgëzoi Kryeministrin Haradinaj për përkushtimin e tij të palëkundur dhe të qeverisë që udhëheq për avancimin e reformave me kah Euro-Atlantik, në dobi të një shoqërie gjithpërfshirëse dhe multietnike në Kosovë”.

“Dy qeveritë tona po ritakohen sërish pas më shumë se një viti, ndaj është mëse e natyrshme të orientohemi për nga një përpjekje bilanci që do të na mundësojë analizën e çfarë kemi arritur dhe ku do të synojmë të mbërrijmë për hapat e radhës. Në një vështrim dhe analizë të përgjithshme, rezulton se tradita tashmë e konsoliduar e Mbledhjeve të dy Qeverive ose G2G-të, sipas zhargonit të instaluar, është jo vetëm pozitive por edhe produktive”, tha Rama.

Ndërsa, theksoi Rama, “Kemi zhvilluar tre Takime Ndërqeveritare, rezultatet janë konkrete, të dukshme dhe të prekshme. Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik mes dy vendeve, nënshkruar në Prizren, më 11 janar 2014 është harta jonë e rrugës për jetësimin e bashkëpunimit dhe sinergjive tona në plan dypalësh, rajonal dhe evropian”.

Strukturim i mënyrës së punës, komunikimit dhe ndërveprimit

“Kemi strukturuar njëherësh mënyrën e punës, komunikimit dhe ndërveprimit në kohën mes dy mbledhjeve: Eshtë ngritur Sekretariati i Përbashkët, që bashkëkryesohet nga dy Zëvendësministrat e Punëve të Jashtme të vendeve përkatëse dhe që ka në përbërje të tij përfaqësues nga të gjitha ministritë dhe institucionet e linjës. Sekretariati ndjek, koordinon dhe bashkërendon punën ndërministrore, në funksion të zbatimit të Marrëveshjeve në kuadrin e Takimeve Ndërqeveritare”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri theksoi se ministritë e linjave të Kosovës dhe Shqipërisë kanë ngritur Grupet e Përbashkëta të Punës të cilët zhvillojnë takime në mënyrë të rregullt. “Siç parashikohet në Deklaratën e Partneritetit Strategjik, janë në zbatim e sipër disa marrëveshje dhe protokolle lidhur me lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, unifikimin e çertifikimit të mallrave, lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe kostove doganore”, tha Rama.

Kësisoj, vijoi Kryeministri, “është mundësuar plotësisht shkëmbimi elektronik i dokumentacionit për kalimin e mallrave tranzit përmes Shqipërisë me destinacion Kosovën, duke lehtësuar dukshëm të gjithë procedurën e tranzitit. Kjo ka shkurtuar në mënyrë drastike kohën për kryerjen e procedurave”.

Hapje e pikave të tjera doganore mes dy vendeve

Rama nënvizoi se, “po punohet për hapjen e pikave të tjera doganore mes dy vendeve, për të lehtësuar edhe më tej transportin e mallrave”.

Gjithashtu shtoi Kryeministri, “është vendosur dhe funksionon Linja e Gjelbërt për makinat e mallrave në Pikën Doganore të Morinës, çka lehtëson transportin, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur ka edhe një fluks të dendur automjetesh. Pavarësisht kësaj, kemi ende punë për të bërë për të ulur kohën që qytetarët kalojnë në kufi dhe për të mundësuar një tranzit sa më të shpejtë të tyre”.

Rama u shpreh se, punë e mirë po bëhet në drejtim të unifikimit të çertifikimit të mallrave, heqjes së barrierave tarifore dhe jotarifore, etj.

Zyrë operacionale të Kosovës në Portin e Durrësit

Kryeministri lajmëroi se, do të vijojë puna për hapjen e Zyrës Operacionale të Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, dhe kjo do të thotë që do të jetë operative për pak javë. Ministritë e Punëve të Jashtme, të Financave dhe Autoritetet Doganore të dy vendeve tona janë në bashkëveprim të vazhdueshëm në funksion të konkretizimit të këtij projekti brenda një kohe sa më të shkurtër”.

