Shqipëri – Ja si do të ristrukturohet qeveria dhe administrata publike

Qeveria e Shqipërisë ka ngritur një grup pune, i cili do të merret me ristrukturimin e administratës publike...

769236
Shqipëri – Ja si do të ristrukturohet qeveria dhe administrata publike

Qeveria e Shqipërisë ka ngritur një grup pune, i cili do të merret me ristrukturimin e administratës publike.

Kryetari i grupit të punës së mandatuar nga Kryeministri Edi Rama, Niko Peleshi, ka nisur takimet me ekspertë të fushave të ndryshme për të marrë sugjerimet e para.

Në një intervistë për një televizion privat, Peleshi shprehet se do të ketë një arkitekturë krejtësisht të re sa u takon agjencive dhe drejtorive të varësisë, por shtoi se nuk është ende e qartë nëse do të ketë më pak apo më shumë agjenci.

Deputeti tashmë i zgjedhur socialist tha se synohet riorganizim i kompetencave të institucioneve dhe agjencive, madje dhe një rindarje mes funksioneve vendore dhe atyre qendrore.

Peleshi theksoi se tashme qeveria ka vendosur të ketë një koalicion me qytetarët , të cilin shprehet ai duam që realisht ta kthejmë në një kulturë të re qeverisëse. “Duam të ndërtojmë një kulturë të tryezave të përbashkëta ku komuniteti të ulet me deputetët, me përfaqësuesit e vetë, më vonë edhe me qeverinë e re, dhe të ndajë shqetësimet dhe problemet. Kur ne kemi shkuar në zyrë në vitin 2013, nuk është se kemi gjetur në tavolinat tona të punës dosje projektesh, projekt-idesh apo prioritetesh të çdo zone të Shqipërisë”, deklaron Peleshi.

Sipas tij problematikat e ngritura nga qytetarët do të filtrohen në 3-4 prioritete apo çështje kryesore. “Ne nuk jemi një vend i pasur, madje as vendet e pasura nuk kanë mundësi që të realizojnë me burimet e veta financiare përmbushjen e të gjitha problemeve. Kjo bën të domosdoshëm prioritarizimin. Por, prioritet pa njohur problematikat, nuk mund të ketë. Ky është qëllimi i këtij turi të madh që do të vijojë përgjatë gjithë verës, deri në shtator kur qeveria e re do të marrë mandatin për të qeverisur.

Ndërsa i pyetur mbi mënyrën e punësimit në administrate, Peleshi thotë se ne duam të ndërtojmë një administratë ku një person vjen dhe e mban pozicionin e punës me meritë, për shkak të dijeve dhe kualifikimit të vazhdueshëm. “Nuk është se po bëhet ndonjë spastrim i caktuar duke pasur parasysh individë me tesera të caktuara partie”, deklaron Peleshi.

I pyetur lidhur me kabinetin e ri qeveritar, Peleshi bëri të ditur se është ngritur edhe një grup ekspertësh të çështjeve të ndryshme për të mbuluar të gjithë sektorët. “Duam të ndërtojmë një arkitekturë të re të të gjitha agjencive dhe institucioneve të varësisë, në nivel lokal dhe qendror, për të pasur një strukturë qeverisëse më efiçente, më efikase. Ne nuk vuajmë vetëm nga cilësia e punës, por edhe nga zgjidhje jo inteligjente të arkitekturës”, thotë ai.

Kemi shpesh herë agjenci të mbivendosura me njëra-tjetrën, apo agjenci të ngarkuara shumë me punë, ndërsa agjenci të tjera, shprehet Peleshi, vegjetojnë.  “Mbivendosja e funksioneve shpesh herë do të thotë edhe ngarkesë për qytetarët, ulje rendimenti. Ato institucione apo inspektorate që kanë lidhje me biznesin kthehen pastaj në shtim burokracie apo dhimbje koke për biznesin. Unë vij tani nga disa takime në funksion të kësaj detyre, me grupe interesi në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore”, deklaroi ai.



Lajme të ngjashme