Koment – Ferri i Srebrenicës

Me shpresën se një ditë do të gjenden eshtrat e bijve të tyre, nënat boshnjake vazhdojnë të përjetojnë ende edhe sot e kësaj dite ferrin e Srebrenicës, edhe pse kanë kaluar 22 vite...

772659
Koment – Ferri i Srebrenicës

Viti 1992 për Bosnjë-Hercegovinën ka qenë një vit, kur agimet nisën të jenë të errëta; kur heshtja e natës filloi të prishej nga klithmat e njerëzve; kur filloi të flasë gjuha e armëve. Ishte një vit, kur Bosnjë-Hercegovina, nga një vend i shpresave, i besimit dhe i respektit reciprok, u kthye në një vend të urrejtjes, urisë, torturave dhe vdekjes. Ishte një vit, kur në Bosnjë filloi një makth që do të zgjaste shumë dhe kur bota qëndroi indiferente ndaj asaj që po ndodhte në këtë vend. Një botë, e cila lejoi që boshnjakët të marrin rrugët e kurbetit, edhe pse dikur ata kishin shtëpitë edhe lumturitë e tyre; vendin e shtëpive e zuri hiri, kurse të lumturisë e zuri frika, shqetësimi dhe lotët. Një botë, e cila lejoi që vendi, ku dikur luanin fëmijët të kthehej në varrin e tyre, që në Lumin e Drinës të derdhej sërish gjaku boshnjak. Një botë, e cila megjithëse i kishte premtuar vetes se nuk do të lejonte kurrën e kurrës të ndodhte më një gjenocid, lejoji të ndodhte një e keqe e tillë në Srebrenicë.

Edhe pse kanë kaluar 22 vite nga gjenocidi i Srebrenicës, me shpresën se një ditë do të arrijnë të gjejnë eshtrat e të dashurve të tyre, nënat vazhdojnë të përjetojnë ende edhe sot e kësaj dite ferrin e Srebrenicës. Në vend që të gëzoheshin për martesën e djalit të tyre, se ai do të kishte një të ardhme të lumtur, sot nënat e Srebrenicës arrijnë të gëzohen vetëm për atë se një ditë do të gjenden kockat e fëmijëve të tyre dhe do të kenë një varr.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për Krimet në ish-Jugosllavi në gjyqet që ka zhvilluar e ka dokumentuar me të gjitha detajet tragjedinë që ndodhi në Srebrenicë. Bashkë me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ajo provoi se ajo që ndodhi në Srebrenicë ka qenë një gjenocid.  

Nuk ishin vetëm gjykatat ato që dëshmuan për tragjedinë e Srebrenicës, por ishin edhe varret masive që vazhdojnë të zbulohen ende, të cilat shfaqin para syve një kriminalitet të tmerrshëm, që arrin deri aty sa të dërgojë në varre masive edhe një gjyshe të verbër 101-vjeçare apo një foshnjë 29-ditëshe. Kurse Zoti siguroi, që nga të gjitha krimet masive që u bënë mbi boshnjakët, si ai i pushkatimit masiv, të mbijetonte të paktën një njeri. Si rrjedhim për faktin se ekzistonte dikush për të dëshmuar nuk u hodh dot hi mbi të vërtetën. 

Para së gjithash për të vërtetën kanë nevojë me dhjetëra-mijëra familje, që vazhdojnë për vite të tëra të kërkojnë bijtë, baballarët, gratë dhe të afërmit e tjerë. Për këto të vërteta kanë nevojë edhe ata që nuk arrijnë të kuptojnë dot ende apo nuk duan të kuptojnë atë çfarë ndodhi me boshnjakët. Gjithashtu kanë nevojë për ti parë të vërtetat dhe për ti pranuar gabimet edhe ata që kanë mbyllur një sy dhe një vesh përballë vrasjes së boshnjakëve, thjesht duke u nisur nga fakti se ata kanë emra të ndryshëm dhe i luten Zotit në një formë tjetër.