Sipas kreut të qeverisë, hapja e kësaj zyre do të ndikojë dukshëm në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të Kosovës me vendet e tjera. “Vetëm gjatë periudhës janar-tetor 2017 rreth 120 mijë ton mallra të përpunuara në portin e Durrësit u përkasin eksport-importeve tranzit me Kosovën. Eksportet tranzit nga KS përbëjnë 11% të volumit të mallrave të përpunuara në këtë port, ndërsa importet tranzit për në KS 10%. Mallrat me destinacion Kosovën do të kryejnë të gjitha procedurat doganore në Portin e Durrësit, pa pasur nevojën e ndalesave të tjera në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo shkurton në mënyrë drastike kohën për kryerjen e procedurave, ul kostot e mallrave dhe rrit përfitimet tregtare. Rrjedhimisht, tregu i Kosovës rrit atraktivitetin e tij për mallrat nga jashtë, duke mundësuar diversifikimin e vendeve nga të cilat importohet”’, tha Rama.

Përfundon linja e interkonjeksionit 400 KW mes dy vendeve

Kryeministri njoftoi se, ka përfunduar linja e interkonjeksionit 400 KW mes dy vendeve, që për fat të keq ende nuk po vihet në punë për shkak të pengesës proceduriale krijuar nga jashtë.

“Jemi të angazhuar për degëzimin e TAP-it për në Kosovë e më tej në rajon, çka do t’i krijonte akses në këtë linjë të rëndësishme të furnizimit me gaz. Po ecet në bashkërendimin e dy palëve përsa u takon projekteve infrastrukturore, që janë edhe pjesë e rëndësishme e interkonektivitetit në kuadrin e Procesit të Berlinit””, u shpreh Rama.

Rritje e interesit të ndërsjellë në fushën e biznesit

Gjithashtu kreu i qeverisë shtoi se, ka një rritje të interesit të ndërsjellë në fushën e biznesit dhe statistikat flasin shumë qartë. Nëse në vitin 2015 në Kosovë janë regjistruar 80 biznese të reja nga Shqipëria, në vitin 2016 u regjistruan 141 të tillë, pra kemi gati dyfishim brenda një harku kohor 1 vjeçar. Aktualisht në Kosovë ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 930 biznese nga Shqipëria, ndërsa rreth 600 kompani nga Kosova operojnë në Shqipëri”.

Sa i përket volumit tregtar, Rama nënvizoi se, “tregtia me Kosovën përbën 2,7% të tregtisë së përgjithshme të Shqipërisë, ndërkohë që në vitin 2006 përbënte vetëm 1,1%”.

“Në periudhën kohore 2006-2016 tregtia mes dy shteteve tona është mbi pesëfishuar, nga rreth 30 mil € në 2006 në 165 mil € në 2016. Viti aktual i ka të gjithë shanset që të konfirmohet si viti më i suksesshëm në shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona, duke thyer rekordin prej 194 milionë eurosh të vendosur në 2015-n”.

Për periudhën janar-shtator, Kryeministri shtoi se, “sipas të dhënave të INSTAT, eksportet shqiptare janë rritur në mbi 15 miliardë lekë të rinj, nga 12 miliardë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, importet nga Kosova, në nëntë muajt e parë të vitit arrijnë në 6,1 miliardë, nga 4 miliardë i janar-shtatorit 2016”.

Lehtësim i mëtejshëm i procedurave

Dukshëm, tha Rama, “potenciali është tejet më i madh. Për këtë arsye, dy Qeveritë po punojnë për lehtësim të mëtejshëm të procedurave, në mënyrë që në të ardhmen të kemi shkëmbime në sasi dhe vlera edhe më të mëdha. Është shumë e rëndësishme që ekonomitë tona të orientohen kah njëri-tjetrit me të gjithë komponentët përbërës të tyre”.

Nga ana tjetër, theksoi Rama, “qasja që qeveritë tona kanë adoptuar në kuadër të një rajoni që dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian është nxitja e konektivitetit, ndërlidhshmërisë, përmirësimi i standarteve, duke përdorur të gjitha instrumentat në dispozicion për rrëzimin e barrierave të çfarëdollojshme dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare”.

