"KosovaPress" bëhet anëtare me të drejta të plota në ABNA-SE

Në asamblenë e përgjithshme të agjencive të lajmeve të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore, që po mbahet në Selanik të Greqisë nga dje (8 shtator) deri më 11 shtator, Agjencia e Lajmeve "KosovaPress" u pranua anëtare me të drejta të plota...

"KosovaPress" bëhet anëtare me të drejta të plota në ABNA-SE

Në asamblenë e përgjithshme të agjencive të lajmeve të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore, që po mbahet në Selanik të Greqisë nga dje (8 shtator) deri më 11 shtator, Agjencia e Lajmeve "KosovaPress" u pranua anëtare me të drejta të plota.

KosovaPress u bë anëtare e plotë pas një lobimi të fuqishëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe një mbështetje nga shumë agjenci të lajmeve, veçanërisht të Agjencisë së Lajmeve në Maqedoni (MIA), Kroate (HINA), Bonjë-Hercegovinës (FENA) dhe asaj të Turqisë (AA), të cilat bënë të mundur triumfin e së drejtës legjitime mbi paragjykimet që vazhdojnë ta shoqërojnë Kosovën në integrimin e saj në të gjitha strukturat ndërkombëtare.

Gjatë ditës së sotme pati një debat të gjatë për aprovimin e kërkesës së KosovaPress-it, në të cilin triumfuan argumentet se tashmë Kosova dhe institucionet e saj janë një realitet legjitim dhe të pranuar nga shumica e shteteve në të gjithë globin.

Që nga sot KosovaPress është pjesë e Asociacionit më të rëndësishëm në fushën e medias në të gjithë rajonin dhe Republika e Kosovës përfaqësohet në mënyrë të barabartë.

KosovaPress falënderon të gjitha shtetet që votuan Pro anëtarësimit të KosovaPress-it në Aleancën e Agjencive të Lajmeve të Ballkanit.

Aleanca e Agjencive të Lajmeve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore u formua në vitin 1995 me synimin për të siguruar një bashkëpunim më të madh mes agjencive të lajmeve të rajonit por edhe të kontribuojë për një klimë paqeje, miqësojë, sigurie dhe bashkëpunimi në rajonin tonë.

Konferenca themeluese është mbajtur në Selanik në vitin 1995, si një nismë e MPA, ndërsa Asambleja e parë u mbajt në Antalia të Turqisë më 15 e 16 dhjetor të vitit 1995.

Anëtarët e rregullt të organizatës janë: AGERPRES (Bukuresht), ANA-MPA (Athinë), ANADOLU AGENCY (Ankara), ATA (Tiranë), BTA (Sofje), CNA (Nikosia), FENA (Sarajevë), HINA (Zagreb), MIA (Shkup), TANJUG (Beograd) dhe KosovaPress (Prishtinë), ndërsa vëzhgues janë Moldavia, Sllovenia, Armenia dhe Mali i Zi.



Lajme të ngjashme