Kosovë – Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re

Zgjedhja e qeverisë së Republikës së Kosovës është pika e vetme e agjendës së seancës së jashtëzakonshme, me nisje sot në orën 16:00, të Kuvendit të Kosovës, i cili seancën konstituive të nisur në 3 gusht e përfundoi të enjten e 7 shtatorit...

Kosovë – Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re

Zgjedhja e qeverisë së Republikës së Kosovës është pika e vetme e agjendës së seancës së jashtëzakonshme, me nisje sot në orën 16:00, të Kuvendit të Kosovës, i cili seancën konstituive të nisur në 3 gusht e përfundoi të enjten e 7 shtatorit, afër 3 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017.

Kandidati i koalicionit fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, menjëherë pas seancës konstituive të Kuvendit, nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti të premtën mbledhjen e parë për Legjislaturën VI, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar i rizgjedhur.

Kryesia shqyrtoi kërkesën e 45 deputetëve nënshkrues për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Kryesia vlerësoi se kërkesa i plotëson kushtet formale-juridike dhe njëzëri vendosi që konform kësaj kërkese, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të shtunën, më 9 shtator, në orën 16:00, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksonte njoftimi zyrtar dërguar nga Kuvendi dje pasdite.

Në përfundim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të enjten pasdite, i saporizgjedhur kryeparlamentar Kadri Veseli paralajmëroi për të shtunën seancën për zgjedhjen e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt kryeministër dhe qeverisë së Kosovës, e më parë mandatimin.

Sipas shtypit të sotëm Kosovar, ka shumë gjasa që edhe seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës të zvarritet, së paku për disa orë, për shkak se deputetët e Listës Serbe, që po ashtu pritet të jenë pjesë e kabinetit qeverisës të Haradinajt, nuk kanë shumë gjasa që të mbërrijnë me kohë për fillimin e seancës në orën e caktuar.

“Lista Serbe, siç edhe ka paralajmëruar, para votimit të qeverisë do të qëndrojë në Beograd për takime konsultuese me zyrtarët atje. Dhe janë takimet e caktuara në Beograd ato që duket se do ta pamundësojnë prezencën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës në orën 16:00.

Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, drejtuesi i kësaj zyre, Marko Gjuriç, do të presë kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë të shtunën në orën 13:00. Pas takimit, Gjuriç dhe Rakiç do të mbajnë një konferencë për gazetarë, në orën 14:00”, shkruan sot gazeta Koha Ditore me titullin “Qeveria e Kosovës votohet pas takimeve serbe në Beograd”.

Derisa vononte konstituimi i Kuvendit që pasohet me zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, qeveria e zgjedhjeve të para tre viteve zhvilloi në 30 gusht 2017 mbledhjen e 154-të, të tetën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të nëntën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.

Në 10 maj, një muaj para zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat ishin poashtu të parakohshme.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës edhe më parë rreth 100 ditë.

Në 3 dhjetor 2004, pas zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës me votatë hapura zgjodhën kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Pasi më parë Presidenti Ibrahim Rugova para deputetëve nominoi në këtë post Ramush Haradinajn nga AAK-ja, ai mori votëbesimin e Kuvendit dhe u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës si dhe 11 ministrat nga radhët e koalicionit. Për kabinetin qeveritar votuan 72 depuetë, kudnër ishin 2 dhe pesë abstenuan.

Në prezantimin e përbërjes së Qeverisë së Kosovës u tha se, kryeministri që mori votëbesimin, “Ramush Haradinaj ka lindur më 3 korrik të vitit 1968 në Gllogjan të Deçanit. Ka mbaruar Fakutetin Juridik në Prishtinë. Në krye të AAK-së si kryetar, ai është që nga themelimi i saj, në qershor të vitit 2000.

Gjatë luftës, Ramush Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, ndërsa pas luftës, deri në kalimin e tij në politikë dhe me themelimin e AAK-së, ka qenë zëvendëskomandant i SHP të TMK-së në Prishtinë.
Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka qenë deputet dhe anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar”.

Ramush Haradinaj në seancën e sotme pritet të zgjedhet kryeministër i Kosovës me votat e koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR dhe të komuniteteve pakicë, ashtu si u zgjedh të enjten kryetari i Kuvendit.

Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës. “Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

Në 10 korrik 2014, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte pjesë e regjistrimit të deputetëve të Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, para seancës konstituive të 17 korrikut.

Në Kuvendin e Kosovës me gjithsej 120 deputetë, prej tyre 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë, për zgjedhjen e qeverisë së re duhen së paku 61 vota.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për zgjedhjen e e Qeverisë shkruhet:

“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë] 1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. 2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj”.



Lajme të ngjashme