Me Kosovën, tha Rama, “ por edhe me vende të tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ne jemi angazhuar në një proces të tillë në funksion të përfitimit të ndërsjellë, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës së përbashkët evropiane. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe funksionalizimi i Zonës Ekonomike Rajonale”.

Fuqizim i veprimit diplomatik në mbështetje të aspiratave euro-atlantike të Kosovës

Sigurisht, shtoi Rama, “në këtë kontekst do të mbetemi të vendosur për të fuqizuar veprimin tonë të pakursyer diplomatik në mbështetje të aspiratave euro-atlantike të Kosovës e sidomos të gjithëpërfshirjes së saj rajonale, si prerogativa e vetme për një rajon në paqe, të sigurt dhe të integruar si një i tërë në NATO dhe në BE”.

Megjithatë, u shpreh Kryeministri, “thellimi i partneritetit strategjik është një proces që nuk kalon pa sfida. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kjo sipërmarrje e përbashkët unike kërkon kurajo të përditshme nga të dy palët për të përballuar tendencat bllokuese të interesave të çastit, klaneve dhe monopoleve të cilët nuk e gjejnë asnjëherë veten në efektet dobiprurëse afatgjata të ekonomisë dhe tregut të integruar. Është në interesin e përbashkët që t’u rezistojmë këtyre presioneve dhe të punojmë për të gjetur e ndërtuar të gjitha mekanizmat që fuqizojnë arritjet e deritanishme”.

Të konkretizojmë më tej Partneritetin Strategjik me Kosovën

“Të inkurajuar nga bilanci i deritanishëm, detyra jonë imediate është të bëjmë më shumë, më konkretisht dhe në mënyrë më dinamike. Të gjithë në Shqipëri dhe në Kosovë presin më shumë prej nesh. Është e nevojshme në këtë stad të konkretizojmë më tej Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë gjithëpërfshirës dhe me synimin për t’a kthyer në një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, tha Rama.

Pikërisht, shtoi Kryeministri, “në funksion të kësaj ambicieje të rëndësishme, po angazhohemi dhe dakordësohemi në këtë mbledhje drejt një qasjeje të re cilësore që nxit shkëmbimet e gjithëfarshme, një ndërlidhje më të madhe dhe mobilitet të shtuar të vlerave dhe kapitalit tregtar e atij njerëzor”.

Shtysë të re nxitjes së investimeve të ndërsjella

“Me marrëveshjet dhe Protokollet e reja që po nënshkruajmë sot do t’u japim një shtysë të re nxitjes së investimeve të ndërsjella dhe lehtësimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, si dhe me vendet e rajonit dhe më gjerë. Edhe njohja e ndërsjellë e të drejtës për pension për qytetarët tanë është padyshim dhe për së pari njohje e mirëfilltë e lidhjeve dhe mobilitetit gjithnjë në rritje mes dy shoqërive tona dinamike. Përmirësimi i ndërlidhjes energjetike përbën gjithashtu një qëllim të vazhduar që si gjatë këtij takimi ndërqeveritar, edhe më tej do të përforcojë kapacitetet tona për pjesëmarrje aktive në korridoret energjitike dhe në tregun rajonal e atë evropian”, nënvizoi Rama.

Diaspora, pjesë dhe kontribuese e rrugëtimit të përbashkët

Duke folur për diasporën, Kryeminsitri u shpreh se, “një dinamikë e re në marrëdhëniet mes dy vendeve ndikon drejtpërsëdrejti në prosperitetin e hapësirës mbarëshqiptare. Me këtë vizion, po i kushtojmë një vëmendje parësore në këtë mbledhje edhe rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve tona për aktivizimin e diasporës sonë të kudondodhur në botë. Siç e tregoi Samiti i Parë i Diaporës i zhvilluar në Tiranë vitin e kaluar, Diaspora mbetet një aset i vyer i përbashkët, një potencial i pasur, pamatë por i pashfrytëzuar, i cili duhet përfshirë sa më gjerësisht në hartimin dhe zbatimin e politikave tona në tërësi, përmes një nderveprimi konkret në interes të dyanshëm. Ne përputhje me këtë angazhim të përbashkët, përveçse do të fuqizojmë bashkarisht përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe për diasporën, do të punojmë për të riparë strukturat dhe për të krijuar mekanizmat që do të veprojnë bashkë me Kosovën për ta bërë Diaporën tonë pjesë dhe kontribuese të rrugëtimit të përbashkët”.

Me këtë vështrim të ri strukturor dhe optikë rrënjësisht evropiane, shtoi Rama, “le të punojmë që ky Takim i IV-t të çelë një kapitull të ri në funksion të një bashkëpunimi gjithnjë e më pragmatik dhe rezultativ që rrezaton vlerë të shtuar jo vetëm në ekulibrat gjeopolitikë të rajonit, por edhe në perspektivën e përbashkët euro-atlantike”.

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të mund të shkruhet vetëm kur shqiptarët të lejohen të marrin pjesë në shkruajtjen e saj”. Kështu parashikonte gjysmë shekulli më parë albanologu i madh, Maximilian Lambertz. Sot, këtu nga Korça, askush nuk mund të na pengojë më që të bëhemi edhe ne shkronjës të historisë së Europës moderne. Duhet vetëm të vendosim, njëzëri, se çfarë do të shkruajmë”, tha kryeministri Rama.

Haradinaj: Forcimi i Kosovës, vetëm përmes bashkëpunimit me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri -Kosovë theksoi se ” forcimi i Kosovës në Ballkan arrihet dhe përshpejtohet më mirë mes bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Me 12 marrëveshjet që sot pritet të nënshkruhen mes të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi mes të dy vendeve”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri kosovar tha se “Kosova ende ka vështirësi në anëtarësimin e mekanizmat ndërkombëtarë, në marrjen e njohjeve. Prandaj dua të apeloj që edhe Shqipëria ta ndihmojë Kosovën në anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë”.

Më tej, Haradinaj theksoi se “këtë takim të dy qeverive tona po e mbajmë në qytetin e Korçës të shkollës së parë shqipe të hapur 130 vjet më parë dhe po ashtu në 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky vit është shpallur gjithashtu viti mbarëkombëtar i Skënderbeut nga qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Rama”.

Sipas tij, ky vit përmbledh në vete ëndrrën tonë euroatlantike të cilën më së miri e realizojmë së bashku.

Kryeministri kosovar duke përmendur disa nga arritjet e qeverisë së Kosovës, në këtë kohë të shkurtër, theksoi se e para është axhenda evropiane e Kosovës, e cila është integruar dhe tani është në programin qeverisës të vendit”.

Njëkohësisht , vijoi ai, një axhendë e vlefshme për ne është anëtarësimi në NATO.

“Sot është “Dita e Forcës”së Kosovës dhe ne po punojmë me partnerët tanë dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur dhe së shpejti do të kemi transformimin e FSK në forcat e armatosura të vendit”, tha Haradinaj.

Kreu i qeverisë kosovare tha se “i kemi kushtuar rëndësi forcimit të rendit dhe ligjit. Ajo që mbetet sfidë në Kosovë është luftimi i korrupsionit, një e keqe e re, e cila rrezikon Kosovën në shumë drejtime”.

Haradinaj tha se po punojmë në forcimin e Kosovës në planin e brendshëm edhe pse ajo po ballafaqohet me shumë sfida, disa prej të cilave janë specifike për shkak të jetës jo aq të gjatë si shtete dhe çëshjeve jo të mbyllura”.

Por, shtoi ai, dua të them se jemi të vendosur për dialogun me Serbinë.

“Dialogun e mendojmë në momentet finale dhe mendojmë se epilogu i dialogut duhet të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Që dialogu të arrijë epilogun e duhur mendojmë të nevojshëm pjesëmarrjen e SHBA-së dhe të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Haradinaj duke folur për proceset integruese të Kosovës, tha se forcimi i Kosovës në Ballkan arrihet dhe përshpejtohet më mirë mes bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”. (ATSH)



Lajme të ngjashme