Italia mbështet Shqipërinë në luftën ndaj krimit të organizuar

Italia vlerëson rezultatet e arritura deri tani nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm...

Italia mbështet Shqipërinë në luftën ndaj krimit të organizuar

Në takimin me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, ku lufta ndaj krimit të organizuar dhe emigracioni i paligjshëm ishin në fokus të diskutimeve, ministri i Brendshëm italian, Marco Minniti, shprehu edhe mbështetjen e Italisë ndaj autoriteteve shqiptare.

Në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së martës në kuadër të vizitës, që ministri Xhafaj po vijon në Trieste, Minniti siguroi për mbështetje të pakursyer dhe garantoi se bashkëpunimi do të jetë i frytshëm në këtë aspekt. Ministri Xhafaj e informoi homologun italian për rezultatet antikanabis dhe e falënderoi për ndihmën e rëndësishme, që ka dhënë në vite shteti italian në këtë operacion.

Ministri italian vlerësoi gjatë takimit masat e marra nga pala shqiptare ndaj fenomenit të azilkërkimit dhe minorenëve të pashoqëruar, nisur edhe nga rezultatet konkrete falë këtyre masave.

Ata ranë dakord për një tjetër takim të afërt midis tyre për të diskutuar projekte të tjera me interes për dyja vendet, si dhe në kuadrin rajonal.

Xhafaj me zv/prokurorin e Antimafias: Shkëmbim  informacioni në luftën kundër krimit të organizuar

Ministri Xhafaj u takua edhe me zëvendësprokurorin e Antimafies, Del Prete, nga i cili mori mbështetjen për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor për të koordinuar shkëmbimin e informacionit në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, etj.

Ministri i Brendshëm shqiptar takoi gjithashtu drejtorin e përgjithshëm të Policisë italiane, me të cilin diskutoi mbi çështjet e koordinimit të veprimeve dhe ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore rajonale.

Gjatë qëndrimit në Trieste të Italisë, ministri Xhafaj pati takime dypalëshe me ministrin e Brendshëm të Kosovës, të Serbisë, si dhe Prefekten e Triestes, që është drejtuese e projektit "IPA 2017", brenda të cilit u adoptua propozimi i palës shqiptare për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor.



Lajme të ngjashme