Ministri i Kosovës, Tahiri u kërkon shqiptarëve të mos e braktisin Luginën e Preshevës

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga ambasadori Valdet Sadiku, vizituan të mërkurën Komunën e Bujanocit, ku u takuan me kryetarin e kësaj komune, Shaip Kamberi.

Ministri i Kosovës, Tahiri u kërkon shqiptarëve të mos e braktisin Luginën e Preshevës

Siç njofton MD, gjatë takimit, ministri Tahiri shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, për të thelluar bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe komunave të Luginës së Preshevës, veçanërisht në fushat që lidhen me mirëqenien e qytetareve të kësaj zone.

Ministri Tahiri u zotua se Qeveria e Kosovës do të ketë qasje me aktive ndaj Luginës së Preshevës, të cilën institucionet e Kosovës do ta konkretizojnë me hapa të matshëm. Përveç kësaj, ministri i inkurajoi banorët e Bujanocit që të vazhdojnë të jetojnë në vendin e tyre dhe të mos shpërngulen, sepse përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për ta nuk do të mungojë.

Në anën tjetër, kryetari Kamberi shprehu falënderimin e veçantë për ministrin Tahiri me rastin e vizitës, të cilën e konsideroi si shenjë inkurajimi për të gjithë banorët e Luginës së Preshevës. Ai e njoftoi ministrin për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Bujanocit dhe Luginës në përgjithësi, dhe shprehu pritjet dhe gatishmërinë e komunave të Luginës për të rritur bashkëpunimin në fushat socio-ekonomike dhe kulturore.

Ministri Tahiri takoi edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar me të cilët ndanë perspektivat e përbashkëta për rritjen e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit kulturor dhe edukativ të qytetarëve të kësaj ane.

Po ashtu, ministri Tahiri takoi edhe përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare, me të cilët diskutuan për zhvillimet politike dhe sociale të Bujanocit dhe komunave tjera të Luginës së Preshevës.



Lajme të ngjashme