Për të vërtetën kanë nevojë edhe burracakët që lejuan shenjtërimin e kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët pasi i kishin vrarë një herë viktimat, ishin kthyer sërish në vendin e krimit, kishin hapur me buldozerë varret masive, ku kishin varrosur disa mijëra viktima dhe pasi i kishin nxjerrë kufomat nga varri i kishin ngarkuar në kamionë dhe i kishin transportuar në varre të dyta dhe në vende të tjera të panjohura. Për të vërtetën ka nevojë edhe Evropa, e cila nuk arrin ta kuptojë ende që e keqja me emrin “fashizëm” ekziston ende brenda Evropës, që sot fle, është e mpirë dhe e përçarë për interesa të ndryshme. 

Srebrenica nuk duhet parë vetëm si shifra. Srebrenica nuk është vetëm historia e masakrimit në mënyrë të pamëshirshme e boshnjakëve të privuar nga të drejtat e tyre. Srebrenica nuk është vetëm historia e një batalioni holandez që ka hyrë në histori vetëm për qëndrimin frikacak dhe të pashpirt apo i Kombeve të Bashkuara, si një institucion që nuk funksionon. Srebrenica është një plan që pasqyrohet në luginën e dëshmorëve në Potoçari, një plan i ngritur për të zhdukur gjurmët e një kombi dhe të ekzistencës së tij. Srebrenitsa është simboli i një dhimbjeje të madhe të shpërndarë në gurët e varreve.  

Një nga mijëra historitë e dhimbshme është edhe kjo ngjarje e rrëfyer nga një nënë me emrin Naziya Beganoviç, dhe e hedhur në letër nga gazetari boshnjak, Almasa Hadziç.

“… Për disa ditë qëndruam të fshehur në pyllin që ndodhet përreth fshatit. Pastaj policët vendorë dhe fqinjët tanë serbë na bënë thirrje për të dalë nga pylli. Ajo çfarë na u tha neve ishte se duhet të mblidheshim të gjithë në fshat, pasi do të na dërgonin në qytetin e Tuzllës, ku do të ishim më të sigurt. Na garantuan që nuk do të na ndodhte asgjë e keqe. Edhe ne u besuam atyre. Në mesin tonë kishte disa mijëra gra, fëmijë, të moshuar dhe djem të rritur. Kur dolëm nga pylli filluan ti ndanin meshkujt nga gratë. Pastaj meshkujt nisën ti hipin në autobusët dhe kamionët që prisnin gati. Në fillim më morën burrin, Mustafanë. Pastaj më morën djemtë, Murizin, Berizin, Idrizin, Ferizin, Ramon dhe Fahrudinin. Unë qëndroja në qoshe, qaja dhe dridhesha. Për një moment vrapova drejt kamionit ku kishin hipur fëmijët. Duke menduar se nuk ti shikoja më kurrë fëmijët e mi, iu përgjërova një oficeri serb të më linte të paktën një djalë. Pastaj u ndala menjëherë. Çfarë përgjigje do ti jepja unë oficerit serb nëse më pyeste se cilin djalë do të doja ta lironte? Si mund ti thosha që “më lër këtë djalë, dhe të tjerët le të ikin”. A nuk do të më pyesnin djemtë mua “Nënë më shumë e do atë nga ne të tjerët?” Për këtë arsye nuk e bëra, nuk i kërkova gjë oficerit serb. Vetëm qaja dhe nuk po merrja dot vendim. Në momentin që djemtë i kishin hipur në kamion me duart e lidhura mbi kokë kisha mbetur ashtu e shtangur në vend. Ata mi morët djemtë, burrin, të cilët nuk i pashë dot më. Tani jetoj me nipin tim, i cili është mashkulli i vetëm i familjes dhe fisit tim...” 

Le t'i vijë turp njerëzimit që s’është në gjendje t’u japë një ndjenjë drejtësie nënave të tilla si Naziya Beganoviç.

 

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme